Mbi qiparisin e vjetër - Nga Flurans Ilia
atje tej te lugina pema përbri
qiparisi i qiellit mbart një kumri
dëgjoje si këndon si një ulli i vjetër
lëvozhgën e zhveshur të një bote tjetër
platitur zhegut si varg mbi mermer
tingujt e kumrisë hapin një derë
veshur me gjethnajën e një shkurrishte
mbi varre të harruar bri një ullishte
kaq shumë, kaq shumë platitur mbi rasë
të parë e ke qiellin nga tjetër përmasë
rreth malit të diejve shtrohet toka përbri
një lum vjen e buron nga gjoksi i tij
hapat i tut e stepet bregut tjetër
asaj çka e quajmë, ajme, kohë e vjetër
fillon e gjembon dhimbja e gishtave
si fjalë e çapuar mes shkurrishtave
dregëzat i hap me duar përgjakur
malli përndezur përqafimi përflakur
te kjo varrezë e vjetër nën qiparis
kumria me tinguj një prekje qëndis
dhe lumi vazhdon përqafimin tjetër
në det derdhet prej kohës së vjetër
rikthehet si fllad te pemët përbri
qiparisi i qiejve mbart një kumri
kumti qiri i ndezur mbi mermer
kjo cigare, e di, duhet ta lësh njëherë
ashtu si i le qytetet, ullinjtë, varrezat,
shkëmbeve me tjetër kumt dorezat
fatit i dole kur u shfaq përball’
fati nuk ishte fat por ishte çakall
zbritur nga ai mal ku dielli teporet
nga djemtë e vrarë lindën shtatoret
varreve të reja te kjo qytezë kjo varrezë
koha përzhitur zhegut nën diell përndez
planimetrinë e rrugicave të një qyteti tjetër
këndon një kumri mbi qiparisin e vjetër
© Flurans Ilia - 27 dhjetor 2023
* Kushtuar etërve dhe shokëve tanë, që flenë atje, te harta e dheut.



