Unë kam me u kthye - Cikël poetik nga Sami Milloshi
AUTOPORTRET ME BOJNA UJI
Jashtë asht akullnajë,
E unë brenda
N’qoshe t’oxhakut...
Kacafyten
Dashnia me urrejtjen,
Unë mbaj anën e dashnisë...
Urrejtja e korr
nji fitore t’vogël,
ma burgos shpresën
për pak kohë...
I shkoj njat
nji pasqyre
me pa veten,
e m’del ftyra e babës
qi m’lyp nji gotë ujë.
Ujë nuk kam
me ia njomë buzët e rreshkuna babës,
e m’duhet me u kthye
te Kroi i Luçes
me e mush boljerën...
Kroi i Luçes
asht larg,
rrazë malit t’Dejës,
sa nji shpresë e pakthyeme ...
Unë duhet me
u kthye n’fmi,
me i prue ujë babës,
ja na mos, baba
ka me m’dek n’duer
buzëthamë
për nji pikë ujë...
Bahem fmi apet
M’i dhanë ujë babës
e me ruejt
ftyrën teme...
Tash unë e di
sa herë kam me kqyrë
ftyrën teme n’pasqyrë
ka me m’u shfaq baba
tue m’lyp nji gotë ujë...
PASQYRË NË LIS
Tash po e thërmoj veten
për t’dashtunit e mi:
N’e paçi nji kujtim
T’vyshëm prej meje,
shkoni e mbilleni
nji lis për mue
n’fund t’livadhit
ku m’u përgjakën gjunjët n’fmini...
Ndoshta dikush
mezi pret me m’harrue,
e unë veç deshta me i thanë
se e pres me lule at’ harrim...
E di se kush m’ka dashtë
e kush jo,
ani, unë nuk isha
veç nji shumatore
gabimesh,
dhe ma t’madhin
prej tyne
e msova n’thinjninë time.
I paskam dashtë
të tjerët ma shumë se veten,
dhe kur u kujtova
me dashtë veten,
qenkam ba vonë
e m’duhet m’u errë
e m’u gdhi
n’konak t’vetmisë
tue lpi plagët
qi s’shifen me sy...
Kur t’blerojnë lisat
qi keni me i mjellë
n’fund t’livadhit,
bash njat-here
ftyra jeme ka
m’u kthye
n’pasqyrë për
Ju...
SHEGË
Kur e hap shegën,
e kam marak
mos me ia vra
asnji kokërr...
Asht si mos
me vra gjoksin
t’dashtunës
prej përmallimit...
Shega ruen kokrrat n’gji
si e dashtuna pasthirrmat…
Por, pasha
t’madhin Zot,
unë s’muj me e hapë shegën,
pa m’ra nji kokërr n’tokë...
Bash, si s’muj
me ia mledh pasthirrmat
t’dashtunës,
pa i fluturue nji “Oh!”,
si pulbardhë n’qiell...
UNË KAM ME U KTHYE
Unë kam me u kthye
kur t’vijë koha
me mjellë arën,
kur t’vijë dita
me kosit livadhin...
Kosën kam
me ia lyp djalit t’Feridit
e parmendën
kam me ia lyp
t’birit t’Halitit...
I biri i Halitit
ka me e lanë picerinë n’Romë,
e ka me ardhë me m’nihmue
me ngá qetë n’hullí...
Kosa asht ndryshk
n’shashen,
po kam me e mprehë
n’kullë me çekiç t’Aqifit...
Kur t’i kosis livadhet
kostarët kanë me ardhë,
n’upraj për mue,
nje kur t’i ngrefim
mullarët e barit,
si qylafë t’mdhej,
n’krye t’lisave...
Asht me t’u dhimbs kulla jeme
bash pse e lashë vetëm,
i rrshqitën rrasat e çatisë
e filloj me pikue...
Po kem me qitë rrasat e reja
e kem me mlue çatinë apet,
e Rrushja si zanë
ka me na e pjek
nji bukë t’norme n’çerep,
e ka me na e pru
ka nji sapllake me dhallë
e ka nji thmekë gjathë...
Njat dekik,
kur t’a muloj çatinë e kullës
me rrasa t’reja,
ka me dek
Përbindshi i katundit,
ai qi na pat ba mxhi,
me e lanë katundin,
e me gjet parajsën
n’planetin e Askundit...
