Andej-Këtej

Sipas kryeministrit Egede, groenlandasit nuk duan të jenë amerikanë

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen dhe Múte B. Egede, kryeministri i Groenlandës, kanë mbajtur një konferencë për shtyp në lidhje me aspiratat e Donald Trump për Groenlandën.

Múte B. Egede deklaroi të premten (10.01) se banorët e territorit të tij arktik, të pasur me minerale, nuk duan të jenë amerikanë. Megjithatë, ai theksoi se e kupton interesin e Shteteve të Bashkuara për këtë ishull, duke pasur parasysh rëndësinë e tij strategjike dhe shtoi se është i hapur për një bashkëpunim më të madh me SHBA.

Këto komente erdhën pas deklaratave të presidentit amerikan të zgjedhur, Donald Trump, që më herët gjatë javës u shpreh se nuk e përjashtonte përdorimin e forcës ose presionit ekonomik për ta bërë Groenlandën - një territor autonom që i përket Danimarkës - pjesë të Shteteve të Bashkuara. Trump theksoi gjithashtu se kjo është një çështje e sigurisë kombëtare.

Egede pranoi se Groenlanda është pjesë e kontinentit të Amerikës së Veriut dhe një vend që amerikanët e konsiderojnë si pjesë të botës së tyre. Ai u shpreh se nuk ka folur me Donald Trump, por është i hapur për diskutime mbi çështje që i bashkojnë. “Bashkëpunimi është çështje dialogu. Bashkëpunimi do të thotë të punosh për zgjidhje”, tha ai.

(Anija inspektuese daneze P571 Knud Rasmussen është fotografuar duke shkuar në ndihmë të një anijeje të mbetur në akull. Që nga viti 2006, shumë anije aventurohen, ndonjëherë pa njoftuar në ujërat e Groenlandës. Foto: Kim Moller Petersen/Forcat e Armatosura Daneze/REUTERS)

Kryeministri Egede bëri thirrje për pavarësinë e Groenlandës, duke e paraqitur Danimarkën si një fuqi koloniale që nuk e ka trajtuar gjithmonë si duhet popullsinë autoktone inuite.

“Groenlanda i përket popullit të Groenlandës. Nuk duam të jemi danezë, nuk duam të jemi amerikanë. Duam të jemi groenlandas,” deklaroi ai gjatë konferencës për shtyp përkrah kryeministres daneze, Mette Frederiksen.

Shqetësim në Evropë

Dëshira e presidentit amerikan të zgjedhur për të poseduar Groenlandën ka ngjallur shqetësime në Danimarkë dhe në pjesën tjetër të Evropës.

SHBA është një aleat i fuqishëm i vendeve të Bashkimit Evropian dhe anëtari kryesor i NATO-s, dhe shumë evropianë mbetën të tronditur nga ideja që një lider i ri amerikan mund të shqyrtojë përdorimin e forcës kundër një aleati. Megjithatë, Frederiksen theksoi se ajo sheh një anë pozitive në këtë diskutim.

“Debati mbi pavarësinë e Groenlandës dhe njoftimet e fundit nga SHBA na tregojnë interes të madh për Groenlandën. Këto ngjarje kanë nxitur shumë mendime dhe ndjenja tek qytetarët në Groenlandë dhe në Danimarkë. SHBA është aleati ynë më i afërt dhe do të bëjmë gjithçka për të vazhduar një bashkëpunim të fortë”, tha ajo.

(“Sipas Komisionit Gjeologjik të Danimarkës dhe Groenlandës (GEUS), Groenlanda ka burime të shumta minerale shumë të larmishme, duke përfshirë bakrin, arin, plumbin, gurë të çmuar, metale të rralla, uranium dhe zink”, thuhet në faqen zyrtare të qeverisë kanadeze. Foto: Greenland Mineral)

Frederiksen dhe Egede folën para gazetarëve pas një takimi që zhvillohet çdo 6 muaj midis Danimarkës dhe dy territoreve të mbretërisë së saj, Groenlandës dhe Ishujve Faroe. Kjo mbledhje ishte planifikuar më parë dhe nuk u mbajt posaçërisht për t’iu përgjigjur deklaratave të fundit të Trump.

Vizitë propagandistike me aromë MAGA

Djali i madh i presidentit të zgjedhur republican e vizitoi Groenlandën të marten e kaluar më 7 janar. Ai mbërriti në aeroportin kryesor të ishullit me një avion që mbante emrin “Trump” dhe shpërndau kapele “Make America Great Again” për personat që takoi.

(Donald Trump Jr. është fotografuar përpara një statuje të misionarit historik danez Hans Egede gjatë mbërritjes së tij në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës, për një vizitë private, sipas deklaratës së tij. Foto: Getty Images/Emil Stach/Ritzau Scanpix/AFP)

Popullsia e Groenlandës numëron vetëm 57,000 banorë, por është një territor i gjerë i pasur me burime natyrore të ndryshme, përfshirë naftë, gaz dhe metale të rralla, të cilat pritet të bëhen më të aksesueshme me shkrirjen e akullit për shkak të ndryshimeve klimatike.

Groenlanda gjithashtu zë një pozicion strategjik kyç në Arktik, ku Rusia, Kina dhe vende të tjera po përpiqen të zgjerojnë ndikimin e tyre. Groenlanda është një territor autonom i administruar nga Danimarka, por është më afër kontinentit të Amerikës së Veriut sesa Danimarkës.

Ndërsa Kopenhagen është përgjegjës për çështjet e Jashtme dhe Mbrojtjen e Groenlandës, SHBA gjithashtu ndan përgjegjësinë për mbrojtjen e ishullit dhe ka një bazë ajrore atje sipas një traktati të vitit 1951.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto kryesore lart: Associated Press/Mads Claus Rasmussen/Ritzau Scanpix