Andej-Këtej

Eleanor Ruzvelt, madhështia e një gruaje - Nga Albana Lifschin

Eleanor Ruzvelt ishte gruaja e presidentit Frenklin Delano Ruzvelt, por më shumë se grua presidenti, ajo ishte jehona e madhështisë së tij. Fëmijë e vetmuar, vajzë e re e ndrojtur, aspak e bukur, e pasigurtë, e zhgënjyer në jetën private, Eleanor Ruzvelt e shndërroi veten në një grua me personalitet të shquar. Me kontributin e saj humanitar për të mirën e njerëzimit, për fëmijët, për të shtypurit dhe të varfërit kudo në botë, ajo fitoi dashurinë e admirimin e miliona njerëzve. Ish-presidenti i SHBA, Harri Truman e quajti atë "Zonja e parë e botës".

Familja Ruzvelt, ku lindi ajo, ishte nga familjet më të vjetra, më të pasura e më të respektuara amerikane të kohës. Në sy të botës Eleanor ishte një fëmijë që kishte gjithshka që i duhej për të qenë e lumtur. Por ajo nuk qe atraktive dhe këtë gjë e vuante shumë. I vetmi gëzim në fëmijërinë e Eleonorës ishte i ati, Elliot Ruzvelt, vëllai i vogël i Teodor Ruzveltit, (president i SHBA në vitet 1901-1909) i cili lozte me të, e hidhte dhe e priste në ajër, e më vonë kur ajo hyri në moshën e rinisë e porosiste në letrat e tij që të bëhej një grua me kulturë, të ndihmonte njerëzit e ta bënte babanë e saj krenar për të. Eleanora i ruajti letrat e të atit deri ditët e fundit të jetës së saj. Gjatë kohës që ishte në Angli, zonjushë në moshën 15 vjeçare, ajo mësoi të kujdesej për paraqitjen e saj dhe ndërkohë të zhvillonte besimin në vetvete.

Në moshën 18 vjeç, jeta e saj mori një kthesë të rëndësishme. U takua dhe ra në dashuri me Frenklin Ruzveltin. Frenklini ishte një djalë i gjatë, i pashëm dhe kushëri i largët i familjes që rasti i pat takuar shumë rallë me njëri tjetrin. Pas kthimit të Eleanor nga Anglia, të dy të rinjtë filluan të shikoheshin fshehurazi. Frenklin Ruzvelti gjeti tek Eleanor njeriun të cilit mund t'i besonte dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për të. Ai ishte i sigurtë gjithashtu se ajo me natyrën që kishte nuk do të përpiqej kurrë ta dominonte. Frenklini i propozoi për martesë. Në ceremoninë e martesës merrte pjesë presidenti i Shteteve të Bashkuara atë kohë, Ted Ruzvelt, xhaxhai i saj, i cili përcolli nusen.

Por edhe pse e martuar me dashuri, jeta e saj bashkëshortore nuk ishte e lumtur. E ndrojtur, vajzë që lëndohej shpejt, Eleanor u mësua t'i mbante gjërat përbrënda duke u përpjekur të mos e humbiste kontrollin e vetes. Frenklinin nga ana tjetër, qetësia e së shoqes e irritonte dhe e distanconte nga ajo. Ndërkohë karriera e tij politike po avanconte me shpejtësi. Më 1913, Presidenti Uillson e emëroi në një post qeveritar të rëndësishëm për kohën, gjë që kërkonte transferimin e familjes në Uashington. Gjatë Luftës së Parë Botërore Eleonora u angazhua me Kryqin e Kuq, duke dhënë maksimumin e duke shfrytëzuar edhe influencën e të shoqit për këtë qëllim.

Në vjeshtë të vitit 1918, Eleanor zbuloi që i shoqi kishte marrëdhënie intime me sekretaren Lusi Mërsër (Lucy Mercer), që ishte një vajzë e re e gjatë, bjonde e bukur. Kjo qe një traumë e vërtetë për Eleanor të cilën ajo nuk mundi ta përballojë. Eleanor kërkoi divorc. Por Frenklini nuk e donte divorcin. Ai u përpoq ta bindte të shoqen që të mos e bënte këtë gjë për hir të fëmijëve. Veç kësaj, divorci për Frenklinin në atë kohë do të thoshte shkatërrim i karrierës së tij politike. Eleanor e fali të shoqin, por jeta e tyre bashkëshortore nuk qe më si më parë. Tre vitet pas kësaj për Eleanor qenë vite të rënda, por ajo nuk iu dorëzua dëshpërimit. Ata ironikisht u bënë edhe vite emancipimi për të. Ajo u përfshi në lëvizjen për paqen dhe për gruan.

Në verën e vitit 1921, ndërsa ndodhej në pushime, Frenklin Ruzvelti u paralizua nga poliomiliti. Nëna e tij, një grua e fortë, si dhe shumë prej miqve të tij e këshilluan atë të linte karrierën politike. Këtë herë Eleanor e qetë si asnjëherë, nguli këmbë që i shoqi nuk duhej trajtuar si një i sëmurë të cilit s'i kishte mbetur gjë tjetër veçse t'i nënshtrohej sëmundjes së tij e ashtu të priste vdekjen. Bindja dhe vendosmëria e Eleanor i ktheu Frenklinit energjitë. "Unë e inkurajova atë të zgjidhte rrugën më të vështirë. Si gruaja e tij, unë mendoj se kam vepruar në pajtim të plotë me ndërgjegjen e tij", shkruante ajo në kujtimet e saj.

