Andej-Këtej

Fëmijë me terma të politikës - Nga Pëllumb Kulla

Një çun i vogël, kureshtar si gjithë fëmijët, e bezdisi të atin për të mësuar kuptimin e termave politike të majta dhe të djathta, që dëgjonte për ditë në radio dhe televizion. I ati e gjeti kohën një ditë dhe për t’ia bërë më të kuptueshme ato, ia konkretizoi në shtëpinë e tyre.

Babai e njësoi veten me “Kapitalizmin” me që ai ishte burim parash. Për fjalën “Qeveri” ai përdori gruan e tij, mamanë, e cila mbante paratë e shpenzimeve, kujdesej për ushqimin, ujin dhe dritat. Mëndeshën, gruan që kishin marrë në punë në shtëpi dhe që e paguanin për punën që bënte duke u kujdesur për fëmijët e shtëpisë dhe shërbime të tjera, babai e përdori për të përligjur termin “Klasë Punëtore”.

“Po unë me Anën e vogël çfarë jemi?” pyeti çuni.

“Ju,” tha babai, “ju jeni ‘Populli’!”

Fëmijët kanë kujtesë të fortë dhe çuni ia përsëriti babit shpjegimin një për një, dhe të dy u ndanë të kënaqur.

Të nesërmen çunit i doli gjumi herët se ndjeu që i haej. U ngrit nga shtrati dhe hyri në dhomën e prindërve, ku gjeti vetëm tëmën në gjumë të thellë. Këmbëzbathur ai shkoi te dhoma e Mëndeshës por e gjeti derën mbyllur dhe nga vrima e çelësit pa të atin në krevat me Mëndeshën. Iku dhe u përpoq të flinte ashtu i uritur.

Në drekë. kur të gjithë ishin vendosur rreth tavolinës dhe po hanin, çuni sikur të deshte të jepte një test para babait tha: “T’ju tregoj një situatë politike?”

“Pa hë!” i thanë prindërit.

Babai dukej më i interesuar për rezultatet e leksionit të tij. Dhe çunaku nisi:

“Sot në mëngjes, Populli, zhveshur dhe zbathur, i urritur sa nuk durohej më, trokiti në derë të Qeverisë, por Qeveria nuk pyeste për hallet e Popullit dhe bënte gjumë të thellë, ndërsa Kapitalizmi po shfrytëzonte egërsisht Klasën Punëtore!”

Dreka vazhdoi në heshtje, pastaj…

(Nga Kriporet)