Ti nuk je Falcone - Tregim nga Sami Milloshi
Salla “Van Gog” e hotelit “Corleone and Company” qe mbushur plot e për plot. Kishte një kureshtje të madhe për romanin “Falcone po vjen në qytetin tone”.
Unë u gjenda aty krejt rastësisht. Po nuk mund të them se nuk kisha kureshtje.
Doja të mësoja nga afër ç’janë këta lexues që i tërheq Falcone në një vend si Zululandi në Ballkan, i pushtuar cep më cep nga Mafia. Ç’është ky autor me guxim kaq të marrë që i ka vënë këtë titull kaq provokues romanit të tij? Dhe, më në fund, desha të di nëse aty mund të ndodhej kritikja e re e artit, Zhozefina Lagreta, ajo që thuhej se e kishte nxitur autorin e romanit t’i hynte aventurës së luftës me Mafian...
Siç bënin të gjithë, edhe unë i dhashë dorën autorit. E urova për romanin. Atij i qeshi fytyra. Pastaj zura vend diku në një qoshe të sallës me një gotë shampanjë në dorë.
- Gëzuar! - i thashë Rexhepit, - një mikut tim të hershëm - do jemi me fat nëse ky libër na e ka sjellë Falconen në qytet.
- E ka bërë një mundim autori, - tha Rexhepi- po nuk do të mund ta takojmë dot Falconen sepse Toto Rina ende është zot i qytetit.
Nuk e zgjata më bisedën me Rexhepin. Na duhej të dëgjonim oratorët që po paraqisnin romanin.
Njëri prej tyre, Agustin Dibra tha:
“Është heroizëm i vërtetë, që në një kohë kur Mafia është sheshit të bësh letërsi. Prandaj le të duartrokasim për romanin që po na vjen në duart tona. Poshtë Mafia, rroftë Falcone, të cilin shkrimtari ynë, ta quajmë Sizifi ynë kundër Mafias, na e ka ngritur nga varri për nevojat tona të ngutshme...”
Shpërthyen duartrokitjet, aq sa u duk se po shembeshin muret e sallës “Van Gog” të mbushur plot e për plot. Duatrokita edhe unë. Agustini tha fjalë me mend.
Pikërisht në këtë çast, ra një si heshtje prej varri. Në hyrjen e sallës “Van Gog” u shfaq një njeri i kollarisur. Sallës iu shtua një aromë dehëse. E çuditshme, deri në atë çast salla kundërmonte erë djersë dhe alkool. Me sa dukej, njeriu që sapo hyri në sallë kishte hedhur tërë shishen e parfumit për të na tërhequr vëmendjen ne të tjerëve.
- Paska hedhur shumë parfum, na shpoi hundët era e parfumit, - i them Rexhepit. - Kush është ky njeri i kollarisur?
- Ky është ai, të cilit i pëlqen të konsiderohet sozia e Falcones së romanit, - tha Rexhepi, në një nga ato përtalljet e tij të zakonshme me zyrtarë shteti.
- Mos u tall! - i thashë duke qeshur.
Pastaj, vërtetë ai që sapo kishte hyrë në sallë na qenkej një zyrtar i lartë i Drejtësisë së Zululandit. Kjo u provua sepse tre katër kameramanë që po filmonin paraqitjen e romanit, u shtynë si të marrë ta filmonin njeriun me kollare dhe të parfumosur rëndshëm.
Njëri prej kameramanëve, desh më theu syzet optike në perpjekjen e tij spektakolare për ta filmuar zyrtarin e lartë të Drejtësisë që u ngul nja tre katër metra në të djathtën time.
- Po ngadalë ore, - i thashë kameramanit - desh më coptove dhe desh më theve syzet. Nuk është Falcone ky, se po të ishte Falcone, Toto Rina do të qe plasur në burg me kohë...
- Më fal! - më tha kameramani - nxitim profesional.
Autori i romanit, me do sy që i shkëlqenin e dëgjoi gjithë bisedën time me kameramanin. Dhe, si për çudi, duke iu drejtuar kameramanit tha:
- Jo, jo, Falcone i romanit tim nuk i ngjan këtij zoterisë që sapo filmove ti. Nuk hedh kurrë parfum mbi fytyrë Falconia im. Vetëm sapun dhe ujë njeh fytyra e tij. Do ta shohësh në roman, po ta lexosh...
Më erdhi mirë. Ndërkaq, me gjithë sa foli autori, mua m’u duk se kisha filluar leximin e romanit të ri “Falcone po vjen në qytetin tone”.
Por, era e fortë e parfumit të njeriut me kollare ende e qelbte sallën “Van Gog”. Dhe unë, duhej të dilja që aty, sepse po më zihej fryma...
© Sami Milloshi