Në 1928 Frenklin Delano Ruzvelt u zgjodh guvernator i Nju Jorkut dhe katër vjet më vonë President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë edhe vetë Eleanor kishte ndryshuar; ajo që futur tashmë në jetën politike. Ajo u bë partnere me të shoqin dhe nuk mendoi kurrë ta lëndonte atë. Ata punuan sëbashku në shumë çështje dhe ai e përkrahte Eleonorën në iniciativat e saj. Eleonora Ruzvelt i dha një vizion më të gjërë rolit të saj si Zonjë e parë e Amerikës. Ajo e zhvilloi dhe e pasuroi atë duke iu përgjigjur problemeve te kohës.

Si zonja e parë e vëndit ajo u bë zëdhënëse energjike dhe përfaqësuese e nevojave të popullit tek presidenti. Në programin e presidentit për daljen nga depresioni ekonomik u përfshinë edhe idetë e Eleanor. Ajo priste e përcillte me kënaqësi në Shtëpinë e Bardhë mijëra njerëz. Ajo udhëtoi në të gjitha anët e vëndit, dha leksione, mbajti konferenca shtypi dhe shprehu opinionin e saj për çështjet e ditës në rubrikën e saj të përditshme në shtyp të quajtur "Dita ime." Ajo kishte kurajo të mbronte mendimin e saj botërisht për çështje të rëndësishme, madje edhe kur i shoqi i saj nuk shprehej.

 Në vitet 30-të ajo ngriti zërin për krijimin e Gjykatës Botërore, foli në radio e shkroi artikuj. "Me gjithë këto gjëra të tmerrshme që po ndodhin në botë, me rritjen e fashizmit ne kemi nevojë për një siguri kolektive, ne na duhet një gjykatë botërore, diçka si ‘Lidhja e Kombeve’. Ne duhet ta luftojmë fashizmin sëbashku. Ne duhet t'u vëmë pritë shteteve agresore..." theksonte ajo. Në 1938 Eleanor madje shkroi edhe një libër lidhur me këtë çështje "This troubled world" (Kjo botë e trazuar). Pas hyrjes së Amerikës në Luftën e Dytë Botërore, Eleanor Ruzvelt vizitonte barakat e spitalet e ushtarëve të plagosur në ishujt e Pacifikut. Ajo ndalonte pranë shtratit të çdo ushtari të plagosur për t'i thënë një fjalë inkurajuse, për t'u thënë ushtarëve ato fjalë që vetëm nënat e tyre do t'u thoshin. Admirali Nimits pohonte se "askush s'ka bërë më shumë se ajo për të ngritur lart moralin e ushtarëve."

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, aktiviteti i saj u rrit në shkallë ndërkombëtare. Ajo punonte në OKB për themelimin e UNICEF-it dhe përpilimin e Deklaratës së të Drejtave të Njeriut. Në 12 Prill 1945, një telefonatë nga Warm Springs ku ndodhej i shoqi, i solli lajmin që Frenklini kishte rënë pa ndjenja. Eleanor e ndjeu thellë në zemër se diçka e pariparueshme dhe e tmerrshme kishte ndodhur por nuk donte t'ia pranonte as vetes që presidenti i SHBA, burri i saj, kishte vdekur. Ajo thirri menjëherë zv.presidentin, Harri Truman dhe njoftoi djemtë. I shoqi kishte lënë porosi me shkrim që kur ishte gjallë që të varrosej në Hajd Park. "Unë jam shumë e sigurt - kujtonte ajo, që Frenklini e pranonte mendimin e vdekjes me po atë qetësi siç pranonte jetën."

Pas vdekjes së të shoqit, Eleanor Ruzvelt u kthye në shtëpinë e saj në Hajd Park dhe një moment u duk sikur ajo do të tërhiqej nga jeta shoqërore politike, por brenda vitit ajo gjeti forca për të vazhduar kontributin e saj në shërbim të njerëzimit. Në 1945 Eleanor Ruzvelt ishte në përbërje të delegacionit të SHBA në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Delegacioni e zgjodhi atë në krye të komisionit për të drejtat e njeriut. Ajo luftoi në Asamblenë e Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara për aprovimin e Rezolutës për Refugjatët e Luftës së Dytë Botërore që atyre t’u njihej e drejta e moskthimit në vëndet prej të cilave ishin larguar po qe se nuk e dëshëronin një gjë të tillë. Eleanor Ruzvelt luftoi deri në fund për aprovimin e Deklaratës të Drejtave të Njeriut. Në opozitë me sovjetikët që theksonin detyrat, ajo ishte për lirinë e të drejtat e individit, lirinë e besimit fetar dhe shkollimit.

Deri në vitet e fundit të jetës së saj Eleanor Ruzvelt vazhdoi të punonte pa pushim. Shkruante, merrte udhëtime nëpër botë, drekoi e bisedoi me presidentë e mbretër, por gjithashtu vizitoi edhe vënde e popujt të varfër. Shkoi në lagjet më të mjera të Indisë, fabrikat e Jugosllavisë, fermat e Libanit. U takua me njerëz në tërë botën, me njerëz që kishin dëshirë ta njihnin e nuk e pushoi aktivitetin e saj derisa vdiq në Nëntor 1962, në moshën 78 vjeçare. Një nga admiruesit e saj tha: Ajo më mirë ndizte një qiri se sa të mallkonte errësirën. Dhe drita e saj ngrohu botën.

Nga libri “Udhëtim në historinë e Amerikës”