Andej-Këtej

A do ketë ndeshje?! - Nga Arben Kallamata

Drejtuesit e klubit vendas kanë vendosur porta të lëvizshme me telekomandë. I zgjerojnë dhe i ngushtojnë sipas dëshirës.

Nuk do ketë ndërrim fushe pas pjesës së parë. Gjysma e e fushës, ajo nga mbron ekipi vendas, është mbjellë me kanabis që është rritur aq sa s’le top të lëvizë. Gjysma tjetër është rruar mirë.

Të gjithë topat janë të shpuar dhe nuk ka kohë të sillen topa të rinj nga jashtë.

Është pushuar nga puna për korrupsion gjyqtari kryesor. Janë lënë vetëm anësorët që do tundin flamurët kot. VAR do kontrollohet nga Trajneri i ekipit vendas.

Stafi i ekipit udhëtues po përpiqet të heqë rrjetat e portave dhe të djegë shtyllat.

Lojtarët e ekipit udhëtues janë tërhequr dhe nuk pranojnë të dalin në fushë.

Organizatorët e ekipit vendas kanë gjetur njëmbëdhjetë persona të rastit në rrugë dhe iu kanë veshur uniformat e ekipit udhëtues.

Lojtarëve zëvendësues fanellat e ekipit udhëtues iu rrijnë keq, ca të mëdha, ca të vogla, ndërsa brekët iu varen deri poshtë gjunjëve.

Rudi Erebara ka shkruar një komedi për ndeshjen, po nuk ka ku ta çfaqë se ia kanë mbyllur Teatrin Kombëtar.

Komentatorët kanë dalë nga kabinat në tribunën qendrore dhe me mikrofona në dorë përpiqen të bindin tifozët e të dy ekipeve që t’iu vërsulen njëri-tjetrit. Flasin të gjithë përnjëherësh.

FIFA ka premtuar se do t’i kualifikojë të dy ekipet për në Europa Champions League nëqoftëse ndeshja zhvillohet si duhet dhe pavarësisht nga rezultati.

Drejtuesit e të dyja ekipeve, bashkë me komentatorët, e akuzojnë FIFA-n për korrupsion dhe thonë që më mirë djegin edhe stadiumin edhe spektatorët, se sa të lenë ekipin kundërshtar të fitojë.

Kryetari i Federatës e ka shtyrë ndeshjen për një afat të pacaktuar.

Ekipi organizator ka deklaruar se nuk e njeh as Federatën, as Kryetarin dhe se ndeshja do bëhet, gjallë a vdekur.

Blendi Fevziut i është thyer shkopi dhe s’ka me çfarë t’i bjerë ekranit.