Fjalorth shqip-shqip nga Edison Ypi
- Published in Andej-Këtej
Patriotizëm - Teori dhe praktikë folklorike gjërësisht e përhapur në ditët e sotme që të vë në dyshim gjithçka të ka rrënjosur edukata familjare dhe ke mësuar në libra seriozë: Vlerat njerëzore, rregullat e jetesës në komunitet, respektin e ndërsjelltë, rrënjët pellazge, prejardhjen ilire, Skënderbeun, pushtimin turk, Ali Pashën, Rilindjen, Pavarësinë, Mbretërinë, Demokracinë, Pluralizmin, Zgjedhjet e lira, lirinë e shprehjes, përkatësinë europiane.
Politikë - Sport popullor mbarëkombëtar me të cilin mund të merren të gjithë. Prej fanatikëve syskuqur të kafeneve që u telefonojnë televizioneve në mëngjez për tu bërë thirrje qeverive të botës tu ndihmojë në kruarjen e bythës, deri te çdo bandit, hajdut, mafjoz, halabak, që i shkrep në mendje të bëhet deputet.
Gazetë - Diçka që dihet se çfarë është, por përderisa del me humbje se nuk e blen askush, nuk dihet si dhe pse ekziston, si mbijeton.
Televizion privat - Barrakë e ngritur prej dikujt që ndërton grataçiela ku gatuhen habere të manipuluara për të shantazhuar qeverinë ti japë leje ndërtimi abuzive dhe favore e paligjshmëri të tjera që njeriu normal nuk është mirë ti dijë se luan mendsh.
Militant politik - Shejtanbudalla i paskrupullt, fundërrinë shoqërore, plehër njerëzore në pritje të kockës së ardhshme që duke zënë hapësirën që normalisht i përket një idealisti të vërtetë e çon partinë në greminë.
Hashash - Bimë medicinale kurative ose vdekjeprurëse, kultivimi i të cilës s'dihet pse pengohet përderisa viktimat më të shumta i shkakton nëpër metropolet europiane, ndërsa me paret që mbeten këtu begatohet Shqipëria, janë ndërtuar dhe vazhdojnë të ndërtohen vila dhe plot mrekulli të tjera.
Analist - Çdo rrugaç gagaç që politikën e interpreton me të njëjtin fjalor dhe të njëjtën papërgjegjësi si ndeshjen e futbollit.
Opinionist - Zagar i paguar për ta ndërruar pllakën sa herë nuhat erën e llokmës.
Korrupsion - Sëmundje e pashërueshme e tokës arbnore.
I korruptuar - Dikush që s'ka arsye të mos jetë i tillë përderisa gjithë kohën është I rrethuar nga të ngjajshëm.
Luftë - Sakrificë sublime e pakushtëzuar për të mirën e Atdheut. Por halli se ndodh gjithmonë larg. Në vende që nuk i gjen dot. As me Google Earth e as me GPS. Atje ku nuk është e mundur të verifikohet nëse vërtet ka ndodhur. Ku, e shumta, gjen një lapidar me një mbishkrim që flet për sulmin fshehtas nga maja e malit të një çete ndaj një autokolone që po kalonte andejpari. Çeta iku. Autokolona dogji katundin. Lufta është diçka që pasardhësit e Skënderbeut nuk e kanë bërë kurrkund tjetër veçse në Kinostudion Shqipëria e Re.
Roman - Qindra faqe të shkarrashkruara jo për tu lexuar, vetëm për të bërë një promovim, për të përhapur një nam, për të marrë ca pare.
Diplomat perëndimor në Tiranë - Nëpunës i emëruar në ambasadën përkatëse ku e ku më i qytetëruar e i shkolluar se diplomatët tanë që janë copa mishi. Kur qëndrimet e këtij nëpunësi nuk pëlqehen, shqipua hakmerret ndaj ndaj tij në mënyrën më skifoze dhe më kontraproduktive të mundshme; ia deformon fotografinë në Photoshop dhe ia nxjerr në Fejsbuk.
Artist - Gjithkush që thotë se era e blirit e deh, hëna e fut në mendime, tingujt e lahutës dhe lypsarët e rrugës e bëjnë ti ikin lot.
Aktor - Gjithkush që përveçse ka luajtur ca role në skenë hiqet dhe orator, arkitekt, urbanist, antikorrupsionist.
Teatër - Barrakë fashisto-komuniste që pasi zbrazi trutë e shqiptarëve, u zbraz edhe vetë.
Shkrimtar - Çdokush që shkruan libra me rrena, historinë e katundit, jetën e manipuluar të xhaxhait dëshmor, kujtime nga luftra imagjinare, dhe ç'i thotë mendja duke ikur rrugës.
Poezi - Fjalë magjike të thurura në vargje që i mësojnë përmendësh ca budallenj si puna ime.
Poet - Një derdimen pa asnjë talent apo frymëzim mbetur ora te gazeta “Drita” rrotull të cilit nuk mungojnë kurrë ca hajvanë që e ngrenë në qiell me komplimenta duke pirë birrë të ftohtë shoqëruar me salcë kosi dhe panine të ngrohta dhe duke fshirë buzët me gazetën “Panorama” me në faqen e parë fotografinë e kurvit.
Prozë - Grafologji e bërë me shatë e lopatë mbi një ranishte që nuk mund të jetë as vreshtë as ullishtë nga gjithkush që e mban veten për të ndjeshëm dhe të ditur.
Prozator - Grafoman i papërgjegjshëm që shkruan e shkruan pafund, teksti i të cilit ka vetinë e rrallë të jetë i shkrueshëm por jo dhe i lexueshëm.
Thikë - Send metalik prej çeliku të fortë dhe të mprehtë që vlen për tu prerë gurmazin atyre që votën e blejnë.
Hell - Hu i trashë druri me gunga dhe thepa që vlen për t’ua shkuar tejpërtej nga poshtë lartë dhe për ti pjekur javash-javash mbi prush ata që votën e shesin.
Votim - Shpikja më e mrekullueshme e njerëzimit, rregullat e të cilës, shqiptarët, po ashtu si pjesët e pushkës dhe kundragazit të zborit nuk i mësuan kurrë.
Zgjedhje lokale - Fundi i përpjekjeve disavjeçare për të vënë në krye të kopesë çakallin që ha kërrma.
Zgjedhje parlamentare - Lojë e kushtueshme për të vënë të bëjnë ligje ata që janë të parët që nuk i zbatojnë.
Fejsbuk - Vendi më i përshtatshëm për ta paraqitur veten ashtu si s'je.
Instagram - Hale me brisqe rroje, zorra uji, sapuna, legena, peshqira, ku bëhen selfie aq të përsosura sa mashkullit i heqin çdo kuriozitet për skutat dhe humnerat e thella të femrave që u kushton 1 milionë dollarë 1 qime pridhi.
©Edison Ypi



