Krijimtari

Pendime të premtuara - Nga Artan Gjyzel Hasani

veten time nuk e di ç’e kam

grua, të dashur a dashnore

një jetë të tërë mbajtur për dore

mikja që më qëndroi pranë

edhe kur e desha armiqësisht shumë

vetja është zonja ime e vetme

më ndëshkon duke mos më bërë skllav

dhe unë në shenjë mirënjohjeje

për të gjitha ditët që isha

dhe netët që mungova

për të gjitha fluturimet e rrëzuara

dhe greminat ku s’kalova

për të gjitha pendesat e shkuara

dhe mëkatet që bëra përsëri

i kërkoj ndjesë të thellë

duke mbetur po ai

dhe e falenderoj që më jep çdo ditë

mundësinë për të gabuar…

(nga vëllimi poetik “LIBIDO” 2024)

©artangjyzelhasani