Për kë do të votoja unë në Shqipëri? - Nga Endrit Mullisi
- Published in Andej-Këtej
- Nga: Endrit Mullisi - Toronto
Politikisht e konsideroj veten të djathtë dhe gjithmonë kam votuar për parti të spektrit të djathtë. Shpesh, vota ime ka shkuar për parti të vogla, edhe kur për deputet kam mbështetur një parti më të madhe të djathtë. Vetëm një herë kam votuar për një kandidat socialist, por votën partiake ia kam dhënë sërish të djathtës. Arsyeja? Kandidati i djathtë nuk kishte respekt në sytë e mi dhe të tim eti, me të cilin ndaja biseda të gjata politike.
Edhe këtu në Kanada kam votuar për konservatorët, madje edhe kur nuk kanë qenë aq konservatorë sa do të doja, sepse rreziku që të fitonin të tjerët ishte më i madh.
Po në Shqipëri, nëse do të votoja këtë herë?
Të majtët nuk do ta merrnin votën time - jo vetëm për atë që unë jam, por më shumë për atë që ata kanë bërë. PD, të cilës i kam dhënë votën shumicën e rasteve kur kam votuar në Shqipëri, me rizgjedhjen e Berishës tregoi se është ende ajo e viteve ‘90, ashtu siç PS mbeti një vazhdimësi e PPSH-së.
Ndaj, unë do të votoja për ndonjë nga të rinjtë - jo sepse besoj fort se do të fitojnë, por për t’i inkurajuar që të sfidojnë dy grupet kryesore që mendojnë se kanë ekskluzivitetin e pushtetit. Shpresa është e vogël, por ekziston, dhe ndoshta përmes të rinjve mund të ndodhë diçka ndryshe.
E di që ndoshta vetëm 10 veta do ndikohet nga ky opinion, por edhe sikur 10 të votojnë ndryshe, ia vlejtën këto 10 minuta që u ula të shkruaj.
© Endrit Mullisi - Toronto



