Krijimtari

Prostituta - Tregim nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto

Sytë e saj të mëdhenj ngjyrë hiri shprehnin gjithë trishtimin e shpirtit. Si dega e prerë e pemës që pikon lëngun e rrëshirtë për të mjekuar plagën, sytë e saj pikonin lotë të hidhur, por nuk ia lehtësonin dhimbjen. Ndihej krejt e vetmuar në këtë qytezë të vogël malore, që kur e transferuan nga Tirana pas arrestimit të babait.

Ngushëllimi i vetëm ishte që e lanë të ushtronte profesionin e mësueses, ndoshta ngaqë një nga të afërmit e nënës kishte rënë dëshmor në luftën partizane. Orët e mësimit, ishin orët e saj më të lumtura. Nxënësit e shikonin me admirim dhe përpinin çdo fjalë të saj, ndryshe nga kolegët që i shmangeshin, apo drejtori i shkollës që e shikonte vëngër.

Për të banuar i dhanë një shtëpi të vogël përdhese gjysëm të rrënuar, pronarët e së cilës ishin degdisur në internim në një fshat të Myzeqesë. Nga qelqi i dritares vështronte horizontin e ngushtë ku shfaqeshin grupe burrash që ecnin krah njëri-tjetrit si rrathët e një peme të moçme, teksa ktheheshin nga puna e rëndë në minierë.

Në portretet e tyre të zymta, ajo shihte fytyrën e dashur të babait. Pikat e shiut vareshin në xhamin e dritares si mbeturina të reve të zemëruara, ndërsa në buzë ndjente shijën e kripur të lotëve. Ditët ishin të gjitha njësoj dhe rutina e përditshme po ia mpakte vrullin e moshës. Çohej cdo mëngjes në orën gjashtë dhe dilte në oborr për të larë fytyrën. Teksa përpiqej të nxirrte kovën nga pusi, gjithmonë dëgjonte të lehurat e qenit të fqinjit.

Kafsha trupgjatë tërhiqte zinxhirin e ndryshkur dhe i afrohej gardhit ndarës e lehte gjithë zemërim. I mbajtur gjithë kohës lidhur, qeni i gjorë shpinte këmbët dhe shpërthente gjithë zemërimin tek çdo i huaj që kalonte andej. “Mirë i zoti, po nuk më ndahet as qeni” - pëshpëriste nën zë.

I dukej se kishte diçka të përbashkët me qenin e lidhur. Atij i kishin lënë një zinxhir të gjatë për të shkuar deri te gardhi, ndërsa asaj një zinxhir të padukshëm që e pengonte të kapërcente konturet e qytezës. Një herë në javë duhej të paraqitej në Degën e Punëve të Brendshme ku punonte fqinji i saj. Një burrë i zymtë në të 40-tat, me trup hollak e sy të vegjël të mprehtë që asaj i kujtonte Cerberus-in, qenin roje të mbretërisë së të vdekurve që nuk lejonte askënd të shpëtonte nga mbretëria e nëntokës.

Ai e pati thërritur edhe në zyrën e vet dhe i kërkoi të raportonte çdo bisedë që dëgjonte nga mësuesi i vizatimit. Madje i premtoi se do ta lejonte të shkonte te nëna në kryeqytet sa herë të donte, nëse bashkëpunonte. Ajo, vetëm sa për ta hequr qafe i tha me gjysëm zëri se do përpiqej. Silueta e tij hollake e ndiqte pas kudo. Edhe kur hynte në ndonjë dyqan për të blerë dicka, ndjente mbi shpinë sytë e tij të mprehtë që e çponin si rrënjët që depërtojnë edhe në të çarat e shkëmbit. Ndonjëherë kur e thërriste në zyrë, fytyra e tij e zbehtë eshtake skuqej. Dukej se i humbiste filli i mendimeve dhe qëndronte disa minuta pa folur, pastaj shfletonte ndonjë dosje dhe vinte sërisht në vete.

