Alternativë - Nga Kastriot Fetahu
- Published in Andej-Këtej

Kastriot Fetahu - Çikago
Nuk e di pse mendimi im, "bredh" edhe këtu ku jam, në aty ku isha. Atdheu është në mëndjen tënde në mënyrë të pakuptueshme. Dhe fillon e mendon natyrshëm, për çfarë le pas dhe çfarë duhet bërë.
Aty, se di pse ka shumë egërsi. Këtu, butësia dhe toleranca janë statusquo.
Aty, arrogancë dhe prag konflikti kudo, që nga dalja e shtëpisë e deri në kthim. Këtu, ka qytetari në çdo aspekt jete.
Aty, polic që të shikon vëngër. Këtu, ai të përshëndet miqësisht.
Aty, nuk ndihesh i lirë. Këtu, nuk di ç'të bësh me lirinë.
Aty, të dhunon makina e shtetarit në rrugë. Këtu, nuk e di se kush është shtetari.
Aty, ndërton strategji kur shkon në zyra, sepse je i dyzuar gjithmonë për zgjidhjen e problemit që ke. Këtu, zyrat nuk e di se ku janë dhe kur shkon atje, zyrtari i buzëqeshur është në shërbimin tënd.
Aty, të fut partia në punë. Këtu, partia më duket abstraksion.
Aty, shefi i zyrës është i partisë në pushtet. Këtu, partia "nuk shkon kurrë", në zyrën ku punon Ti!
Aty shoqëria civile paguhet nga qeveria. Këtu, termi shoqëri civile është inekzistent, sepse Liria dhe mekanizmat e saj, garantojnë për funksionimin e shoqërisë.
Aty, është fasadë dhe heshtje. Këtu, përmbajtje dhe substancë në çdo gjë.
Aty, të përshëndesin se je dikushi. Këtu, "hello" është universale.
Aty, i vobekti përbuzet. Këtu, ai nuk egziston.
Aty, asistenca ka vlerën sikur të jesh një lypës. Këtu, lypësi ka dinjitet.
Aty, egërsia e kryeministrit përcillet si grusht i hekurt "fitorjeje" mbi ata të tjerët, nga të tijtë, sot edhe prej 30 vitesh. Këtu, presidenti i shërben vetëm Amerikës së pandarë, në "Ne dhe Ata".
Aty, veshja e kryeministrit përbën gjithmonë lajm. Këtu, asnjëherë, se kodi zyrtar nuk të lejon të ndryshosh, pasi je në shërbim të popullit.
Aty, opozita bën sikur. Këtu, opozita është "morsa filtër", ku ti shpëtosh asaj, është mission impossible.
Aty, zhurmojnë bisedat politike boshe kudo. Këtu, politika e ka emrin punë.
Aty, ekziston ligji i dekriminalizimit për deputetët. Këtu, as para një shekulli, Al Kapone, "njeriu me shënjë", nuk u bë dot kongresmen.
Aty, fëmijët edukohen, "ja ai xhaxhi, bëhu si ai". Këtu, për ata është e bukur çdo gjë dhe "xhaxhi" nuk egziston.
Aty, fëmija i kryebashkiakut është mediatik. Këtu, nuk dihet, a ka fëmijë Ai?!
Aty, "fundjava" është koncept për pakicën. Këtu, ajo është e zhurmshme dhe masive.
Aty, në radha nuk njihet respekti. Këtu, edhe pleqtë të thonë kalo, nëse ke vetëm një gjë për të blerë.
Aty, për Ardit Gjoklajn, një gazetare u pushua nga puna. Këtu, për George Flloyd, protestohet fuqishëm edhe pas 6 muajsh.
Aty, nëpër media dhe televizione "të mbysin" VIP-at që banojnë në shtëpi me qera, që e "rozojnë situatën". Këtu, Kate Perry, që u pagua 25 milion dollarë për "Amerikan idol", nuk duket gjëkundi në media.
Aty, je qytetar pa vlerë, aq sa edhe vota jote, nuk është e jotja. Këtu, je emigrant i respektuar si amerikan.
Aty, popull në arrati dhe i asfiksuar nga establishmenti politiko-oligarkik. Këtu, populli zot i fateve të tij.
Aty, eh aty, sa gjëra ka për të ndryshuar. Sa do doja që edhe aty të quhej "këtu".
Aty, është "këtu" vetëm për një pakicë. Këtu, as si histori, nuk egziston ajo "aty" e jona.
Luftoni që ta transformoni në "këtu", atë realitetin tuaj "aty"! Liria e vërtetë është themeli i tij dhe ajo është në dorën tuaj.
Liria dhe diktati nuk bashkjetojnë dot kurrë. Liria juaj, i trëmb ata që ju kanë sjellë në atë situatë "Aty"!
Ju kanë lënë vetëm "copëza" Lirie në përdorim!
Kthejani të plotë, LIRINË vetes suaj!



