Andej-Këtej

Vendi ynë me shumë idiotë dhe asnjë Dostojevsk

Nga: Ndue Ukaj

Vendi ynë me shumë idiotë dhe asnjë Dostojevsk, qesëndisej një miku im me marritë tona, të cilat nuk janë individuale, por fenomene tmerruese shoqërore. 

E në fakt, kur e sheh sesi flasin, kritikojnë dhe kundërshtojnë shqiptarët, të kujtohet At Zef Pllumi, i cili, tek shihte dhe përjetonte gjithë urrejtjen e shtetit komunist kundër njeriut, pyeste: “deri ku ka mbrrijtë shtazifikimi i këtij populli?”, dhe vazhdonte: “Që në rini janë edukue me parullën ‘Parti, Enver, jemi gati kurdoherë.”

At Zefi, po të ishte gjallë dhe po të shihte çfarë ndodh në Kosovë, pa dyshim, me lehtësi do t’i vërente ngjashmëritë ideologjike komuniste që po retushohen dhe po shiten në emër të disa kauzave të rreme; do të shihte sesi njerëzit ndjenjën e dashurisë për kombin e flamurin e kanë unifikuar me emrin- jo të Enverit, po të partisë.

Si pasojë e këtij ligjërimi të egër, në Kosovë, të rralla janë rastet kur dëgjon dikë të flasë normal, me etikë e përgjegjësi për atë që thotë, me një ndjenjë dashurie e respekti për Kosovën dhe për kundërshtarin. 

Në të kundërtën, ka kohë që në media shohim më së shpeshti ata që dinë të turfullojnë kundër çdokujt, me disa kukurisje që e shëmtojnë edhe më tej këtë shoqëri. 

Pra, shoqëria jonë po tregon se ka potencial të jashtëzakonshëm për të prodhuar idiotë. Të tillët, si profetë të rremë, në emër të teorive utopike, janë në gjendje të bëjnë gjithçka. Vetëm e vetëm që t’iu shkojë kungulli mbi ujë. 

Kosova që moti është shndërruar në një ring, ku promovohet marrëzia, angaria, ligjërimi i cektë dhe injoranca. 

Prandaj, sot e përherë duhet të kujtojmë se një popull që rrit figura që jetojnë me parulla, një popull që e arsyeton dhunën dhe beson se dhuna është mënyra më e mirë për ta mposhtur të keqen, ai popull është e destinuar të vajtojë gjatë. 

Historia tregon se veprat e mëdha të njerëzimit, janë vepra të dashurisë, të mirësisë dhe të humanizmit dhe jo vepra të urrejtjes. 
Asnjë popull nuk mbahet i bashkuar me urrejtje.

Tagged under Ndue Ukaj At Zef Pllumi