Andej-Këtej

A ka shpirt morri? - Nga Arben Kallamata

Nuk dihet nëse ishte frymëzuar nga filmi i Disney’t “All Dogs go to Heaven”, apo thjesht kishte pasur ndonjë komunikim me autoritetin përkatës, por Papa Françesku i befasoi katolikët këtë javë kur, krejt papritur hapi portat e Parajsës për të lejuar futjen në të të qenve. Papa e bëri komentin në një çast emocional, kur po fliste me një djalkë të pikëlluar se i kishte ngordhur qeni. “Mos u mërzit,” i tha ai fëmijës. “Portat e Parajsës janë të hapura për të gjithë.”

Diskutimi se ç’bëhet me qentë, macet, dhe krijesat e tjera pas vdekjes i ka cfilitur për mijëra vjet ata që besojnë te ekzistenca e Parajsës dhe Ferrit. Që qentë e macet të marin vizë për të vajtur në Parajsë së pari duhet të kenë shpirt. Paraardhësi i Françeskut, Benedikti ishte i bindur që kafshët nuk kanë shpirt. Gjon Pali II, nga ana e vet, paska lënë diku të kuptohet se ishte partizan i vajtjes së disa kafshëve në Parajsë. Ndërkohë, një rradhë e gjatë Papësh e kanë kundërshtuar me forcë idenë që ndonjë krijesë tjetër veç njeriut të ketë shpirt.

Kundërthëniet e krerëve të kishës pasqyrohen edhe te besimtarët. Pjesa më konservatore e tyre, ata që quhen nganjëherë edhe të djathtë ekstremë, ose fondamentalistë, duket se s’para besojnë te vajtja e qenve dhe maceve në Parajsë. Në rastin konkret, mund të thuhet se këta dalin më katolikë se Papa.

Ndërsa disa liberalë dhe kryesisht ata që kanë kafshë shtëpiake - qen, mace, papagall, kanarinë, peshk të kuq, lepur, minj, u gëzuan shumë nga vendimi i Françeskut.

Puna është se duke hapur portën e Parajsës për qentë dhe macet, Papa nuk mund ta mbajë atë mbyllur për qeniet e tjera. Bashkë me canis familiaris tani në parajsë do të kenë të drejtë të hyjnë edhe krokodilët, hienat, gjarpërinjtë, peshkaqenët, kandilat e detit, kërmijtë, pleshtat, mushkonjat, morrat, çimkat - gjithçka e gjallë që ekziston dhe që mendohet se është krijesë e Perëndisë. Në fund të fundit, përderisa qentë kanë shpirt, edhe ato duhet të kenë, apo jo? Përndryshe, ku është kufiri dhe kush e vendos atë? 

Pyetja “A ka shpirt qeni?” me pak imagjinatë mund të marë edhe formën: “A ka shpirt morri?” Dhe, nëse ka, ose nëse pranojmë atë që thotë Papa Françesku që ka, a bëjmë mëkat kur shtypim morra? A bëjmë mëkat kur vrasim brumbuj, miza, pleshta, çimka, etj., thjesht sepse ato na bezdisin duke shëtitur nëpër lëkurë dhe duke pirë nga një çikë gjak? A mos ne vetë, duke vrarë këto insekte, që me siguri do të shkojnë në Parajsë, i zvogëlojmë shanset vetes për të shkuar atje?

Duke lejuar kafshët në Parajsë Papa Françesku ka entuziasmuar tej mase organizatat e mbrojtjes së të drejtave të kafshëve, si PETA. Tani ato kanë një argument më shumë për kauzën e tyre. Por ai ka ngritur peshë edhe grupet e vegjetarianëve, të cilët thonë që njerëzit nuk duhet të ushqehen me mish kafshe, as me peshk, pasi ngrënia e tyre detyrimisht kërkon edhe vrasjen paraprake të tyre, që do të thotë vrasjen e një qenieje me shpirt, që sipas Biblës është mëkat. Me një fjalë, që sot e tutje, çdo katolik i mirë, që beson në ndershmërinë dhe në shenjtërinë e Papa Françeskut, duhet të kthehet në vegjetarian. Katolicizmi në këtë rast, bie në kundërshtim me therjet masive të qingjave për Pashkë, bie në kundërshtim me ngrënien e peshkut çdo të premte. Dhe me që ra fjala te peshqit, a bënte mëkat Krishti kur ushqente gjindjen me peshk? Hmm, gjëra të ndërlikuara vërtet.

Të gjitha këto më çojnë mua detyrimisht te një nga legjendat më makabre dhe më të tmerrshme të librave të shenjtë, Biblës dhe Kuranit - legjenda e Sakrifikimit të Isakut (për të krishterët) ose Ismailit (për muslimanët) nga Abrahami (Ibrahimi). Sipas legjendës, Zoti i kërkoi Abrahamit të sakrifikonte djalin e tij dhe kur ky, i bindur, po përpiqej ta therte për t’i bërë qefin, Zoti ndërhyri dhe i tha të lëshonte djalin. Pastaj i kërkoi që, në vend të tij, të sakrifikonte një dash, që askush s’e mori vesh se si u gjend aty pranë. Abrahami theri dashin.

Pyetja është: si e lejoi Zoti Abrahamin që t’i merrte jetën një qenieje me shpirt? Ose, për ta vazhduar edhe më tej, a është shpirti i njeriut, që në këtë rast nuk u sakrifikua, më i vlefshëm se sa shpirti i dashit? Me sa shpirtra deshësh është i barazvlefshëm një shpirt njeriu? Sa shpirtra morrash duhen për të…?

© Arben Kallamata 2014