Dy poezi për vete - Nga Vangjush Ziko
FRYMËZIMI
Diellin e di nga lind edhe kur lind,
Hëna kur hahet a kur mbushet,
Drit' e frymëzimit nuk e di
Në ç'çast të ditënatës më zë ushe,
Nga vjen drita e tij e nga buron.
Mua më bën foshnj' e plak të çartur,
Mjalt' e vrer nga pena më pikon
Në rrokjet dhe në tingujt tim të vargut.
Nuk dua as ta tremb, as ta përze,
Fytyr' e tij në timet vargjet shfaqet.
Në zemër a në plagë bën fole.
Këtë s'e di e s'dua ta di fare.
SIRENAT
Kur lexoj shpesh tjetër poet,
I them vetes më nuk do shkruaj.
Letra më bëhet dallg' e det
Dhe vargu varkë e copëtuar.
Më duket vetja Robinson
Flakur nga tok' e Poezisë,
Por muza heshtur më qorton,
Ma platit zjarrin e zilisë.
Ma qep me flokët e saj varkën
Dhe me rrëshirë të re ma lyen,
Ma mbush me lëngun e ri vargun,
Kalemn' e thyer ma bën fyell.
Rinis lundrimin përsëri,
Tendosen velat e poemave.
Nuk i zë veshët me dyll' të zi,
Le t'i zënë veshët sirenat!
© Vangjush Ziko (Nga vëllimi “Monologu i Ajzbergut” 2010)



