Andej-Këtej

Dylqinja e Tobozës dhe “Dylqinja e Tironës” - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini

Shumë kohë më parë në një ishull ëndrrash ka jetuar një kalorës që çuditi me bëmat e tij Europën mbarë! Luftoi me përbindësha dhe i shtriu përtokë aq sa gjaku kulloi nga fuçitë e verës?! Mposhti mullinjtë e erës që ishullin e Mançës donin të shkretonin! Fitoi lavdi, por i pafat qe në dashuri! Zemra i digjej flakë për “Dyqinjën e Tobozës”…

Edhe Kalorësi Shqiptar, në dashuri ka rënë me “Dylqinjën e Tironës”!?

Pasi shtriu përtokë përbindëshin “Korrupsion” aq sa gjaku shkoi deri në gju edhe tek Astiri, hodhi me tuç opozitën, pastroi mullinjtë e erës nga Pallati i Drejtësisë dhe i mori nga koka kurorën mbretërore “Mbretit Korona”, me meritë fitoi nga shqytarja e tij titullin “Skënderbe”, për nder të gjithë betejave të fituara!

Aq e madhe qe lavdia, sa si dikur Skenderbeu i Parë dërgoi ne Italinë fqinje tridhjetë kalorës me bluza të bardha, që dhanë kotributin e tyre në dobësimin e fuqisë së “Mbretit Korona”! Respekt për ta, sidomos për këtë të fundit që asgjë s’ka për t’u sharë. Por për të fituar titullin “Don” që ka 20 vjet që e kërkon, që kur ishte Ministër Kulture, duhet të rrëmbejë “Dylqinjën e Tironës”! Po, të nderuar miq, kështu quhet toka ku është ngritur ndërtesa e Teatrit Kombëtar, ku sot po luhet akti i fundit i tragjedisë së mbijetesës. Pikërisht në këtë skenë ku janë luajtur tragjeditë e Eskilit, Shekspirit, aty ku Prometeu vuajti dënimin nga Zeusi se zjarrin ia “vodhi” Perëndive…

Me projekte që spontanisht vinin nga firma “Fusha”, që do të bëjë fushë Teatrin e Kombit dhe pastaj do të ngrejë ca kulla të pafajshme, me raporte “specialistësh” që na sugjerojnë shembjen pasi edhe një termet tre ballësh do ta shembte përtokë. Por JOOO, kjo ndërtesë fisnike përqeshi edhe forcën e tërmetit që rrafshoi shumë godina betonarmeje dhe sfidoi makutërinë e kullo-oligarkisë, pasi në të po “flijohen” bashkë me “Shpirtrat e Artistëve të Parajsës” edhe disa ëngjëj mbrojtës me titullin e thjeshtë “Aktor”!

Një muze per bre..t e Violeta Manushit apo një skenë ku jehon zëri i Naim Frashërit?

Pse po boni gjithë kët gjullurdi, për kët godinë? E doni ta mbani muze për brekët e Violeta Manushit? Kështu iu hakërrye dikur aktorëve Kryeministri ynë, atëhere Ministër Kulture, kur e kundërshtuan projektin e tij për të ngritur një kullë me një teatër brenda?! Joooo u përgjigjën ata! Në këtë skenë kumbon zëri i Kadri Roshit, pulson regjia e Piro Manit… u shua zëri i Naim Frashërit …

Historia shqiptare ka shumë barbarë që shkatërruan memorien, identitetin tonë kombëtar. Dikur një toger i Zogut i quajtur Ismail Kuçi, për të ngritur burgun e kalasë së Gjirokastrës, që njihet si burgu i “shtatë penxhereve”, prishi bedenat në formë dantelle si dhe pjesë të ujësjellësit ajror të  mbijetuar të kalasë së Gjirokastrës, që Ali Pashë Tepelena ndertoi.

Quhet burgu i “shtatë penxhereve”, pasi ka shtatë dritare ku të burgosurit shihnin dritën e diellit. Me këtë fakt u njoha kur si student po bëja një temë studimore dhe kërkova ndihmën e historianit Lefter Dilo që më ofroi një artikull të botuar në gazetën “Pararoja” të asaj kohe, ku ai përshkruante këtë masakër. Aq shumë bujë bëri ky artikull për kohën, sa deri te shoku Enver vajtën ankesat për Lefter Dilon pasi “barbari” Kuçi kishte merita edhe në Luftën Nacional-Çlirimtare

Odiseu yne, hiq dyllin që “Fusha” të ka vënë te veshët për të ngritur kullat e shëmtimit, që të dëgjosh sirenat hyjnore të Artit!

O heronjtë tanë që keni dy vite që po luani aktin final të tragjedisë për të mbrojtur shtëpinë e kulturës, historisë dhe artit. Njerëzorë e të thjeshtë deri në dhimbje! Aty ku u luajtën tragjeditë e Eskilit dhe Shekspirit, dramat e Ibsenit dhe komeditë e Molierit, ju shkruat historinë tuaj!  Nga shumë larg po ju shkruaj Edmond&Robert Budina, Neritan Liçaj, Mehdi Malkaj e shume të tjerë, me vargjet e Rilindasve tanë të vërtetë:

"Asht toka jonë…të parët na e kanë lanë

Mos ta prek kush, se desim të tanë!"