E dashura ime është një pemë - Tregim nga Sami Milloshi
Kompania jonë “Two men and a truck” nuk është ndonjë kompani e madhe, të thuash me famë. Por, ka nja katër vjet që më duket e ka kapur demin për brirësh: po ngulmon me e paraqitë veten me një pamje të re.
Gjithë çfarë ka ndodhur lidhet me ne që punojmë për “Two men and a truck”. Ata që e udhëheqin kompaninë janë shumë të përkushtuar të zbulojnë diçka që nuk e dinin më parë për secilin nga ne. Thonë se duan të shpojnë thellë e më thellë në zona të fshehura të talenteve tona. Sepse ata, sikurse thonë, sa më mirë t'i zbulojnë talentet tona, aq më shumë mund të rriteshin edhe përfitimet e kompanisë.
Kohët e fundit, ndër të tjera, po gërmojnë thellë e më thellë në atë që shkencëtarët e quajnë identiteti seksual. Midis nja pesëdhjetë pyetjeve të një sondazhi, të cilit duhej t'i përgjigjeshim, ishte edhe një pyetje për identitetin seksual.
O Zot, po kjo hata e zezë?! Ç’u hyn në punë identiteti ynë seksual udhëheqësve të lavdishëm të kompanisë, thashë unë me vete. Për çfar iu duhet? Ne jemi nje kompani modeste, sikurse e shihni edhe nga emri “Two men and a truck”. Ne thjesht merremi me transportin e mobiljeve nga një shtëpi në tjetrën, kur njerëzit ndërrojnë shtepinë. Kaq. Me fjalë edhe më thjeshta ne jemi hamallë mobiljesh. Por, na duhet të dimë edhe të ngasim makinën, truck-un tonë, se me krahë nuk i zhvendosim dot mobiljet, të themi nga Alabama në Colorado...
I them Charlit, me të cilin ngas truck-un:
- O Charli, pash Zotin pse na pyesin ne për identitetin seksual?
- Po ku e di unë o tarallak, - unë di se sa jam bërë kaq, burrë kam qenë dhe jam dhe në shtrat vetëm me gra kam fjetur.
- Edhe unë, - i them Charlit.
- E po atëhere rri rehat, e mos na çaj trapin. Ti kërkon t’i dish të gjitha në këtë botë. Nuk është e thënë t’i dish të gjitha.
- Charli, kuriozitetin e kam të trashëguar nga gjyshja, - i them. - Ajo, ishte të thuash me termat e sotme, biznesmen i klasit të parë. Bashkëkohëse e Anshtajnit.
- E po pastaj?
- Gjyshja kishte arritur rrëzë malit të Dejës t’i bënte nja dyqind krerë dele. Qe koha kur Anshtajni kishte zbuluar atë teorinë e relativitetit dhe asaj i kishte vajtur ndër mend se po ta mësonte atë teori, mund t’i shtonte dhe të bënte katërqind dele.
- E paska pasur një dërrasë mangut gjyshja jote, - thotë Charli. Dhe shton: - Njësoj si këta udhëheqesit e kompanisë sonë që na pyesin për identitetin tonë seksual. Pastaj, në fund të fundit, ne kemi dhjetë vjet a më shumë qëkurse punojmë në këtë kompani. Kur u punësove ti të pyeti kush ty, çfar je burrë apo grua?
- Jo, - i thashë, - kurrkush nuk me pyeti. Mua më punësoi zonja Katie. Nuk e mbaj mend të ma ketë bërë atë pyetje. Sepse, po të ma kishte bërë edhe unë do t’i kisha bërë një pyetje: Ty a po të kruhet apo do të më punësosh mua si hamall?
- Mos m’u hiq aq trim mua, se nuk ia bëje dot atë pyetje zonjës Katie, se pastaj një lesh e merrje vendin e punës. Është pak a shumë si sot që në vend që të kërkosh shpjegim nga udhëheqësit e kompanisë për pyetjet e sondazhit, më pyet mua. Një kokërr frikacaku je, prandaj mos m’u hiq mua hero si Navalny që vdiq në Siberi...
- O Charli, je njësh per Zotin, - i them unë. - E di ti se pyetja per identitetin seksual kishte plot dhjetë mundësi të përgjigjeshe?
- Jo, - thotë Charli. - Dy mundësi do të mjaftonin: burrë apo grua.
- Por, jo Charli, - kanë vënë dhjetë
- Shif, shif, - thotë Charli, - paskan rrjedhur fare. Dashkan të gjejnë ujë në shkretërirë. Pa hë një herë më trego diçka...
- Ti ke mundësi të përgjigjesh se je burrë, se je grua, se je me gjini të ndërruar me operacion, se je në atë gjini që të ka shkruar doktori në letër kur je lindur në maternitet, se ti nuk ke gjini fare, sepse sipas teje gjinia nuk ekziston, ti mund të thuash se nuk je as burrë, as grua, ose ti mund të thuash se gjinia jote nuk është e përcaktuar në mënyrë përfundimtare dhe se ajo mund të ndryshojë nga dita në ditë...
- Bah, - ofshani Charli, - ma bëre kokën dhallë, asgjë nuk mora vesh...
- Por ti mos e çaj kryet hiç o brother, - i thashë unë, - udhëheqësit e kompanisë na kanë dhënë edhe tre mundësi të tjera të përgjigjemi.
- E cilat na qenkan këto?
- E para është se ti nuk je i sigurtë se nga dhjetë mundësi, cilën të zgjedhësh. Pastaj është mundësia që ti preferon të mos përgjigjesh fare. Dhe mundësia e fundit është që ti të shkruash: “Është diçka tjetër”. E more vesh tani, apo jo?
- Unë nuk jam skuth të mos përgjigjem, - thotë Charli, - unë do zgjedh mundësinë e pare, burrë. Po ti?
- Ti dyshon nëse edhe unë jam burrë si ti? Si i bëra unë, domethënë si i bëri gruaja ime, dy femijët e mi, kështu thjesht duke medituar si Ramazani i Hetemit?
- Unë nuk e dyshoj, po varet se si do përgjigjesh ti, se siç ta thashë, trim si Navalny të shkosh në grykën e ujkut me këmbët e tua, hiqe mendsh, se ti nuk je.
- Nuk jam, Charli, nuk jam.
- Po hë pra, si do përgjigjesh?
- Unë do zgjedh mundësinë e fundit, atë të dhjetën, atë që më jep mundësinë të shkruaj: “Është diçka tjetër”.
- Shih, shih, ti prapë nuk do që ta shprehësh atë që mendon, duke e lënë si diçka në formë mjegulle. Bravo, bravo, nuk ke për ta humbur vendin e punës së hamallit. Por, të paktën ma thuaj mua në vesh, se çfarë ke parasysh me atë “është diçka tjetër”?
- Charli, kam filluar të bie në dashuri me pemët e pyllit. Është jashtëzakonisht eksituese Charli...
© Sami Milloshi



