Kriza politike e Tiranës – Diaspora shqiptaro-amerikane solidarizohet me opozitën
- Published in Andej-Këtej
Sipas një informacioni të Gazetës “Dielli”, dje në mbrëmje, para Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Manhattan, New York, një grup shqiptaro-amerikanësh protestuan kundër Qeverisë së Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Përmes pankartave që mbanin ndër duar ata shprehën solidaritet me kërkesat e opozitës shqiptare dhe e quajtën veprim të drejt djegien e mandateve nga deputetët opozitarë. Një Qeveri si ajo Edi Ramës, e inkriminuar në të gjitha struktuarat, nuk ka të drejtë të qeverisë shqiptarët, u shprehën ata gjatë protestës. Qeveria e tij nuk qeveris për shqiptarët, por për oligarkinë që i ka futur kthetrat ekonomisë dhe ia ka zënë frymën qytetarëve, deklaroi njeri prej organizatorëve për gazetën “Dielli”. Po ashtu, siç raporton “Dielli”, protestuesit janë shprehur të indinjuar ndaj akuzave të kryeministrit për Zërin e Amerikës, për faktin që VOA nxorri në shesh vjedhjen e votave dhe korrupsionin e qeveritarëve socialistë.
Në një nga pankartat e mbajtura nga protestuesit shkruhej: “VOA është Zëri i Lirisë, jo kazan!”



