"Zonja e panjohur", Donald Trump dhe një mision helvetik në Washington - Nga Enver Robelli
- Published in Andej-Këtej

- Nga: Enver Robelli - Zvicër
Pothuaj mbarë Zvicra sot shikon drejt Washingtonit. Avioni Dassault Falcon 900 i qeverisë ka aterruar në Dulles International Airport në Washington, D.C. Në bord janë presidentja e Zvicrës (njëkohësisht ministre e Financave), Karin Keller-Sutter, dhe ministri i Ekonomisë, Arsimit dhe Shkencës, Guy Parmelin. Misioni i tyre: ta bindin Donald Trumpi t’i ulë tarifat doganore ndaj produkteve zvicerane. Presidenti amerikan e ka ndëshkuar Zvicrën me tarifë doganore prej 39 për qind. Një masë drakonike kjo, e cila ka shokuar Zvicrën.
Shenjat e para nuk janë aq të mira. Ndërsa ministrat zviceranë ndodheshin në ajër duke shkuar drejt kryeqytetit amerikan, Donald Trump tha në një intervistë me kanalin televiziv amerikan CNBC se kishte folur së fundmi me “kryeministren e Zvicrës”. E vërteta është se Zvicra nuk ka kryeministre. 7 ministrat e qeverisë janë të barabartë. Njëri nga ata për një vit ushtron postin ceremonial të presidentit.
Trump tha se nuk e njihte politikanen me të cilën foli në telefon. Ai shtoi: “Zonja ishte e sjellshme, por nuk donte të dëgjonte”. Trump tha se “kryeministrja e Zvicrës” ishte e gatshme të paguante vetëm 1 për qind tarifa doganore. Kjo tingëllon pak e besueshme, sepse deri më tani është thënë se delegacioni zviceran është pajtuar me palën amerikane për të paguar 10 për qind tarifa.
Në Washington ministrat zviceranë pritet të takohen me Marco Rubio, i cili është shef i diplomacisë dhe këshilltar për siguri kombëtare i Trump. Në rast se misioni helvetik në Washington përfundon pa sukses, në Zvicër disa media dhe politikanë kanë propozuar që në Shtëpinë e Bardhë të dërgohet shefi i FIFA-s Gianni Infantino, i cili është zvicerani me lidhjen më të mirë me Trump. Vitin e ardhshëm në SHBA zhvillohet kampionati botëror i futbollit. Infantino është takuar disa herë me Trump muajve të fundit.
© Enver Robelli