Ja mësuesi që çdo nxënës do e donte!
- Published in Andej-Këtej
- Nga: Patricia Bardhi
Kemi parë e kemi lexuar nëpër statuse plot fjalë të mira për mësuesit që çdokush ka patur në cikle të ndryshme shkollore. Shumë mirë, mirënjohja është vlerë duhet stimuluar edhe nëse nuk vjen natyrshëm. Rrofshin festat, për të bërë ndonjë dedikim të ndjerë për këdo që e meriton. Po vetë mësuesit a e bëjnë dallimin mes kategorisë së tyre se cilët janë më të mirët ndër ta? A e kanë kuptuar mësuesit se pse kanë patur sukses dhe kanë mbetur në memorien e shumë nxënësve të tyre? Por siç ka thënë edhe Kadare, mësuesit e urtë gjer në dhembje e të thjeshtë gjer në madhështi nuk flasin shumë për veten. Ndoshta dhe në kafet e pushimit të madh, mësuesit sërish flasin për nxënësit. Sipas një projekti mbi edukimin të realizuar nga Universiteti i Harvardit, janë nxjerrë 11 pikat e profilit të mësuesit të arrirë. Ftojmë mësuesit të bëjnë kontrollin nëse kanë këtë profil. Nëse I plotësojnë më shumë se 80% të tyre do të thotë se janë të duhurit. Nëse janë poshtë 50% më mirë të largohen nga arsimi, të mos u bëjnë dëm kot fëmijëve dhe vetes.
- Unë jam mësues që kam dëshirë të mësoj vazhdimisht edhe nga nxënësit e mi.
- Inspiroj dhe ndikoj te nxënësit përmes forcës si ekspert, por nuk e tejkaloj këtë rol. E njoh mirë lëndën dhe i respektoj nxënësit. Vendos standarte dhe pritshmëri të larta për nxënësit, duke I dhënë kurajo, mbështetje. I nxis nxënësit të bëjnë gjëra, për të cilat mendonin se nuk ishin të aftë ti bënin.
- Jam provokator dhe vazhdimisht pyes “pse”?, shtroj probleme, luaj rolin e avokatit të djallit dhe stimuloj kundërshtitë, me qëllim zhvillimin e mendimit kritik e argumenteve logjike.
- Jam entuziast, jo vetëm për lëndën që jap, por edhe për mësimdhënien dhe të mësuarin në përgjithësi. Duke shfaqur qëndrim pozitiv, emocion dhe pasion, ia bëj të qartë nxënësve se s’do të doja të isha në asnjë vend tjetër përveç se në klasë.
- Jam novator, i ndryshoj strategjitë, teknikat, zgjeroj tekstet dhe materialet mësimore duke u siguruar nxënësve një përvojë të jashtëzakonshme. Kombinoj diskutimin, simulimin, të mësuarit në grup, role-play, debatin dhe të ftuarit e specialistëve.
- Unë përdor shpesh humorin në shërbim të mësimit.
- I ndihmoj nxënësit të vlerësojnë sukseset dhe të mësojnë prej gabimeve, duke i korigjuar ata kur gabojnë në një përgjigje. Kjo i ndihmon nxënësit të zhvillojnë përgjegjësinë për të mësuarit e tyre.
- Jam i/e aftë të qesh me veten dhe absurditetet e botës, pa qënë cinik/e. Jam një person I hapur dhe nxënësit mund të shohin virtytet tek mua dhe joperfeksionin. Duke qënë një person me këmbë në tokë, i ndihmoj nxënësit të zhvillojnë vullnetin, kurajon dhe shpresën për të realizuar potencialet e veta si qënie njerëzore.
- Jam optimist ose idealist, që besoj se pa një ideal ose mision nuk do të ketë arritje. E shoh veten tek secili nxënës dhe ndjej se misioni im realizohet kur kontribuoj për zhvillimin e nxënësve.
- Jam bashkëpunues. I ndaj idetë dhe materialet me të tjerët, përfshij prindërit në procesin edukativ dhe kërkoj ndihmë nga kolegët kur has në një vështirësi.
- Jam liberal. U siguroj nxënësve një mjedis intelektual të sigurtë ku idetë e kundërta mund të shfaqen pa frikën e censurës ose paragjykimeve. Unë mund ti shpreh lirisht mendimet dhe besimet e mia, ndërsa kujdesem të bëj dallimin mes fakteve dhe mendimeve. Nxënësit ndihen mirë në orën time dhe të lirë të shprehin pikëpamjet e tyre.



