Krijimtari

Nji histori e shkrueme me vonesë - Nga Sami Milloshi

- E shef njat gruen n’at shezlongun atje? - më pyeti Alicia.

Ktheva kryet dhe kqyra nji grue plakë, me shalë të vyshkuna tue marrë rrezet e diellit me nji libër në dorë.

- E shof i thashë. Pse?

- Bash njajo ka shkue në shtrat me Presidentin Kenedi.

- E si e din ti? - pyeta unë.

- E ka tregue vetë ajo. Ka shkrue nji libër me kujtime. Bash nji gjysëm shekulli ma vonë, - tha Alicia.

E ktheva edhe nji herë kryet kah grueja në shezlongun pesë a gjashtë metra larg.

M’u ba se m’u shfaq Presidenti Kenedi, njashtu si burrë i pashëm njat saj tue ia dhanë me dorë të vet nji gotë me ujë a diçka tjetër me u freskue n’kët vapë shtatori.

Por, jo nuk ishte veç nji iluzion si tana iluzionet, me t’cilat rrekem me shty ditën kur dita m’shfaqet me fytyrë vetmie.

Nji histori e tregueme vonë mund të jetë e freskët si vesa e mjesit. Por, mund të jetë edhe e vyshkun si shalët e asaj grues në shezlong. E asaj qi rastësisht ka qillue nji grue, qi ka tregue si e humbi virgjininë e saj me njeriun ma të fuqishëm të globit.

Nuk ban me i kalue përskaj historisë së saj, edhe pse, tash nuk ke çka me i pa asaj, përveç shalëve të vyshkuna si pastërma për dimën...

I premtova Alicias se kam me e lexue atë librin me kujtime për at histori të hershme të tregueme me vonesë.

- Në daç lexoje, në daç jo, - tha Alicia. - Për mue ajo thjesht ka hedhë nji tufë me lule mbi nji varr të famshëm, nji tufë me lule qi asht dashtë me ia hedhë kur atij ia morën jetën me plumb...

- Ti don me thanë se ajo asht vonë? - e pyeta unë Alician.

- Po! - tha e preme ajo.

- Noshta, - iu gjegja unë.

- Historitë qi tregohen me vonesë rrezikojnë me thanë gjysëm t’vërteta - tha Alicia.

Unë tunda kryet n’shenjë miratimi me çka tha Alicia.

Mandej nxorra paketën dhe ndeza nji cingare. M’u kujtue nji mik i jemi qi e kërcnuen me jetë. E ai mori fmijët e gruen e krisi e iku me rujt kryet e tyne.

Tash nji kronikan paska shkrue se ky miku jem jetoka dikund, në nji vend prrallor, pa e thanë as nji gjys fjale se çka e detyroi atë me ikë për gjithë natë prej shpisë s’vet qi e kishte ngritë me nji mijë mundime...

Ia them Alicias çka m’erdhi ndër mend. Ia kujtoj se si iku për gjithë natën miku jem.

Thotë Alicia:

- Thuaji atij mikut tand ta shkruej tash historinë e tij. Se mas pesëdhetë vjetësh, kanë me thanë të tjerët se ai iku i përcjellë me buqeta me lule n’aeroport nga shkëlqesia e tij kryeministër...

Dhe nuk ka me u marrë vesh: a iku pse e kërcnuen me jetë, a qe i velun prej knaqsive të katundit? Njisoj si historia e asaj zonjës në shezlong, qi nuk u mor vesh a shkoi vetë me dëshirë me e humbë virgjninë në shtrat me Kenedin, a qe ai qi e detyroi me i zbërthye kopsat e kmishës...

Alicia më bani me e ndezë edhe nji cingare tjetër...

© Sami Milloshi