“Ky njeri hije do më çmendë” - thoshte me vete. “Edhe emrin jo më kot e ka Qani. Ngaqë nuk qesh kurrë”. Hija e tij dhe monotonia e qytezës ishin kaq strikte, saqë ditët i dukeshin njësoj të errëta si dhe netët. Sikur po jetonte në një çmendinë kolektive. Njëherë teksa po lahej, iu duk se pa në frëngjinë e murit të banjës sytë e vegjël të Qaniut. Mbuloi me peshqir trupin e zhveshur dhe fiku dritën. Pas disa sekondash heshtje, dëgjoi disa hapa të shpejtë, si troku i një kali që largohej me shpejtësi. Mëngjesin e të nesërmes, teksa po lante llërëpërveshur fytyrën në oborr, dëgjoj një rënkim të mbytur.

Mendoi se po rënkonte Merjemja, nëna e verbër e Qaniut. Ngriti sytë dhe te xhami i dritares së katit të dytë, pa portretin e Qaniut të ngjeshur pas xhamit të dritares që rënkonte, ndërsa sytë pa ngjyrë po i fikeshin. Çuditërisht atë mëngjes as Xhapi, qeni i egër i Qaniut nuk po lehte. Ia kishte vënë atë emër, pasi që i vogël nuk bënte xhap nga shtëpia dhe nuk qe zgjidhur kurrë nga zinxhiri. Xhapi po dihaste njësoj si i zoti.

Lëpinte me gjuhë organin e tij seksual dhe dridhej si degë shelgu. Në mungesë të plotë të lirisë, Xhapi kishte mësuar si të shfrynte dufin e tij prej mashkulli hamëshor. Kjo skenë e tmerroi së tepërmi dhe thuajse me vrap, u nis drejt shkollës. Në korridor ndeshi përgjegjësin e Vatrës së Kulturës, që kishte ardhur për të vënë një shfaqje teatri me nxënësit. Në xhaketën e vjetëruar kadife të kthyer dy herë, nuk kish harruar të varte gjashtë stema ku spikaste flamuri i kuq, të fituara në aktivitete kulturore.

- Ç'ke kështu - e pyeti ai? Dukesh e shqetësuar.

- Nuk kam gjë, më dhemb pak koka - iu përgjigj nxitimthi dhe u fut në klasë.

Në koridor nxënësit e rrethit teatror të shkollës bënin ushtrime të të folurit skenik dhe bërtisnin me zë të lartë: Qante Qaniu pas qerres së qumështit, se qeni qimekuq i qe qepur pas…Qaniu qante pas qerres së qumështit, se qeni qimekuq i qe qepur pas. “Edhe këtu nuk mu nda Qaniu…”. Vendosi pëllëmbët në tëmtha që mos dëgjonte më.

Për të larguar rutinën e përditshme iu përvesh mësimit të gjuhëve të huaja. Në sallën e leximit kalonte orë të tëra e vetme, duke shfletuar fjalorët e paktë të bibliotekës që jepeshin vetëm për t’u lexuar aty. Në atë sallë të vogël, ndeshi një djalë simpatik që punonte si teknik në minierën e qymyrgurit. Pasioni për leximin dhe librat e afroi me të. Ai i jepte libra të “verdhë” (kështu quheshin librat e ndaluar) dhe ajo i lexonte për gjithë natën. Ende nuk e kish njohur dashurinë, por Arbani, ky djalë simpatik që punonte si teknik në zgafellat e nëntokës, kishte një dritë në sytë e tij kaltëroshë që i depërtonin thellë në skutat e largëta të shpirtit dhe ia ngrohnin zemrën.

Por, papritmas në sallën e leximit u shfaq edhe Qaniu. Ulej dy tavolina larg saj dhe bënte sikur lexonte disa libra me kapakë të trashë. Pas pak kohe, Arbani u zhduk si me magji dhe nuk erdhi më në sallën e leximit. “Ky njeri hije nuk do më ndahet as në varr” - psherëtiu kur pa tavolinnë bosh, ku qëndronte zakonisht Arbani. Për herë të parë në jetë iu lut Zotit. I kërkoi ta shpëtonte nga ky burrë pervers që i qe ngjitur pas si hije. 

