Kaq e largët kjo ditë e nesërme - Nga Kristaq Turtulli
1.
Thur e shthur Nëna pëlhurën e qiellit të shpresës,
për ditën e nesërme
shpinë kërrusur në avlëmendin e ëndrrës.
Nënës i thahet pipëza për ujë,
njom shaminë e hirtë në govatën vezake të hënës,
në gropëzën e gjoksit fshin pellgoren e djersës,
rënkon dhe me vete thotë:
Kaq e largët kjo ditë e nesërme për bijat dhe bijtë?!
2.
Ngado ndjehet pasiguria për ditën e nesërme,
është tharë në gotën e ujit të jetës fjala e sinqertë.
Nënës kurrizi i ka dalë, bërë kosore
nga vitet, pesha e rëndë e mundimeve,
mendësive, çmendurive, plëngprishësve.
Epshit të pangopur të politikave dhe prostitutave.
Ah, kjo ditë e largët e nesërme!
3.
Nëna sheh të mbathurat e pista të injorancës
varur në çengelin e ndryshkur te errësirës.
Hap dyer, dritare të largojë erën e keqe,
prapëseprapë era është mbytëse...
4.
Nëna e di fort mirë;
Nuk qenka e lehtë,
të shkulet virusi i nostalgjive dhe shurdhërive.
Çfarë vargoj e mbajnë të lidhur ditën e nesërme?!
Trishtueshëm sheh Nëna, ronitjen e brezit të lëkurtë,
ku dikur mbante fshehur dy kobure për armiqtë,
uratën shekullore për bijtë.
Vit pas viti i bëhen brima në brezin e lëkurtë.
Shigjeta te nxehta zhuritin zemrën e lodhur të nënosë.
Stërmundim dhe përçapje përgjatë ngjitjes në malin e shenjtë.
Si Moisiu, të gjejë, të sjellë të Zotit dhjetë porositë.
Të zbardhë, të ndriçojë dita e nesërme!
5.
Në sqepin e lejlekut plak qëndron varur ëndrra.
Midis dy brigjeve të urës lëvizëse dënesen fëmijë në pelena.
Është gërryer djepi shekullor nga mola.
Kudo ikje...
Po shkretohen, zhduken fshatra,
qytetet zvogëlohen, po bëhen sa një lëvozhge are.
Poshtë dergjen shkëmbinj të thiktë gremine,
nën meloditë e djeshme, të çakorduara, stërthëna.
U mbyt pa lindur dita e nesërme!
6.
Përsëri e përsëri, Nëna thur e shthur në tezgjahun e ëndrrës,
pëlhurën e qiellit kaltërosh të shpresës.
Nëna e di mirë, duhet të krijohet një këngë e re,
një himn, një perlë!
Në tokë të hidhen themele të reja,
për të shenjtën ditë të nesërme.
7.
Tetëdhjetë e ca vite të turbullta,
Me ulje ngritje, dhunë, trazira, naivitete, pasione të zvargura.
Duhen lënë prapa, të shkulen nga toka tre gurë të rëndë,
të hidhen prapa, në humnerë, ku zbardhin eshtra dhe kokalla,.
Shushunjat thithin gjak në ujërat e turbullta,
atje, tualetin e ballos së zakonshme të shtrigave, tjerr enigma.
8.
Nënës nga puna në avlëmend i dhembin krahët, është sëmurë,
nuk ka para të paguajë nën dorë doktorë.
Ah, kjo e nesërme do vijë një ditë!
Nëna gjithnjë pëshpërit me vete:
Bijtë e mi poetë, intelektualë të mplakur janë vallë?!
Mjekrën mbështetur mbi pëllëmbë, dremitin udhëkryqeve,
rrahin ujë në hava në varkat e konsumuara të kurbeteve.
Nuk kanë bojë të shkruajnë, as letër, as penë,
të projektojnë një godinë të re të nesërme?!
Bijtë dhe bijat duhet të kthehen, të lartojnë vatanë,
mjaft për të tjerët punojnë,
të sjellin ditën e nesërme pranë!
Nëna të përfundojë të kaltrën pëlhurë të shpresës së mirë,
për të shtrenjtën të nesërme Ditë!
© Kristaq Turtulli



