A ka arsye për shqetësim në Evropë pas suksesit të AFD në lindje të RFGJ? - Nga Auron Dodi
- Published in Andej-Këtej
GJENDJA NË GJERMANI PAS ZGJEDHJEVE NË LANDET LINDORE
Fitorja e AFD në landin lindor të Tyringenit dhe rezultati i fortë në Saksoni e kanë tronditur spektrin politik në Gjermani. Në Tyringen, AFD doli e para, me 32,8 përqind, në Saksoni doli e dyta, me 30,6 përqind. Por është fakt se nga këto fitore, AFD nuk do të ketë dobi praktike, në kuptimin e pushtetit: si në Saksoni, ashtu edhe në Tyringen, partitë e tjera e kanë përjashtuar bashkëpunimin me AFD.
Në të dy landet, qeveritë pritet t’i drejtojë CDU-ja konservatore. Që ta arrijë këtë, CDU-ja duhet të kalojë vija të kuqe, si p.sh. të bashkëpunojë me Aleancën Sara Wagenknecht. Kjo parti populiste e majtë, doli e treta në zgjedhje. Të dyja partitë kanë nisur bisedime paraprake koalicioni. Në nivel federate, CDU/CSU ndihen të forcuara, nga zgjedhjet rajonale. 33 përqind mbështetje në federatë ka CDU/CSU aktualisht.
MASA PËR KUFIZIMIN E MIGRIMIT
Masat për kufizimin e migrimit, sidomos ilegal, mbeten kryefjala e lajmeve në Gjermani. Janë shtuar riatdhesimet e migrantëve, por perceptimi është se duhen masa shtesë. Në një takim me dyer të mbyllura, CDU/CSU kërkuan të enjten (05.09.) dëbimin e migrantëve që në kufijtë e jashtëm të Gjermanisë. Kryetari i CDU, Friedrich Merz tha se kjo është e mundur juridikisht. Fjala është për një ndalim faktik pranimi, kryesisht të sirianëve dhe afganëve.
Por kancelari Scholz ka thënë se një hap i tillë bie ndesh me Kushtetutën gjermane dhe rregullat e BE. Megjithatë edhe qeveria po punon për një paketë masash shtesë kufizimi. Atentati terrorist në Solingen, në perëndim, me disa të vdekur, direkt para zgjedhjeve në Lindje, e solli më në fokus temën e migrimit ilegal.
FAKTORËT PËR SUKSESIN E THELLË TË POPULISTËVE NË LINDJE
Kishte vite që përvijohej një rezultat i fortë në zgjedhje për AFD-në, në lindje të Gjermanisë. Si faktorë kryesorë, shikohet perceptimi i situatës ekonomike, nga gjermanolindorët, si jo aq e mirë, sa ajo në Perëndim; vazhdimi i ndihmës masive ushtarake për Ukrainën nga Gjermania; si dhe migrimi ilegal.
Landet lindore të Gjermanisë kanë histori specifike: ka shumë gjermanolindorë që ribashkimin e Gjermanisë nuk e shohin si akt të barazpeshuar. Ata ndihen të harruar dhe të pakuptuar. Ndihen të mospërfillur në identitetin e tyre, të zhvilluar historikisht ndryshe.
Disa njerëz të pyetur nga mediet thanë se e kanë zgjedhur AFD, jo sepse ofron zgjidhje, por sepse është kundër politikës së partive tradicionale. Migrantë, në lindje, ka përgjithësisht pak. Por ndjesia se nuk ke sa duhet për vete (krahasuar me të tjerë), i bën shumë gjermanolindorë më pak tolerantë ndaj të huajve. Kjo shpjegon edhe vendin e tretë që arriti në lindje partia populiste e Majtë, Aleanca Sara Wagenknecht. Edhe kjo parti kërkon kufizim më të rreptë të migrimit. Dhe si AFD, ajo përsërit shpesh qëndrimin e Rusisë për luftën në Ukrainë. Kjo mbështetet në lindje të Gjermanisë.
A DINË SOCIALDEMOKRATËT SI TË DALIN NGA KJO SITUATË?
