11 fabula nga Vangjush Saro
TURMA
Buajt kanë mbuluar krejt savanën;
Dielli djeg; bari me pakicë.
Tigrat aty rrotull thurin plane,
për ndonjë gosti pa sakrifica.
Befas ata hidhen mbi një Buall
dhe e shqyejnë me egërsi e ngut.
Turma atje tej rri si e huaj;
nuk e dinë; i vjen radha gjithkujt…
MONEDHA
Një Monedhë e vockël, qesharake,
me qiellin, malin, detin
bënte llafe:
“Në të gjithë botën “e lavdishme”
unë jam gjëja më e rëndësishme:
Blej e shes dhe kthej përmbys dynjanë.
Dorëzohuni pa kushte, o mjeranë!”
Heshtje.
Rrokulliset tej monedha trime,
me gjet vendin ku pëlqejnë fjalimet…
E ZGJEBOSUR, BISHTIN PËRPJETË (!)
Në rrëpirën
prej nga s’duket fshati,
tufa poshtë e lart po kërkon fatin,
hapur ndër murrize e ndër ferra.
Është aty një dhi që ndër të tjera,
shkon e vjen
vetëm me bisht përpjetë,
prapanica e saj tallet me retë…
Kushedi pse shtiret kjo e ngratë,
ajros dregat apo fton ftujakë*.
“E zgjebosur
dhe bishtin përpjetë!”
S’dihet kush e tha, fjala ka mbetur…
(*Ftujak - cjap i ri)
DORDOLEC
Në arën ku Gallofët* bëjnë festë,
po mban fjalim edhe një Dordolec:
“I shihni këto fusha, rreth e qark?
Janë në mbrojtjen time; pa merak!”
Po kur Moti dhëmbët i nxjerr jashtë,
shkalafitet trimi kokëkashtë;
bëhet fije-fije, e merr era,
bashkë me fjalime dhe idera…
(*Gallof - sinonim i fjalës korb, në të folme krahinore)
SEKRETI
Rrëkeja e vogël derdhet në përrua.
Dhe ky,
me vëllezërit e tij,
herë pa zë
e herë duke kënduar
lumit i bëjnë shoqëri.
Dhe lumi rend e bredh vërtik
në detin e madh e të paanë.
Por edhe deti ka vëlla e mik
atë që quhet
oqean...
Çdo gjë ka vlerën dhe vendin e vet.
Kështu natyra është sajuar.
Kush nuk e di këtë sekret,
mbetet përherë
i trishtuar.
FLUTURA DHE MARULJA
Flutura e bukur, plot pekule,
zuri miqësi me një Marule.
Atje tej, trazuar ishin retë;
këtu muhabeti shkonte vetë.
Flutura harbohej lart e poshtë.
Thosh Marulja: “Ç’bukuri, o Zot!”
Dikur Flutura la një tufë me larva,
që i bënë gjethet harta-harta…
Priste një shpjegim Marule e mjerë;
tjetra ia kish mbathur që kaherë.
PENDIM
Ranë përdhe ca pika shiu,
(stuhinë era po sillte).
Një fije bari shpejt i ulëriu:
degës që mbi kokë i rrinte.
-Po ti më lage, moj tutkune,
pra, hapi sytë
shiko...
Tha dega e shkretë:
-Ç’faj kam unë!
Po mbaj sa mundem, apo jo?
Fundja, këtu i thonë pyll
të gjithë jemi qull...
Kur vera erdh’ me përcëllimë
dhe gjithë
mbi dhe
u thanë pothuaj,
fija e barit urtë rrinte;
hija nën degë s’kish të paguar.
Dikur u ndje pak e penduar:
-Kam bërë gabim, e dashur motër,
që për ca pika shiu llapa kot.
Tha dega pa përkëdheli:
-Ndodh që i biem edhe teneqes.
Kur e kuptojmë
gjithsesi,
është gjysma e së keqes...
DILEMA E BLETËS
Këtej u shtuan plehrat ca si shumë;
andej, më thonë, ka filluar diga…
Një Zot e di se ku do kullos unë,
sepse kanë ardhur bash kohë të liga.
Të hidhem ta provoj dhe më përtej?
Plastmasi ka ndërtuar mbretëri,
kanoçet vepra arti ndër lumenj.
Po iki.
Ku do mbytem, nuk e di…
VAKTI
Hipur mbi Gomarin e ngarkuar,
(bash mbi koshat, a thua po tallej)
zbriste miku shtegut të përcëlluar,
që prej vapës sikur dridhej n’valle.
Por dikur e gjeti pakëz hije,
zbrazi torbën të ushqehej vëllai:
bukë, djathë e kastravec shtëpie
edhe dhallë të ftohtë me bulmet mali.
Tundte kryet Gomari i duruar;
aty pari as gjembaçë nuk kishte.
“Hë, i tha i zoti, përse truan?
Ç’më vështron e ma tund atë bisht?”
“Hiç, palli ai, të qava hallë.
Thashë: qenke lodhur fort imzot!”
Edhe e vjetër, edhe e re kjo përrallë;
ka përherë zheg, gomar e zot…
DORDOLECI DHE ARIU
E kish tepruar vapa sot;
por Dordoleci qëndroi fort.
E mbrojti arën njëfarësoj,
i trembi zogjtë dhe trumba shkoi.
Veç kur u duk andej Ariu,
e pa shumë pisk ai i ziu.
U tremb dhe vetë, zëri iu mek:
“Ah, unë i mjeri, që s’kam dyfek!”
XIXËLLONJA DHE RRUGA
Në errësirë e në zheg,
po dergjej Rruga me Barishte.
Një Xixëllonjë, keq e keq,
i vinte anës që ta ndriste.
Tha Rruga:
“Po bën çmos, e di.
Por nuk e zgjidh dot hallin tim.
Me kaq pak dritë sa bën ti,
më zhyt më tepër në mjerim…”
© Vangjush Saro



