Krijimtari

Çumani - Tregim nga Sami Milloshi

Ishte errët dhe binte një shi i imtë që po shplante pluhurin e ditës. Kur ja, përballë meje ia beh Çumani. Ishte me celular në dorë duke biseduar me dikë, por e ndërpreu bisedën sa më pa mua.

- Po ti çne këtu? - tha habitshëm Çumani.

Ma vloi gjakun si në një tenxhere me presion. Nuk ma përmendi emrin fare. As nuk më bëri atë pyetjen shekullore “si je?”. Thjesht i bëri përshtypje se si unë, një emigrant shqiptar në Amerikë, të gjendesha pikerisht aty, në atë rrugicë të Tiranës, pak përtej shtëpisë sime, që frymon herë pas here, në stinë të ndryshme të vitit...

- Sepse ky vend është edhe i imi, - i thashë Çumanit.

Çumani heshti. Çumani iku.

Çumani nuk tha “...po ky vend është edhe i yti”. Unë do të isha ndjerë mirë po ta thoshte Çumani atë shprehje. Por Çumani nuk e tha. Dhe ndoshta nuk e tha se rruga ishte me shumë pluhur, ose ndoshta pse po binte shi. Ndoshta edhe mund ta thoshte po të kishte qenë ag e diell, ose ndoshta po të mos kishim nëpër këmbë rrënoja gërmadhash...

Por, gërmadhat jane aty. E Çumani nuk i sheh, ose së paku kështu më duket mua. Ose i sheh dhe ndjehet rehat pas tyre. Ndjehet ndoshta më rehat po të mos më shohë mua. Ndoshta ka më shumë hapësirë per veten nën arkitekturën e hijeve...

Po unë, pasha t’madhin Zot, nuk po ia prish qetësinë Çumanit, unë thjesht dua ta pyes “si je?” dhe afër mendsh, dua që edhe ai, i prekur nga pyetja ime, të më pyesë edhe ai: “Si je?” Kaq. Jo më shumë.

Unë nuk dua që Çumani të më presë biletën e avionit vajtje ardhje Boston-Tiranë. Atë e pres vetë. Unë thjesht dua që Çumanit të mos i dukem i tepërt këtu, sepse unë thjesht jam nën hisen time të diellit, siç është edhe ai nën hisen e tij...

Qyteti është mbushur me grataçiela. Por njerëzit duken më të vegjël. Apo ndoshta mua më kanë lënë sytë. As Çumani nuk është ai që ka qenë. As unë nuk jam ai që kam qenë, domosdo. Ndoshta ne jemi vërtet të tepërt për njëri-tjetrin. Ose ndoshta ata që kanë ngritur grataçielat duan që ne ta ndjejmë të huaj njëri-tjetrin. Ndoshta ata duan që ne të rrimë në hijen e grataçielave të tyre. Aty, në hije,a s Çumani e as unë nuk e shohim hisen tonë të diellit.

A thua Çumanin e ka pushtuar akulli i hijes së grataçielave? Sepse, nuk ka mundësi tjetër që ai të jetë tjetërsuar aq shumë, sa të ketë harruar atë pyetjen e lashtë “si je?” Apo thua jam unë ai që dua që edhe Çumani të më harrojë?

Por, kjo nuk ka mundësi të jetë e vërtetë sepse une, ndryshe, nuk do ta kisha prerë biletën vajtje ardhje nga Bostoni në Tiranë...

E mbaj mend fare mirë kur ishim kërthinj, se si shkonim me Çumanin të vidhnim bistakët e rrushit hafezali tek ferma ngjitur me qytetin tonë. Atëherë nuk ishte asnjë njeri i vetëm në qytet që e dinte se çfarë ishte fjala grataçiel. Por, atëherë edhe roja që na shkulte veshin për bistakët e vjedhur te rrushit, mbaj mend, se na pyeste se të kujt ishim dhe pse bënim asi prapësish. Atëherë edhe roja dinte të bënte pyetje...

Une nuk e di fare se çfarë ka ndodhur as me Çumanin e as me mua. Unë thjesht po them se Çumani ka harruar të bëjë pyetje, ose larg qoftë o Zot i madh, unë ndoshta kam harruar të jap përgjigjet e duhura. Po, thuaje o Zot, ç’mund t’i thosha unë tjetër Çumanit për pyetjen e tij, përveçse “ky vend është edhe i imi”? N’e paça tepruar, jam gati të ngjitem vetë në kryq si Jezusi dhe Çumani, pa pikë mëshire le të m’i puthitë gozhdët në mishin tim...

Si thua Çuman, a ndjeve çka thashë? Dhe mos harro, në erresirë, as hija jote nuk ka me t’u përgjigj, po nuk i bëre pyetjen e duhur. E kam me provë nga vetja Çuman. Ishte erresirë edhe atëhere kur ika dhe e pyeta veten:”Pse po iki?”...

© Sami Milloshi