Krijimtari

Sende dhe njerëz - Tregim nga Sami Milloshi

Ajo shqetësohej për njerëzit. Ai shqetësohej për sendet.

Ishin shtrirë në krevat dhe po bisedonin. Siç kishin biseduar për tridhjetë vjet qëkurse ishin martuar.  

Tha ajo:

“Më duket se vajza shkon të shkërdhehet me djem e, edhe me burra të martuar nëpër lagje.”

Ai, sikur të mos e kishte dëgjuar ç’i tha e shoqja, u përgjigj:

“Shkallët e verandës që kemi pas në kopësht, janë kalbur. Dikush, ka mundësi të ngjitet në ato shkallë dhe, një ditë prej ditësh, të rrëzohet dhe të thyejë qafën...”

Kështu kishin biseduar ata edhe para se t’u lindtte vajza.

Ajo donte të kishin një femijë, femijën e parë. Por, ai thoshte se çatia e shtëpisë pikonte, se frenat e makinës së tij ulërinin si ujqit në pyll...

Por vajza u lind, shyqyr Zotit, tre kilogramë e gjysmë. Ajo i ankohej se “nuk po ha mjaftueshëm”. Ai thoshte se “sistemi i ngrohjes ishte aq i vjetër, sa ndoshta këtë dimër do dridhemi nga të ftohtit...”

Por vajza rritej. Ajo thoshte se “...shoqet dhe shokët e saj janë harrakatë” dhe se “...ku i ze dita nuk i ze nata...”

Ai thoshte se “...boileri i ujit të ngrohtë ka filluar të ndryshket dhe duhet ndërruar...”

Pastaj u lind edhe djali. Edhe ai ishte në bisedat e tyre kur shtriheshin në krevat. U solli edhe ai shqetësimet e tij. Por ata e rrethuan dhe e pështollën me përkëdhelje. I bënë vend në tryezën e ngrënies, e çuan në kopësht të fëmijëve, në shkollë private dhe, më në fund edhe në kolegj.

Por djali, edhe ai pothuaj në gjithçka dështoi. Dhe, afërmendsh, pas çdo dështimi ai kthehej në atë shtëpi me çati të vjetër. Por ata e donin edhe pse dështonte. Ishte djali i tyre...

“Mbrëmë pata rastin të lexoj ditarin e saj”, tha ajo. Pastaj vazhdoi: “Vajza merr drogë. Ajo vazhdon të shkërdhehet rrotull lagjes...”

Tha ai:

“Dorëzohem. Këtë shtëpi karakatinë, nuk mund ta ndreq vetëm. Duhen disa ustallarë. Në mos disa, së paku një usta i vetëm që të më ndihmojë mua...”

E kështu kaluan vite.

Vajza u martua me dikë që e kishte dashur që kur ishin në gjimnaz. E krijoi familjen e saj. Madje, burrë e grua e hapën edhe një dyqan të vogël me perime organike në një qytet larg shtëpisë ku u lind.

Por, megjithëse e kujtonte fëmijërinë e saj me mall, siç e kujton çdokush, megjithëse i vinin ndër mend sa të mirë ishin treguar me të prindërit e saj, sa shumë ishin merakosur për të, megjithëse e përfytyronte se si ata po plakeshin e po bëheshin për ditë e më të dobët, megjithëse e merrte me mend se shtëpia ku u lind vazhdonte të kalbej drejt shembjes, megjithatë, ajo tepër rrallë ua bëri ndonjë telefonatë. Dhe, për më tepër, edhe më rrallë, thuajse për mall, i vizitoi...

Ajo tashmë kishte hallet e veta...

© Sami Milloshi