Takime të rastësishme - Tregim nga Sami Milloshi
Isha duke pritur dyqanxhien e dyqanit të kornizave të pikturave. Aty në rrugë të Kavajës. Ishte natë, por gjithë ai ndriçim ma jepte mundësinë me i shque fytyrat e njerëzve.
Përballë meje ia beh një fytyrë e parë diku. Shumë familjare. Fytyra e Benit, atij piktorit që ka bërë të gjitha portretet e atyre burrave që shpallën pavarësinë e Atdheut nga Perandoria osmane.
Qoftë edhe vetëm për këtë arsye takimi me Benin është më shumë se një takim i rastësishëm.
I them Benit se për ne shqiptarët me portretet e baballarëve të kombit, ti je si Mikelanxhelo me Davidin për italianët.
- Oh, kjo ndoshta është e tepruar, - thotë ai - por për mua, ky takim me ty, krejt i rastësishëm, i pari, dhe dashtë Zoti, jo i fundit, më ngjan sikur po takoj dikë me të cilin kam kaluar femininë, ose sikur kemi ndarë kafshatën e misërnikes në të njejtën sofër.
Përqafohemi sikur të ishim vëllezër që presim e percjellim njëri-tjetrin nëpër aeroporte.
- Ndoshta e kam gabim, - i them - por tani nuk ka më takime të qëllimta. Njerëzit takohen krejt rastësisht në dasma, në funerale, në mbledhje qeveritare. Bilé bilé, edhe në sallën e Kombeve të Bashkuara dhe, të shumtët shtiren sikur u takuan nga që e kishin bërë me njet të takoheshin. O Zot i madh në çfarë botësikur jetojmë. Të çon tjetri një emoji me zemër të kuqe nga ana tjetër e Botës dhe ti kujton se me të vërtetë të ka trokitur dashuria në derë...
Pffff....
- Dëgjo, - tha Beni - nëse dikush e shet një takim të rastësishëm si takim të qëllimshëm, madje edhe të planifikuar kohë më parë, kjo do të thotë se midis atyre dy njerëzve nuk ka dashuri njerëzore në mes. E di ti pse e kanë zhdukur dokumentin e nënshkrimit të Pavarësisë?
- Jo, jo. - nuk e di - i them.
- Sepse disa njerëzve të rastësishëm u ra në dorë dokumenti. Dhe e fshehën në mënyrë të qëllimtë. Nuk pati dashuri as midis tyre, as për dokumentin. Pati vetëm ego për të përfituar famë...
-Ti di diçka të përpiktë për këtë, apo? - bëhem kurioz unë.
- Jo, jo, - thotë Beni - unë, thjesht po arsyetoj me mendjen time dhe po flas me zemër në dorë. Ajo që di unë është se gjyshi im Zihni Abas Kanina, e vuri firmën në atë dokument se nuk ishte rastësisht në Vlorë atë ditë. Kishte shkuar qëllimisht për shkak të dashurisë që kishte për flamurin. Domethënë për Shqipërinë!
Edhe unë që të përqafoj ty si vëlla sonte këtu në këtë takim të rastësishëm, këtë e bëj sepse të dua. Dhe sepse e kam rrënjosur në mendje se edhe ti më do.
- Po, - i them - edhe unë të dua si vëlla - megjithse unë nuk kam vëlla.
- A ta bëjmë pra një foto vllaznore? - pyet Beni.
- Po! - i them.
Dhe ashtu, me duart krahëqafë si vëllezer, një vajzë bukuroshe që kalon aty pari krejt rastësisht, na bën një foto jo të rastësishme. Ta kemi për kujtim, deri kur, dashtë Zoti, të bëjmë një të dytë, po ashtu jo të rastësishme...
© Sami Milloshi



