Krijimtari

Zorzopi - Tregim nga Sami Milloshi

Ma shkatërroi gjithë mëngjesin ky zorzop që e kam përballë në anë të oxhakut me zjarr.

Zakonisht vij këtu mëngjeseve dhe shkruaj. Kur qoshja është e zënë prej të tjerëve, ulem diku gjetkë. Pastaj, kur lirohet zhvendosem pranë zjarrit.

Ky zorzopi gjen një kolltuk bosh dhe pa pyetur hiç nëse mund të ulej, shtriqet sa gjatë gjerë në kolltuk. Vë kafen e tij në tavolinën e vogël dhe i ngul sytë në celularin e tij.

Nuk thotë as “mirmëngjes”, asgjë prej gjëje. Për të njeriu përballë, nuk ka pikë interesi. Ai është i paqenë, nuk ekziston. Domethënë për të unë nuk ekzistoj dhe kjo natyrisht është bezdisëse.

Hapësira e përbashkët, oxhaku pranë zjarrit, bëhet dhunshëm vetëm e tija. Ndonjë çast, dukshëm pa vetëdijen e tij, prej celularit të tij bubullon zhurmë. Nuk do t'ia dijë që për mua që shkruaj zhurma është fatale.

Përqëndrohem pak në portretin e tij. Një kokë me kaçurrela të thinjura. Me këmishë të pambërthyer, i duken palët e barkut jashtë dhe kjo është e neveritshme. Kafen me akull nuk e ka prekur fare për pothuaj gjysmë ore...

Ç’është ky njeri, pyes veten? Ky mund të jetë gjithçka, mund të jetë milioner. Por, nuk besoj se është dikushi që do të doja ta kisha komshi, dikushi që do të doja ta kisha bashkëpunëtor në qendrën time të punës, apo larg qoftë bashkëluftëtar në frontin e luftës. Ky të sheh që ke marrë plagë dhe as që do t’ia dijë nëse je gjallë apo nëse mund t’i vdesësh para syve...

Ngrihet. Shkon tek kioska e vetëshërbimit online dhe porosit një pastë. E shoh se si e ngroh pastën në mikrovalë. Pastaj vjen ta hajë. Por sytë i ka te celulari. Pi nja dy gllënka kafeje të ftohtë.

Ai nuk e di që unë po shkruaj lëvizjet e tij, a thua se kam rastin të kem përballë presidentin e vendit dhe se fiksimi i çdo lëvizjeje të tij merr vlerë historike.

Dhe ja, vjen edhe çasti kur hapësira që ai, zorzopi, e pushtoi dhunshëm duke e bërë të vetën, të shndërrohet në hapësirë të përbashkët.

Ai bën një pordhë. Të qelbët sigurisht.

Për të parën herë, pas me shumë se një orë e gjysmë, zorzopi kujtohet se përballë kishte një njeri. Thotë:

- Më fal, zotni, - kam pasur ca probleme me aparatin tretës.

- Gjëra që ndodhin, zotni, - i them - Por, me thënë të drejtën ti je pak vonë për të kërkuar të falur. Sepse ti as thjesht për mirësjellje, nuk kërkove leje të uleshe këtu me mua dhe po ta kërkoje lejen, unë sigurisht do ta jepja. Se oxhaku nuk është i imi, është i kompanisë “Panera Bread” që ka kafenenë që e vizitojmë ti e unë.

- Më fal! - tha prapë zorzopi.

- E di çfarë, - i thashë - nuk u bë qameti, nuk është fundi i Botës. Ka raste që pjerdh edhe unë. Ajo që desha të të them unë ty është se ne të dy mund të ishim marrë vesh me njëri-tjetrin para se ti të pirdhje. Dhe kjo nuk na kushtonte asgjë, as ty dhe as mua. Tani na kushton të dyve se të dy jemi të detyruar ta nuhasim erën e qelbët të pordhës tënde...

Zorzopi heshti.

U ngrit e iku pa thënë as lamtumirë...

© Sami Milloshi