Andej-Këtej

Çfarë kanë më tepër se ne të huajt? - Nga Klodi Stralla

Nga: Klodi Stralla

Përsiatje në ditët e fundvitit 2019

Para disa muajsh, i ulur në një kafene në qendër të Bambergut, një qytet gjerman shumë i bukur e artistik në landin e Bavarisë (mbrohet nga UNESCO), mendohesha se çfarë i dallon nga ne, shqiptarët, këta gjermanët që kanë ketë rregull e disiplinë, që e kishin edhe paraardhësit e tyre 1000 vjet përpara, me kështjella, faltore, ndërtesa të bukura prej guri e mermeri për të jetuar gjatë, rrugë të shtruara dhe pa gropa, lulishte e pyllëzim kudo, dëshmi të një pasurie dhe fryt i punës së perbashkët i një populli të tërë?

Këtu nuk është fjala vetëm për qendrën, si tek ne, por për qytetin e rrethinat në tërësi. Rrugë të pastra, sinjalistikë, gjelbërim, lule kudo, hapësira të lira plot dritë e frymëmarrje, kudo rregull e respekt i normave të sjelljes në jetën e përbashkët. Fatmirësisht mësova se, këtë rregull e këtë lloj jetese, e pëlqejnë dhe e respektojnë edhe shumica e shqiptarëve që jetojnë e punojnë këtu.

- Duke menduar kështu e kupton se gjithçka është rezultat i punës së përbashkët të njerëzve gjatë shekujve, e pranimit të asaj që kanë arritur të tjerët para teje dhe vullnetit e dëshirës për t’i çuar këto arritje më tej, gjë që nuk bëhet dot nga ne, shqiptarët, që e fillojmë çdo punë me mentalitetin e ‘vitit zero’ - gjithçka e mirë e me vlerë fillon me mua, sundimtarin e radhës!

- Tek ne gjithkush mendon individualisht, vetëm për vete dhe për klanin e tij, rezultat i bindjes së gabuar se përfitimi individual nuk kalon përmes përfitimit kolektiv. Kjo ka ndodhur për shekuj me radhë dhe, fatkeqësisht, vazhdon të ndodhë, për të njëjtat arsye, edhe sot, edhe pse jemi të detyruar të jetojmë në të njëjtin vend, të detyruar për të qenë të ndërvarur, pa të parë e të dytë, por të gjithë të barabartë para ligjit. Një pjesë e jona vazhdon ende të përjashtojë pjesën tjetër nga jeta ekonomike, politike e kulturore e vendit, vetëm se ajo mendon ndryshe dhe s’i përket klanit të radhës. Emigrimi i trurit na ka shoqëruar në shekuj!

- Gjermanët e kanë kuptuar se interesi i mbarë shoqërisë është që të inkurajohen njerëzit më të aftë e më te mirë, sidomos ata që do të drejtojnë punët publike; se kushdo që grumbullon më shumë pushtet apo rri gjatë në të, i pakontrolluar, sado i mirë të jetë, mundësia të gabojë është shumë më e madhe. Prandaj zgjedhje të lira e të ndershme, kontroll periodik i të zgjedhurve, shoqëruar edhe me vendimarrje publike (referendume) - kjo është rruga më e mirë e harmonizimit të interesave të individit me shoqërinë.

Modeli është, vetëm duhet ta dëshirojmë, pranojmë e zbatojmë sinqerisht. Ja këtë e kemi shumë të vështirë ne shqiptarët që parapëlqejmë e shijojmë më shumë demagogun e rradhës. Gjenetike apo historike? Pak nga të dyja!