Krijimtari

Tempulli - Nga Vangjush Ziko

Tradita e lashtë na thotë se njerëzit kur nguleshin për të jetuar në një vend, të parin ndërtonin tempullin, ku ata u faleshin idhujve apo zotave të tyre. Komunitetet e ardhura në këtë vend, i cili i njeh dhe i respekton besimet fetare, me të mbërritur, përpiqen të ngrenë sa më parë tempullin e tyre.

Përbri kryqëzimit të dy prej rrugëve të qytetit sapo përfundoi së ndërtuari një kishë ortodokse. Ditën e shenjtërimit të saj dhe fillimit të ceremonive fetare, sheshi i vogël përbri saj u mbush përplot me vetura. Kisha ishte jo shumë e madhe. Atë e bënin edhe më të vogël pallatet e larta, që ngriheshin prapa saj. Ajo ishte mbushur plot me besimtarë gjer te dera e hyrjes. Njerëzit ishin veshur me rrobat e tyre më të mira, si pleqtë e të rinjtë, po kështu edhe fëmijët, nga më të vegjëlit, gjer te më të rriturit. Gratë e moshuara dhe nuset e reja, sipas zakonit të besimit të tyre, i kishin mbuluar flokët me shami ngjyra-ngjyra.

Si ata, që ishin ulur në fronat e gjatë dhe ata që qëndronin më këmbë, dëgjonin në heshtje me një përqëndrim të veçantë predikimet e priftit të ri në moshë edhe ky i ardhur në emigrim bashkë me ta. Portretet e pikturuara të apostujve dhe të shënjtorëve vështronin qetë dhe me përdëllim nga muret rreth e rrotull, sikur të kishin zbritur atë çast nga qielli për të qenë dëshmitarë në këtë besëlidhje të njerëzve me Atin e Tërëpushtetshëm. Me dorën e tyre të ngritur për bekim dhe me ungjillin e artë në dorë u kumtonin në heshtje për gëzimet dhe për shqetësimet e kësaj bote, që në emigrim kanë një peshë tjetër, jo të lehtë dhe jo efemere.

Në pangarët në hyrje të kishës digjeshin qetë me dritën e tyre të kulluar qirinjtë e ndezur për të gjallët dhe për shpirtrat e atyre që prehen në qiell.

Problemet dhe hallet e emigrimit kishin mbetur jashtë atyre mureve të shenjta. Njerëzit bisedonin me Zotin dhe i luteshin t’ua lehtësonte jetën. Mëkatet e tyre i kishin vënë në këmbët e altarit dhe i luteshin me gjithë shpirt që t’ua falte. Shumë prej tyre ishin akoma në apartamente me qira, apo kishin blerë shtëpi, por morgixhet (borxhet) nuk i kishin larë ende. Ata hoqën me dëshirë nga paga e tyre e përditshme një pjesë të të ardhurave të fituara me mund dhe me djersë dhe e derdhën në ato themele që të lartësohej Shtëpia e Shenjtë e Zotit.

Nën kupolën e pikturuar, mes aromës qetësuese të temjanit, që depërtonte si balsam në shpirtin e tyre, ndiheshin më të lehtë dhe më të pastër, siç ishin efemerë trupat e shënjtorëve dhe të apostujve. Njerëzit ndienin frymëmarrjen e qetë të njëri-tjetrit, dëgjonin fjalën e ungjillit të shenjtë në gjuhën e tyre dhe u dukej për një çast se nuk kishin emigruar, se ishin akoma në fshatin apo në qytetin e tyre të lindjes. Mallëngjimi dhe përdëllimi i rrëmbushte me lotë sytë e tyre të menduar. Ata e ndienin veten më të sigurtë e më optimistë për këtë jetë, që kishin filluar në dhé të huaj, sepse me ta ishte Zoti i tyre, të cilit ata i besonin secili sipas mënyrës së vet.

Atje kishte edhe nga ata që kushedi që kur nuk kishin vajtur në kishë në vendin e tyre, por Zotin nuk e kishin harruar ose e kujtuan këtu në mërgim. Zoti ka zemër të gjerë, ai u fal mëkatet edhe atyre që, përkohësisht mund ta harrojnë. Të gjithë sot ndiheshin të gëzuar. Ata kishin tani tempullin ku të luteshin, ku të pagëzonin pjellat e tyre, ku të vinin kurorë dhe ku të këndoheshin për lamtumirën e përjetshme nga kjo tokë, nga njerëzit e dashur.

Qyteti i huaj mikpritës tashi ishte bërë edhe më shumë qyteti i tyre.

© Vangjush Ziko