Mali nuk duket - Tregim nga Sami Milloshi
E mbajta mend gjithë çka më tha mbramë Fadili, nji shoku im i fminisë. E po due me e nda me ju.
Ia nisi fjalës Fadili:
Qyteti ynë asht i bukur, na pat thanë profesor Faja kur isha student. I ka ndërtesat jo shumë të nalta, e shumta pesë a gjashtë kate. E ju në daçi me u ba arkitektë të zot, e kam nji lutje për ju, të dashtun studentë: mos i projektoni ndërtesat ma të nalta se pesë gjashtë kate. Pse? Sepse na e kemi malin afër e, ba me ndërtu grataçiela si ban bota, nuk mundemi me e pa ma malin. Nuk mujmë me e pa si len Dielli...
Unë u bana arkitekt, siç e din ti, por më ranë halle shumë.
Bane hesap, unë për njizet vjet, nuk mujta me ra n'piacë të qytetit me e pi nji kafe. Punë shpi, shpi punë. Kurrgja tjetër nuk mujta me shijue.
Në mjes m’duhej me i shërbye grues qi ishte paralizue. Mandej në punë.
Masdite duhej me i shërbye babës qi e lanë sytë. E merrsha për krahu me e qit te nji kafe n’skaj të rrugës. Knaqej nja dy orë me do shokë të tij tue ba muhabet. Mandej e merrsha prap për krahu me e kthye n’shpi. Kur mbrrijshim te porta e shpisë, baba nuk harronte asnjiherë me ma puthë dorën e me m’falenderue:
- T'u shtoftë jeta,o bir!
Kur ndrroi jetë baba, t’pamen e bamë te nji shpi mortore qi ishte në piacë të qytetit. “Parajsa” ia kishin vu emnin asaj shpie mortore. Mue bash m’u ba qejfi, se ishim tue e percjellë babën për n'parajsë, çka baba e meritonte.
Ishte po ashtu edhe nji rast i mirë për mue me kqyr piacën,qi siç të thashë, nuk e kisha pa për njizet vjet për shkak të halleve qi m’kishin ra n'shpatulla t'mija.
Çka me i pa piacës,mor burrë?! Nuk e njifsha ma. I kishin naltsue do grataçiela qi ma zunë frymën krejt. E m’u ba se, jo veç baba, po edhe unë bashkë me të isha t’u shkue at ditë, larg qoftë o Zot, në parajsë.
Baba m’ka pas lut qi kur të diste me ia kthye ftyrën kah mali i Dajtit. Ia thashë kët porosi të babës pronarit të shpisë mortore. E ai m’u gjegj:
- Zotni, më vjen shumë keq, po nuk muj me ta plotësue dëshirën. Tash grataçielat nuk po na lanë me pa Diellin, e jo ma me pa Dajtin...
Atëhere mue m’u kujtue profesor Faja me lutjen e tij para nji gjys shekulli për mos me i fut grataçielat në qytet. Por, e pashë qi as profesorit nuk mujta me ia plotësue lutjen. E, bash si atij, nuk mujta me ia plotësue as lutjen babës...
Tue u kthye prej ceremonisë mortore m’u ba se isha tue ecë nëpër rrënoja. Dikush na e bani qytetin nji rrënojë të stërmadhe.
E unë, arkitekti qi nuk më pyti kush, për shkak të halleve të mija, e pashë vonë, shumë vonë, se qyteti ishte ba i gjithi si rrënojë.
Çova kryet me pa malin në vend të babës. Por mali nuk dukej kurrkund...
© Sami Milloshi



