Andej-Këtej

Nëpër shkrime, nëpër vite - Nga Pëllumb Kulla

Çdo natë, komshinjtë tanë ngrejnë në këmbë pallatin kur i bërtasin gjyshit të zgjohet, për t’i dhënë ilaçin e gjumit!

***

Të armatosemi për një revolucion paqësor, por ama, të jetë aq paqësor, sa të dridhet edhe foshnja në bark të nënës!

***

E vetmja industri që kanë zhvilluar qeveritë tona në gjithë krahinat vendit, është industria e mërgimit.

***

Ka dy lloj ziliqarësh: ca që duan që të kenë një makinë si e jotja dhe ca të tjerë që duan që as ti të mos e kesh veturën që ke.

***

Të këput shpirtin duke treguar, se dyzet e pesë vjet të diktaturës së poshtër, vitet më të mirë të jetës së tij, ai i kaloi në burg! Por nuk thotë asnjëherë që ka qenë komandant i atij burgu!

***

Pritjet për lirinë paskëshin qenë më të bukura nga vetë liria.

***

Për atë krim zakonisht japin një dënim prej 25 vjetësh burg. Me gjykim të përshpejtuar, mund të dënohesh vetëm 12 vjet. Por njëri nga kriminelët e kërkoi gjykimin urgjent dhe atë jo vetëm e falën fare, por e bënë edhe deputet

***

Shqipërisë më mirë t'i kishte mbetur komunizmi, se sa i mbetën komunistët.

***

Është më mirë kur punët e shtetit i drejtojnë pasanikët. Për këtë ka dy rrugë: ose pasanikët të bëhen ministra, ose ministrat të bëhen pasanikë! Në vendin tonë po ndodh kjo e dyta: vjedhjet tek ne bëhen me pikësynime të ndershme.

***

Skleroza është një sëmundje fantastike që të sjell vetëm lumturi. Ajo bën që ti çdo mëngjes, të gdhihesh në krevat me një grua tjetër!.. (Megjithëse është gjithmonë po ajo, e njëjta!)

***

Paraja i prish njerëzit, i bën të këqinj. Është për këtë arsye që shqiptarët, sot, mbahen si njerëzit më të mirë në botë

***

Njëherë vaktit, shteti i rripte lëkurën individit, për të mirën e përgjithshme. Sot, për të mirë të tyre, ca individë po i rrjepin lëkurën e përgjithshme shtetit!

***

Politikanët shqiptarë i shohin milionat e grumbulluara nga kundërshtarët, jo si objekte për t’i hetuar, por si objektiva për t’i tejkaluar.

***

Demokracia tek ne po vonon të shfaqet. Shënjat që ajo do të ketë ardhur do të jenë ato ditë, kur teksa na ndërrohen qeveritë, nuk do të na ndërrohen doganierët.

***

Sa mirë që gazetat i kemi të pavarura! Botuesit, ama, duhen varur.