Koha i tërhiqej zvarrë me hapa të ngadalshëm. Filloi të jepte disa orë mësimi letërsie pa pagesë në shkollën e mbrëmjes, vetëm që të shpëtonte qoftë edhe për disa orë nga hija e saj “binjake”. Shkolla ishte nga të paktët vende ku nuk ndeshte siluetën hollake të Qaniut. Në shkollën e mbrëmjes “nxënësit” ishin të gjithë punëtorë, shumica mbi të tridhjetat. Të lodhur nga puna, u hapej goja në orën e mësimit.

Përjashtim bënte vetëm një djalë i gjallë, që ende nuk i kish mbushur të gjashtëmbëdhjetat. Gjatë ditës punonte si ndihmës në riparimin e çative, ndërsa mbrëmjeve ndiqte shkollën. Kishte mbetur jetim dhe u fut në punë për të ndihmuar familjen. Puna e lodhshme nuk ia kishte sfumuar dëshirën për dije. E gjithë vëmendja e saj u përqëndrua mbi këtë djalosh me emrin Festim, por që jeta nuk i kish dhuruar asnjë gjë për të festuar.

I jepte literaturë shtesë dhe e ndihmonte edhe në lëndët e tjera. Kishte bindjen se talenti i djaloshit për të shkruar do shfaqej një ditë. Festimi i vinte në shtëpi të dielave dhe e ndihmonte me punët e rëndomta, si stivosja e druve, apo rregullimi i shkallëve të drunjta. Gjatë verës ai i shpejtoi ardhjet në shtëpinë e saj. Iu fut me zell riparimit të çatisë që pikonte në shumë vende. Gjatë drekës bisedonin me pasion për romanet, filmat apo këngëtarët e rinj.

Sinqeriteti i tij naiv gati fëminor, i kujtonte asaj vetveten.

- Këtë dimër do shpëtosh nga kovat që mbedhin pikat e shiut - i tha ai me të qeshur.

- Të shpresojmë që ky dimër nuk do zbrazë gjithë zemërimin e acartë të maleve - iu përgjigj ajo.

Sinqeriteti i djaloshit e bënte për vete dhe ajo e trajtonte si vëllanë e saj të vogël.

Por vatjet e shpeshta të Festimit te shtëpia e mësueses, zgjuan thashethemet në qytet. “Mësuesja shkon me Festimin” - thoshin gojët e liga. Kur filloi shkolla në shtator, dëgjonte pëshpërimat e kolegeve: “kurva, edhe me nxënësin e saj shkoi”. Një ditë kur u fut në klasë për të zhvilluar orën e mësimit, pa në dërrasën e zezë të shkruar më gërma shtypi: MËSUESJA SHKON ME FESTIMIN. Iu duk se i ra tavani në kokë. Tërhoqi këmbët zvarrë dhe doli nga klasa.

Të nesërmen drejtori e thërriti në zyrë dhe i tha se duhej të largohej se kish thyer rëndë moralin komunist dhe figurën e mësuesit. Kundërshtimet dhe shpjegimet e saj ai i shpërfilli me përbuzje. E kishin transferuar në një fshat të thellë malor, që quhej fshati i Arushës, për shkak të arinjve të shumtë që vërdalloseshin asaj ane.  Kur u kthye në shtëpi gjenti nën derë një zarf ku shkruhej: “Nëse do të shpëtosh nga trasferimi në fshatin e Arushës, hajde sonte natën te unë”. Q

Të nesërmen u nis drejt fshatit të Arushës. Fshati me 40 shtëpi të vetmuara larg njëra-tjetrës, ngjante si një gojë e hapur ariu me disa dhëmbë të rëna. Ishte i rrethuar nga male të thepisur dhe dielli aty lindte një orë më vonë e lëshonte rreze të ftohta, sikur qe ngritur përgjumësh nga nata.

Ndeshte përditë të njëjtat portrete, madje ndeshi edhe arinj të mëdhenj me sy kafë të vegjël, por që çuditërisht ishin miqësorë me njerëzit. Ditët ishin të zymta dhe shpejt ia linin vendin netëve, por për një gjë ndihej mirë... Kishte shpëtuar nga fantazma hollake që e ndiqte pas.

© Ilir Gjini - Toronto, 2 nëntor 2023