Do vdes i bukur - Tregim nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto
Në takimin tonë të përjavshëm të së dielës që e kishim pagëzuar si “kafe e kujtimeve”, ai u shfaq me një fytyrë të vrarë, sikur ishin shkruar me të zëzë gjithë hallet e botës.
Edhe flokët e reja fringo që sapo i kishte mbjellë në një klinikë në Turqi, që i mbulonin majën e zhveshur të kokës, i ishin ngritur si gjëmba. Ai qe gjithmonë i qeshur e gjithë energji, ndaj më bëri përshtypje fytyra e tij e zymtë. Kisha pesë vjet që e njihja dhe si dy të huaj në një vend të ftohtë e të largët, mblidheshim bashkë të dielave duke folur më së shumti për kujtimet e vendlindjes.
Sapo i kishte shkelur të 38-tat, por dukej shumë më i ri. Portreti i gdhendur si me daltë skulptori dhe trupi muskuloz e i drejtë prej atleti, i jepnin pamjen e një djaloshi. Ishte si magnet për femrat dhe ai si një beduin, rrugëtonte në shkretëtirën e aventurave.
-Pse nuk martohesh, - e ngacmoja unë?
-Jam si bleta që shëtit lule më lule për të prodhuar mjaltin. Kur të prek të 40-tat do kem prodhuar mjaltin tim dhe do t’i them lamtumirë beqarisë, - më thoshte.
-Po bleta shëtit dhe prodhon mjaltë të ëmbël, kurse mjalti yt është i hidhur e ndonjëherë mund të shkaktojë edhe drama, - e qësëndisja.
Kohët e fundit qe ndarë nga Marysia, një vajzë e re me prejardhje polake, e bukur si hënë vjeshte.
Truphollë e sykaltër si skulpturë fildishi, por unë e vlerësoja për sinqeritetin e saj. Ndarjen nga Mikeli e përjetoi keq, madje kërkoi edhe ndihmën time për t’u rikthyer me të. Por unë që ia njihja mirë karakterin e tij altruist e pasionant, po prisja momentin e duhur për t’i thënë se kishte humbur diçka që ndoshta kurrë nuk do ta gjente më në jetë. Gjërat po i shkonin mbarë dhe pas disa punëve të rëndomta, qe punësuar në zyrat e imigracionit.
-Çfarë ke kështu? Duket sikur të janë mbytur gjemitë!
-Më janë mbytur vërtetë, - ma ktheu i përhumbur. Sapo mora përgjigjen e kolonoskopisë... kam kancer të rektumit, - më tha mjeku.
Fjalët e tij, sikur rrokullisën mbi mua një masë të madhe gurësh. Kishte disa muaj që ankohej për probleme me jashtëqitjen, por mjeku i familjes i tha se s’kishte ndonjë gjë serioze, duke e këshilluar të hiqte dorë nga alkooli.
Nuk po gjeja fjalë për ta qetësuar, ndërsa fillova të dridhesha sikur po frynte acar. Pas një jave i shkova për vizitë në spital. Sytë i kishte të përhumbur, por nga trupi mbahej mirë. Një mjek i ri në hyri dhe po i shpjegonte përgjigjet e skanerit.
Metastazat i kishin prekur mëlçinë dhe nëse nuk fillonte kimio-terapinë, nuk kishte më shumë se një vit jetë. Ndërsa me terapi do mund të zgjaste deri në pesë vite. Terapia do frenonte avancimin e shpejtë të metastazave të mortjes, por do kishte pasoja të shumta. Nga rënia e thonjve e flokëve, humbjen e masës trupore dhe kockore, ethe dhe temperaturë të lartë.
-Më duket vetja si një i ardhur me leje nga bota e përtejme. Leje që do zgjasë nga një deri në pesë vite. Nuk di se çfarë duhet të bëj... terapia do më japë shumë pak dhe do iki i shpërfytyruar nga kjo botë.
-Ndoshta duhet të fillosh terapinë, ku i dihet ç’mund të ndodhë pas katër apo pesë viteve. Ndoshta mjekësia mund të bëjë mrekullira, - i thashë për t’i dhënë kurajo.
-Shpresa vdes e fundit... po për të sëmurët e pashpresë, vdes e para, - më tha dhe më hodhi një vështrim të akullt.
Marysia-s ia thashë lajmin e hidhur. Nuk mund t’ia fshehja. Ajo filloi të qante e të dridhej kaq shumë, sa u pendova që i thashë të vërtetën. M’u lut ta ndihmoja ta takonte, ndoshta për të fundit herë, pasi ai i kish bllokuar thirrjet telefonike dhe nuk banonte më në adresën e dikurshme. Vrava mëndjen dhe e gjeta një zgjidhje. Të dielën e çova Mikelin në “High Par” për të shëtitur. E dija që ai e pëlqente atë vend.
Po ecnim nën hijën e lisave të moçëm, ndërsa fëshfërima e gjetheve më dukej si pëshpëritje shpirtrash që vinin nga thellësia e nëntokës dhe po shkundnin nga supet baltën e varrosjes. Rrënjët e pemëve të ngulura thellë në tokë, nga shirat e fundit kishin dalë në dritën e diellit dhe dukeshin si arterie që pulsonin gjak. Me bisht të syrit shihja portretin e tij të ngrirë dhe vrisja mendjen se ku e gjente atë kurajo për ta përballuar këtë llahtar.
Marysia u shfaq para nesh duke vrapuar, veshur me një kostum sportiv. E kisha porositur të hiqej sikur ishte një takim i rastësishëm dhe nuk dinte asgjë për gjendjen e tij. Por ajo nuk mund të aktronte. Mbështeti kokën në gjoksin e tij dhe po qante me dënesë. Gjëndja e saj po rëndohej dhe gati po humbte ndjenjat. Mikeli e ndihmoi të ulej në një stol aty pranë, ndërsa unë formova numrin 911 dhe kërkova një ambulancë. Mjekët e urgjencës i bënë një qetësues dhe vendosën në barelë. Kur ambulanca po largohej, Mikeli më tha:
-Disa gjëra... vetëm kur i humbasim e kuptojmë që janë më të shtrenjtat nga gjithçka tjetër. Edhe tre jetë sikur të kisha, do të doja t’i kaloja me të.
-Do ta fillosh terapinë?
- Jo... do largohem në vendlindje. Dua të kaloj çastet e fundit pranë nënës. Nuk e dua terapinë e gënjeshtërt, që vetëm më zgjat torturën. Dua të vdes i bukur!
© Ilir Gjini
Foto: 123RF



