Donald Trump: “I miri, i keqi dhe i shëmtuari” - Nga Endrit Mullisi
- Published in Andej-Këtej

- Nga: Endrit Mullisi - Toronto
Donald Trump është një figurë që nuk lë askënd indiferent. Për disa, ai është një hero konservator që mbron vlerat tradicionale dhe politikën kombëtare mbi interesat globale. Për të tjerët, ai është një demagog që përdor metoda të rënda për të arritur qëllimet e tij politike. Në një mënyrë ose tjetër, ai mishëron tre karakteret e famshme të filmit “The Good, The Bad and The Ugly” nga Sergio Leone.
“I miri” - Politikat për vlerat konservatore
Si një lider i pëlqyer nga konservatorët moralë, Trump ka mbështetur politika dhe ka firmosur urdhra ekzekutivë që forcojnë disa vlera që shumë besimtarë të krishterë dhe konservatorë i konsiderojnë themelore. Për shembull, ai ka mbrojtur lirinë fetare, ka emëruar gjyqtarë të cilët mbështesin interpretimin tradicional të Kushtetutës dhe ka kundërshtuar agjendat progresiste në fusha si arsimi dhe çështjet sociale. Për këtë arsye, shumë amerikanë të spektrit të djathtë e kanë parë atë si një mbrojtës të ideve të tyre. Kjo është pjesa e "të mirit" që ai përfaqëson.
“I keqi” - Politika e MAGA dhe nacionalizmi ekstrem
Motoja “Make America Great Again” (MAGA) i ka dhënë Trump një mbështetje të madhe nga shumë amerikanë që ndihen të lënë pas nga globalizimi dhe ndryshimet demografike. Ai ka ndjekur një politikë proteksioniste, ka vendosur tarifa ndaj vendeve të tjera dhe ka vendosur interesat e Amerikës mbi të gjitha. Kjo e ka bërë atë të duket si një udhëheqës i fortë, por edhe një figurë polarizuese që shpesh i sheh marrëdhëniet ndërkombëtare si një lojë me rezultat zero. Ai ka forcuar kufijtë, ka luftuar emigracionin e paligjshëm dhe ka promovuar një vizion të Amerikës si një vend që nuk i detyrohet askujt. Por në këtë aspekt, ai shpesh ka anashkaluar rëndësinë e bashkëpunimit dhe diplomacisë. Vende të tjera që janë lodhur me politikat globaliste, e shohin nacionalizmin e Trump si shembull për vendet e tyre.
“I shëmtuari” - Sjellja ndaj Kanadasë, liderëve dhe institucioneve
Aty ku Trump ka humbur simpatinë time dhe të shumë të tjerëve, është mënyra se si ai sillet me vendet aleate si Kanadaja, me njerëzit, institucionet dhe përfaqësuesit e tjerë shtetërorë. Qasja e tij shpesh është e dhunshme në fjalë, e pasaktë në krahasime dhe e mbushur me gënjeshtra për statistika që ai vetë i ka mohuar më parë. Nga një lider që duhet të jetë i përgjegjshëm për fjalët dhe veprimet e tij, Trump ka treguar një nivel të lartë të kontradiktave. Kjo sjellje e ka bërë atë të duket si “i shëmtuari” i politikës amerikane.
E njëjta gjë më ndodhi me liderin e Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berishën, kur ishte kryeministër. Dikur e mbështesja për ndryshimet që solli, por më pas u lodha nga retorika e tij dhe nga mënyra se si e përdorte pushtetin për të sulmuar kundërshtarët dhe për të mbajtur veten në qendër të vëmendjes. Kjo më bëri të humbas plotësisht interesin për të dëgjuar fjalimet e tij.
Megjithëse Trump ka arritur të fitojë zemrat e shumë njerëzve me politikat e tij, sjellja e tij ndaj të tjerëve ka lënë një shije të keqe. Në politikë, nuk mjafton të bësh disa gjëra të mira; rëndësi ka t’i bësh më mirë se të tjerët.
Jam i ndërgjegjshëm që ju lexues të mi, keni përqasje te ndryshme nga imja dhe unë me dëshirë do t'i mirëprisja dhe lexoja ato.
© Endrit Mullisi - Toronto