Natë pa hënë - Tregim nga Sami Milloshi
Ne po bënim sherr gjithnjë e më shumë kohët e fundit. Ose ndoshta sherri na ishte bërë kaq i zakonshëm, sa ne nuk e vinim re, na ishte bërë si kafja e mëngjesit në rutinajën tonë të përditshme.
Ishim duke u kthyer nga minimarketi “Stop and shop” në qosh të rrugës. Ishte errët, hënë nuk kishte. Në këtë errësirë shtëpitë e lagjes dukeshin çuditërisht edhe më të mëdha se ç’ishin. Ishte e pamundur t'i kujtoje për fytyrë fqinjët që i shquaje ditën.
Unë po sillja ndër mend një drekë familjare që patëm në fillim të javës kur ne u grindëm për një qese të madhe me patatina të kripura. Atë qese me patatina unë e futa në karrocën e vogël të supermarketit. Ajo, sapo e pa që unë doja ta blija, zgjati dorën e djathtë, e tërhoqi qesen brutalisht dhe e ktheu sërish në raft.
- Unë nuk dua që ti të blesh më plehra të tilla! - tha ajo.
- O Zot i madh! - i thashë unë duke e kthyer karrocën në raftet djathtas, një radhë më poshtë. - Çfarë kujton se je moj ti, mos të duket vetja se je nëna ime? Jo moj, të bëj be për atë Zot, nuk je. Nëna ime ka kohë që ka fluturuar në qiell...
Ajo heshti, nuk tha asnjë fjalë.
Këto përplasje të vogla stërholloheshin për ditë duke u bërë edhe më të tharta në thartësirën tonë të padukshme. Ndonjë herë bëheshin si ajo uthulla që, për shkakun e thartësisë, thyen edhe enën e vet...
Unë isha i zhytur në këto përplasje për ditë të tëra, duke e ripërsëritur me veten time çdo imtësi dhe çdo ngjyrë a tingull të fjalëve që ajo më thoshte. Mendja ime rrotullohej rreth këtyre përplasjeve, siç rrotullohet gjuha te ai dhëmbi që dhemb. Ai dhëmb që as e ke mbushur ende tek dentisti e, as ke shkuar te ai që të ta shkulë fare...
Dhe, ndërsa ne po ecnim në atë rrugë të shkretë pa asnjë njeri, në atë natë pus të thellë, më shkoi mendja se si mund të ishte jeta ime po të jetoja si beqar. Të jetoja i vetmuar dhe të shijoja përsëri gjithë atë liri që kisha humbur në vite. Edhe vetëm ideja e ndarjes, pra unë me hapësirën time, me kohën time, me vendimet e mia, më dha, të them të drejtën, jo pak kënaqësi.
Por, sërish, afërmendsh, më gërricën në lëkurë, edhe disa hamendësime të tjera. Ato, doemos lidheshin me blerjen ose ndoshta me marrjen me qira të një shtëpie tjetër, me blerjen e një makine tjetër, me hapjen e një llogarie të re bankare, e të tjera jovogëlsira të kësaj natyre. Po, tek e mbramja, pyetja më e vështirë që më mundonte ishte: a kishte ndonjë arsye për të qenë, bindëse, si të them, të qëndronim përsëri bashkë?!
Ndërsa po e vrisja mendjen për gjëra të tilla, dëgjova një përplasje këmbe ngjitur nesh në errësirë. Një njeri pas meje, me një shishe me koka-kola, sikur të dilte nga ndonjë grykë shpelle, ma vërviti gjithë lëngun e koka-kolës në fytyrë. Në çast, më bëri pothuaj të verbër. Syzat optike më ranë për tokë dhe këmisha e bardhë u bë për faqe të zezë...
- Hej! - ulëriti ai njeriu që u shfaq aty si një djall i padukshëm.
Pastaj silueta e tij e errët më ktheu shpinën pas në qoshe të rrugës.
“Unë i urrej njerëzit e martuar. E urrej çiftin!”, bërtiti ai me zë të lartë dhe u zhduk si hije.
Sikur më ra të fikët dhe mezi po merrja frymë.
- Çfarë ishte gjithë kjo, o Zot i madh? - thashë me vete, duke fshirë nga sytë dhe nga faqet lëngun e koka-kolës me një pecetë letre që m’u ndodh në xhep.
Ajo heshti, nuk nxorri asnjë fjalë në çastet e para. Por, si u mendua pak, pastaj tha se “unë e kam parë atë njeri kohë më pare”.
- E kam parë ditën në supermarket. Ai mban një kapele kaubojsi, por unë gjithnjë kam menduar se ai njeri i heshtur nuk i bën dëm kurrkujt, e jo më të trembë dikë kështu në mënyrë të tmerrshme si sonte...
- Ruajna Zot, Po atëhere, ç'është kjo? - shtova unë
- Të jetë dhunë? - pyeti me drojë ajo.
Tha pikërisht atë fjalë, e cila për çudi edhe mua, më erdhi së pari ndër mend. M’u duk sikur më pyeti nëse isha i një mendjeje me të.
- Po, dhunë është! - thashë unë.
Nuk e di nëse ne duhet ta raportojmë apo jo atë diku. Nuk do të ishte keq t’i paralajmërojmë edhe fqinjët tanë në lagje për atë njeri. Edhe ata është mirë të dinë diçka për gjithë ç’na panë sytë. Dhe, mbi të gjitha, të mbyllim mirë me kyç derën tonë...
Më në fund arritëm në qoshen tonë. Pranë shtëpisë.
Nën fashat e dritave të rrugës, fytyra e saj dukej krejt e qetë e plot mirësi. Unë i hodha dorën krahaqafë dhe e tërhoqa nga vetja.
Me ngadalë, pak e lodhur, por e sigurtë, edhe ajo bëri të njejtën gjë. Ma hodhi dorën e saj krahaqafë dhe u ngjit edhe më fort pas meje...
© Sami Milloshi



