Andej-Këtej

Komunikatë e Arushë Dardanit - Nga Lis Bukuroca

Ne sot, më 12 prill mbajtëm si Shtab i Përgjithshëm i Individëve Malorë një takim, ku u shqyrtuan masat, që po përgatit shteti kundër popullit në mal. Ne, njëzëri, nën kryesin time, domethënë të Arushë Dardanit, si komandant, njoftojmë Gjarprin, Kitrën dhe Dhelprën si vijon:

Pas masakrës që u bë kundër këlyshëve të mi, duke respektuar në germë dhe fjalë nenet e Kanunit të Lekë Dukagjinit, vrava 28 dele. Ne nuk bazohemi në kushtetutë, siç nuk e bëjnë as individët jomalorë. Kanunin që nuk ka prejardhjen nga bjeshkët tona, refuzoni ju, nuk e zbatojmë as ne dhe për këtë jemi krenarë edhe me individët malokë.  

Nuk i vramë për t’i ngrënë siç veproni ju, por thjesht për t’i dhënë fuqi shprehjes së dhimbjes tonë, sepse ju në përgjithësi, nuk keni respekt ndaj jetës dhe gjallesave, që përpiqen të mbijetojnë në Kosovë. Vrasja e këlyshëve të mi, dëshmon se ju jeni trima me të dobëtin, me të pafuqishmin! Ju vrisni edhe qentë vetëm pse jetojnë. Pra, ju nuk ndjeni asnjë respekt ndaj Individëve në mal dhe asnjë ndaj kafshëve shtëpiake në Kosovë. Ju nuk u zemëruat për jetën e deleve, por i kthyet ato krijesa  në lekë dhe deklaruat se dëmi ishte 3.000 euro,  e jo 28 individë nga bagëtia dhe bujqësia, të cilave ua merrni leshin, qumështin dhe ua hani mishin. Ju i preni në qafë me një thikë të madhe në mes të oborrit dhe i ndani me atë thikë, në dhjetëra copa!

Sulmi i parë pra ishte vetëm pasojë logjike, e një individi, që rritet dhe edukohet në tokën Dardane. Ne kemi jetuar dhe mbijetuar këtu qysh nga kohërat e lashta. Jetuam me pellazgë e me dardanë në këtë tokë. Kemi ndarë fatin e përbashkët. Mbijetuam bizantinët, osmanët dhe serbet, e tani vjen një me kombësi kosovare dhe masakron fëmijët e mi pa pikë faji.

Sulmin e dytë që bëmë ne kundër deleve, e bëmë për të sensibilizuar popullin për Çakorin. Arsyeja? Atje kanë mbetur shumë pjesëtarë të fisit tonë arushan, por pse sulmojmë pikërisht delet? Sepse delja nuk ka asnjë faj dhe nuk mund të akuzohet për asgjë. Delja nuk ka asnjë mëkat në biografinë e vet: është e butë, e urtë dhe ju silleni pikërisht kështu me individët e mirë  jomalorë. Madje edhe më keq. Ju nuk bëni më atentate kundër atyre, por ua vrisni shpresat, ua vidhni ëndrrat të rriturve dhe fëmijëve! Delja është vetëm metaforë për t’ju treguar se çfarë bëni ju me individët e urtë jashtë malit.

Sulmin e tretë e kryem, sepse morëm lajmin se Gjarpri, jo se do të kthejë hapësirën tonë malore, ku ne jetonim, por se do t’i falë edhe Veriun e Kosovës, ku ne zakonisht verës bëjmë pushimet. Ne shprehim keqardhje për traumatizimin e disa individëve në mal, që kanë përcjellë plojën tonë të deleve. Jemi të vetëdijshëm, se për shembull para lepujve Individi i malit nuk duhet të sillet ashtu, por zhgënjimi ishte tepër i madh dhe kishim humbur toruan. Motoja jonë tani e tutje është: “Ja vdekje, ja liri!” Kjo është moto e kafshëve, që kanë lirinë Këtu, nëpërmjet kësaj komunikate, u kërkojmë të falur të gjithë individeve dhe individëve të malit që kanë përcjellë ngjarjen, por edhe disa lopëve dhe gomerëve, që pa asnjë faj, u bënë pjesë e kësaj historie.

Shtabi i Veçantë i Individëve Malorë

Sharr, më 13.05.2019

Arushan Dardani, Drejtor Politik i individëve të malit

 

Tagged under Naser Aliu Lis Bukuroca