Andej-Këtej

Kushtëzimi i adhurimit të Diellit nëpërmjet Horoskopit dhe moshës - Nga Burim Bardhari

Të gjithë tërthorazi jemi të kushtëzuar ta adhurojmë Diellin e gjithëpranishëm, burimin energjitik jetëmbështetës, që paganët e quanin Zot, sepse Zoti nuk shihet dot. Përveç rrezitjes në ranishte, Horoskopi poashtu është përkushtim shumë popullor, por në mënyrë të zhdrejtë, sepse shënon çastin “duke shikuar orën” (horo skop) e lindjes së njeriut dhe lidh fatin e tij, ose përciptas rrëfimin e tij të ndikuar nga pozita relative e planeteve, veçanërisht diellndodhjes brenda rripit gjallësor të Zodiakut kur njeriu pagëzohet me shenjën përkatëse të horoskopit, si demi, cjapi, vajza. Sipas paganëve, meqë “Dielli-Zot lind” (në kuptimin filozofik) atëherë edhe fati i çdonjerit të sapolindur në botë duhet të ndikohet nga Dielli, fati në duar të yllit tonë, hyllit ose hyjniut. Lui i 14-të, monarku absolutist francez quhej “Mbreti-Diell”.

Mirëpo edhe mosha e çdonjerit pasqyrohet me njësinë matëse kohore që ne e quajmë vit, prandaj viti prej 365 ditesh nënkupton udhëtimin tonë rreth e rrotull Diellit prej ku buron vetë drita dhe dita bashkë me stinët. Rrjedhimisht, vetvetiu lind pyetja se vallë mos mungojnë mënyra të tjera për njohjen dhe njehsimin e moshës? Për shembull, në vend të 365 ditëve, viti mund të përmbante pesëqind ditë ose një mijë ditë etj. Është ajo reklama sublime që na serviret, njëlloj si vajza e bukur që nuk shet vetura drejtpërdrejt, sepse nuk ka lidhje me makinat por shet atë, që Dr. Phil thotë se ne kerkojmë, emocionin që na jep objekti i synuar, si vetura pavarësinë e levizjes ose krenarinë e pronësimit.

Faktikisht matja me diell ose hijes prej tij, është qasje praktike, mirëpo dikur “vitari” ose kalendari romak hutonte. Jul Qesari pasi pushtoi Egjiptin e lashtë mësoi për “vitarin” (kalendarin) superior të tyre dhe shtoi 67 ditë. Janarin dhe Shkurtin i vendosi në fillim, madje për hir të tij u njoh si kalendari Julian (“vitari”, fjalësajim si fjala ditar), derisa më vonë edhe ai duhej përmirësuar gjatë mandatit të Papës Gregori i 13-të dhe ky i fundit njihet si Gregorian për botën e krishterë, sepse krahas radhiten edhe “vitarët” e tjerë, të fiseve dhe qytetërimeve Maja, Ilir, Kinez, Persian, Arab etj.

Atëbotë viti i ri fillonte me “Ditën e Verës” ose baraznata, ekuinoksi, kur Dielli zgjon natyrën nga nata e gjumit dimëror, me perjashtim të ekuatorit (barasbotërorit) që përndryshe tek Persët njihet edhe si Sulltan Nevruzi, ose Viti i Ri. Duke nisur nga Marsi si muaj i parë i vitit, arsyetohen fare lehtë muajt që janë numerikisht të papërputhshëm, si Shtatori, Tetori, Nëntori e Dhjetori sepse qëndronin besnikë me muajt përkates deri kur i fuqishmi pushtues Qesari vendosi dy muajt shtesë përpara Marsit, u hoq “quintilisi” si muaji i shtatë se nuk përputhej numerikisht dhe u ripagëzua në kalendar “Julian” (Korriku ynë), ndërsa Gushti për hir të Augustit. Të paktën mund të konkludojme se paraqitet një ndërmarrje e njerëzve mendjendritur që qendisën filozofinë e tyre në pëlhuren e qiellit të pazhdukshëm.