Si ta shtijmë
n’dhé Përbindshin,
n’vorret e Valxhiut,
kam me iu lut Beharit
me i ra fyllit t’Imer Nelit
n’zabel t’Kodër Rroshes
tue grish bilbilat
me knue ato kangë,
qi për pak i harruem krejt,
e ftyrën qe tue na e mulue
e zeza márre...
Kam me u kthye
me e shti n’dhé
xhenazen e Përbindshit,
e me ik me faqe t’bardhë
prej ksaj Bote...
Kam me ardhë
Kur t’vijë koha
me mjellë arën,
kur t’vijë dita
me kosit livadhin...
MISS VORREZA
Për çdo vjeshtë
vij prej kurbetit
ke vorri i nanës
me u çmallë
e m’u lutë...
Ia kem vu nji foto
kur nana ish e re,
e bukur si zanë.
Mandej i bi
kryq e tërthor vorrezës
e m’deh era e jargavanëve.
Foto t’bukra anekand
burra e gra t’pashme,
shqiptarë ma!
Por, nana, ah nana,
ajo asht Miss Vorreza
e Botës!
Për çdo vjet qi vij
bahem ma i ri,
a thue kam m’u ba fmi
apet me pi
në t’sajin gji?
PENDESA
Kur tjetrin e mori plumbi,
të untë e n’pranga ti heshte,
as unë si ti nuk bzana,
heshta si gjethe vjeshte...
Mëkat’ i heshtjes përbindsh,
Për ty, për mue, gjithnji,
as djall as engjëll nuk je,
Po s’don me ikë pa lavdi...
Nji fjalë pendese e thashë
pa prit unë frym’n e fundit,
n’asht rrasja ti thikën
lavdisë si peng i unit...
Në mos, ka me t’zvarritë
Fama si shtrigë e keqe,
kurrë s'ka me t’lanë n’paqe,
Po s’the nji fjalë pendese...
Se vjen nji ditë për gjithkand,
me la borxh’n e harrimit,
n’daç me shkue n’altar,
me le si Krisht prej flijimit...
METEREOLOGËT THANË...
N’mbramje
metereologët thanë se sot
ka me qenë ditë me Diell,
po sot ra shi litar...
Na jem msue me na rré,
e kem rrenën si ajrin, si ujin
qi pimë,
si kafen e mjesit,
si gjumin e drekës,
si seksin mas darkës...
Kurrkush nuk u çue
me u thanë meteorologëve:
"Pse na rrejtët ditën për Diell?"
M’u desh mue
nji çerek shekulli
me e pa se si
andrra jeme për Liri u tkurr n’zhgullin e përjetshëm t’mbijetesës,
noshta pse unë isha ngi
me rrenat për t’ardhmen e lumtun,
a noshta se rrenat
u banë kibernetike
e unë s’mujta me dallue ma
t’zezën prej t’bardhës
a t’trishtën prej t’gazmendshmes...
Po Liria ç’u ba,
ku hupi?
Gjithnji asht dikush
qi ta shpjegon menunë,
qi ta ban mendjen lamsh n’bankë
me marrë nji kredi,
qi ka me t’barazue me
Bill Gejtsin a Uorren Bafetsin,
dikush qi ta ndalon
me ngranë mishin e kuq,
dhe makaronat,
mos me u ba trashaluq...
Po mue askund
nuk ma kanë zanë sytë
dikend qi kshillon
si me ndalue
ate qi prodhon
dhe ate qi hedh bombat
mbi kryet e fmive...
Druj se me gjakun
e t’pafajshmve,
fryhen kuletat e djajve,
por baj be
se nji poezi si kjo
kurrë s'ka me e shkrue
Intelegjencia Artificiale...
Na jem msue me na rré,
e nje kur t’bahemi gati
me ia pre vetë
kërthizën t’vërtetës,
kllounat kanë
me na marrë zvarrë
për hundësh
si skllevër dixhitalë
n’krematoriumet
e algoritmeve...
N’mbramje
metereologët thanë se sot,
ka me qenë ditë me Diell,
po sot ra shi litar...
© Sami Milloshi



