N’Klub t’Milotit qajnë hallet e Botës - Tregim nga Sami Milloshi
Asht ba hall kombtar nji sherr qi paska ba nipi i mretit me gruen e tij qi po don me e da. Edhe n'Klub t’Milotit ka plas muhabeti, thue ti qi njerëzit nuk kanë punë tjetër, as hall pune, as hall buke, veç hallin e nipit t'mretit.
Shpijat janë boshatis krejt se rinia ia ka msy gomoneve me shku n’Itali e n’Angli. Por n’Klub t’Milotit kurrkush nuk bzan për këto halle. Halli i vetëm asht çka ka ba vaki n’pallatin e mretit.
Askush nuk i jep dum si me ia ba me e shue kët sherrnajë. Po veç kur te dera e klubit u duk Nuja, atëhere leu nji grimë shpresë se noshta ka me u zgjidhë halli i nipit t'mretit.
Nuja asht i knuem, ka ba shkollë. Nuja ka shetitë botë. Jo mor, jo veç ka shetitë, por Nuja jeton, si po thonë si agá, n'Belgjikë.
Kur vjen Nuja n’Klub t’Milotit, i përmalluem për Milotin, ne na çelet çehrja. Se Nuja na i thotë tana t’rejat e Botës me nji gjuhë kaq të thjeshtë. Sa, thue ti, Nuja kurrë nuk e ka lanë Oroshin e asht halá tue vallue dhitë me i kullotë n’dushknajë rrazë malit.
Tha Nuja:
- Kur mreti largohet me vullnetin e vet, don me thanë qi ai e ka lanë me dëshirë fronin. Kjo historia e nipit asht prrallë me mret. Asht mirë me e harrue krejt. Nipi i mretit ban mirë me e ulë kryet e me jetue si gjithë dynjaja. Ai u ba horë krejt, ordiner má, skandaloz tue ba sherr me nji grue...
- Eu or Nue, pasha Zotin shyqyr qi na skjarove kaq hollë kët punë - tha Toma.
Mandej Toma ma luejti synin mue. Ç’asht e vërteta Toma e njef Nuen dhamë e dhmallë.
Tha Toma:
- Or Nue, po nipi i mretit thjesht don me e da gruen e tij, për arsye qi i din veç ai, siç e dan shumëkush n’kët dynja. Siç e ke da edhe ti, mor burrë, apo nuk asht kshtu?
Nuja mrroli ftyrën se, bash nuk e priti prej Tomës me i dalë n’at shteg.
- Po more, e kam da e kjo nuk asht punë për ty, asht puna jeme.
- Po pra njaté jam tue thanë edhe unë - iu gjegj Toma - asht puna e t'nipit mretit çka ban me gruen e tij. E pse, simas teje, nipi i mretit qenka tue u ba horë, e ti jo?
Nuja bash u zverdh krejt prej fjalëve të Tomës. Toma e paska dijtë mirë se Nuja e la gruen e tij, nji zonjë e nderueme n’katund. E la për nji zogë të re sa gjysma e moshës së vet, e tash po dashka me i dhanë mend t’nipit mretit çka me ba me nusen e vet...
Toma e Nuja e nxenë ashpër shamatën. Hidh njani e hidh tjetri benzinë n’bisedë. Bash m’u duk se janë tue u përla me grushta me njani-tjetrin.
Por jo, Nuja e msheli gojën. E la kafen pa pi n’filxhan. Mori kapelen republike qi e pat hjek prej kreje dhe bani me dalë prej Klubit t’Milotit. M’u duk se Nuja ia msyu shkallëve t’avionit me u kthye n’Belgjikë...
Tue e pa Nuen n'dalje t’Klubit t’Milotit, Maria, kafexhia e famshme qi deri n’at dekik nuk i ishte nigjue zani, tha:
- Burri asht çatia e shpisë, po n’kjoftë çati llamarine duhet me e gozhdue mirë. Se, sa herë t’fryjë era e Milotit e çon fill n’oborrin e komshijes...
- Na nuk bajm hajr - se nuk qajmë hallet e Milotit, po hallet e t'nipit mretit - tha Toma.
Unë heshta. Nuk pata çka me thanë...
© Sami Milloshi