Kancelari Olaf Scholz i quajti “të hidhura” rezultatet në dy landet lindore. Ai i paralajmëroi partitë tradicionale që të mos bëjnë aleancë me “ekstremistët e djathtë”. Socialdemokratët arritën rezultatet më të dobëta ndonjëherë në Tyringi dhe Saksoni: 6,1 përqind dhe 7,3 përqind. Por mendohej se Socialdemokratët mund të mos hynin fare në parlamentet atje, si u ndodhi të Gjelbërve dhe FDP. Prandaj Scholzi tha se “kjo tregon se ia vlen të luftosh”. Në rang federate, Socialdemokratët kanë aktualisht 15 përqind, pra janë pas CDU/CSU dhe AFD. Në vitin 2021 ata kishin 25,7 përqind, pra qenë partia më e fortë në Gjermani.
Por me ankth më të madh Socialdemokratët presin zgjedhjet e 22 shtatorit, në landin tjetër lindor, Brandenburg. Kjo sepse prej vitit 1990, Socialdemokratët e drejtojnë pa ndërprerje këtë land. Sipas sondazheve, në Brandenburg kryeson AFD, Socialdemokratët vijnë të dytët, të pasuar nga CDU/CSU. Një humbje socialdemokrate në Brandenburg do të rihapte debatin për kandidatin për kancelar të Socialdemokratëve. Pra debatin a do të jetë kancelari Scholz kandidati për kancelar edhe në shtator 2025, kur në Gjermani janë zgjedhjet parlamentare.
A KA ARSYE PËR SHQETËSIM NË EVROPË?
Shqetësues është karakteri simbolik i fitores së AFD: kjo parti arriti të fitojë një land të Gjermanisë, vetëm 11 vjet pas themelimit. Është fjala për një parti ekstremiste, e cila shihet si tepër ekstremiste edhe për parti të tjera ultra të djathta në Evropë (si p.sh. për RN e Le Penit në Francë, e cila ka refuzuar thuajse krejt kontaktin me AFD). Në fakt, që pas Luftës së Dytë Botërore, kjo është fitorja e parë e një partie ekstremiste të djathtë në Gjermani.
Në Evropë, fitorja e AFD shihet me shqetësim prej peshës demografike të Gjermanisë në kontinent. Kjo, dhe pesha ekonomike e Gjermanisë e bëjnë çdo zhvillim të këtushëm shumë të ndjeshëm për Evropën.
Por le të kujtojmë: kështjellat e reja të AFD, Tyringeni dhe Saksonia në lindje kanë së bashku 6 milionë banorë. Ato përfaqësojnë vetëm 7 përqind të popullatës në Gjermani. Në perëndim të Gjermanisë, si në Bavari dhe në Hessen, AFD ka rezultate vetëm fillestare elektorale. Gjithsesi, pa dyshim: AFD nxit polarizimin e skajshëm të shoqërisë në Gjermani dhe etiketimin negativ të migrantëve.
GJERMANIA E PËRGATITUR MË MIRË PËRBALLË EKSTREMISTËVE
Gjermania e sotme ka në tërësi një demokraci të gjallë e militante. Demonstrat e miliona vetëve këtë vit, pasi u bënë të ditura plane të AFD për “remigrimin”, kthimin në atdhe të të huajve edhe me shtetësi gjermane, e dëshmojnë rishtaz këtë.
Veç kësaj: sistemi i zgjedhjeve në Gjermani, sistem proporcional, e detyron politikën në Gjermani të ecë drejt kompromisit, jo drejt ekstremit. Kjo pasi në votime luajnë rol edhe votat e dyta dhe të treta, pra kundërshtarët e sotëm mund të bëhen nesër partnerë. Gjë që nuk ndodh p.sh. në Francë, ku sistemi zgjedhor është mazhoritar. Dhe votat e dyta e të treta venë dëm. Kjo e bën demokracinë në Francë më të prekshme nga ekstremistët.
Pra përmbledhtazi: për aq kohë sa në Gjermani do të mbajë ai që quhet “mur zjarri” apo “kordon sanitar”, pra refuzimi i koalicioneve për pushtet me AFD, mendoj se mund të flasin për zhvillime në Gjermani që duhen marrë seriozisht dhe duan përgjigje, pa humbur kohë. Jo më tepër.
© Auron Dodi - DW Shqip