Andej-Këtej

Presidentë, epidemi dhe zgjedhje - Nga Shefqet Deliallisi

E kaluara është bërë e tashme. Epidemitë e sëmundjeve infektive që mendohej se përbënin vetëm interes historik, po kërcënojnë përsëri seriozisht njerëzimin. Përvojat e presidentëve amerikanë, nga Willson tek Trump, në përballjen me to japin mësime të vlefshme...

Presidenti Wilson

Pandemia e "Gripit spanjoll" e viteve 1918-1919, është më vdekjeprurësja në historinë e njerëzimit, 50 milion vdekje, ekuivalente me 200 milion në popullsinë e sotme botërore. Për më shumë se një shekull ajo është marrë si pikë referimi me të cilën janë matur gjithë pandemitë e tjera.

Në vjeshtën e 1918, "gripi spanjoll" përfshiu Shtetet e Bashkuara. Amerika ishte në Luftën e Parë Botërore. Presidenti Woodrow Wilson, nuk lëshoi asnjë deklaratë publike për rrezikun që kërcënonte. Ndërsa njerëzit pranë tij në qeveri zbukuronin gjendjen: "asnjë alarm, thjesht është një grip i zakonshëm me emër tjetër". Kulmi arriti kur një paradë ushtarake, më e madhja në historinë e Filadelfias u organizua, duke injoruar kundërshtimin e fortë të ekspertëve. Dyzetetetë orë më pas virusi u përhap në gjithë qytetin nga ushtarët e paradës të kthyer nga fronti. 12,500 të vdekur në pak ditë. Shtëpitë rrugët, u mbushën me kufoma, që më pas përfunduan në varre masive. Epidemia ishte injoruar për të luftuar luftën...

Presidenti Ford

Në fillim të vitit 1976, Amerika ishte në prag të zgjedhjeve presidenciale. Presidenti Ford, që u emërua pas dorëheqjes së presidentit Nikson (skandali i Watergate), kërkonte rizgjidhjen. Epidemia e "Gripit të derrit" që pritej të godiste Shtetet e Bashkuara, krijoi panik të madh. Në Fort Dix të New Jersey një ushtarak kish vdekur dhe shumë të tjerë u sëmurën rëndë. Virusi shkatar, H1N1, dukej shumë i ngjashëm me atë të "gripit spanjoll" të tmerrshëm.

Presidenti Ford reagoi me një plan tepër të guximshëm për prodhimin e shpejtë të një vaksine dhe imunizim masiv të gjithë popullatës. Por koha shumë e shkurtër, për të hedhur në përdorim vaksinën, frikësoi sigurimet shëndetsore nga mundësia e një rreziku të mundshëm dhe bëri të mos pranonin mbulimin e shpenzimeve. Për të njejtën arsye dhe prodhuesit e vaksinës u tërhoqën.

Megjithatë një sasi e vogël vaksine u prodhua. Nga mesi i Tetorit (zgjedhjet ishin në Nëntor), filloi vaksinimi. Ndër të parët që u vaksinua ishte vetë presidenti...

Por, shpejt pas vaksinimit u raportuan vdekje sporadike të lidhura ndoshta me vaksinën dhe disa raste të sindromës Guillain-Barre, një çrregullim i rrallë, tepër i rëndë në të cilin sistemi imunitar duke sulmuar nervat, paralizon gjithë organizmin. Këto ngjarje krijuan panik. Vaksinimi u ndal. Për më tepër, kur pandemia që pritej nuk po shfaqej, madje s'ndodhi kurrë. Plani Ford u tërhoq. Thuhet se kjo mund të ketë ndikuar në humbjen e tij në zgjedhjet presidenciale atë Nëntor.

Presidenti Reagan

Kur HIV/AIDS goditi Amerikën në vitin 1981, presidenti Reagan heshti. Madje gjatë gjithë mandatit të parë. As konferenca për shtyp... as nuk shpenzoi miliarda... Megjithatë u rizgjodh president me më shumë vota në mandatin e dytë.

Ajo që tërheq vëmendjen e studiuesve në biografinë e presidentit Regan, është se asnjë fjalë nuk është thënë për epideminë e HIV/AIDS. Biografët e tij kanë injoruar mosveprimin e presidentit, ndonëse dëmet e kësaj pandemie janë shumë të mëdha: 75 milion të infektuar, 32 milion të vdekur?!

Të paktën në teori thuhet se HIV mund të ishte frenuar në vitet '80, por kjo s'ndodhi. Terapia e efektshme antiretrovirale që hyri në 1996, zvogëloi në mënyrë dramatike vdekshmërinë e lidhur me AIDS, por nuk i dha fund asaj. Vaksinë... ende s'ka.

Presidenti George W. Bush

Në verën e vitit 2005 i ndodhur me pushime në fermën e tij në Teksas, Presidenti George W. Bush lexoi librin e sapo botuar "The Great Influenza", (Gripi i madh) të John M. Barry, që i kushtohej pandemisë së gripit spanjoll 1918. Libri e impresionoi për katastrofën e shkaktuar. Sapo u kthye në Zyrën Ovale, mblodhi këshilltarët: "Ky tmerr ndodh çdo 100 vjet. Nëse e presim një pandemi të shfaqet, do të jetë tepër vonë. Na duhet një strategji kombëtare"- dhe paraqiti propozimet e tij për personel mjekësor, shtretër spitalorë, pajisje mjeksore, maska e pajisje mbrojtëse, shtim të kapaciteteve për zhvillim të shpejtë të një vaksine...

Përpjekjet vazhduan për tre vjet, por të tjera kriza spostuan përparësitë. Megjithatë, presidenti George W. Bush thuhet që hapi rrugën e planifikimit global dhe hodhi bazat e përgjigjes federale të sotme ndaj COVID-19.

Presidenti Obama

Sëmundja e shkaktuar nga virusi Ebola, njohur më parë si ethet hemorragjike, është e rrallë, por e rëndë dhe shpesh fatale. Shpërthimet e para epidemike të virusit ndodhën në fshatra të largëta të Afrikës Qendrore, pranë pyjeve tropikale. Epidemia më e madhe dhe komplekse e Ebolës ishte ajo e 2014-2016 në Afrikën Perëndimore që u përhap nga Guinea, në Sierra Leone, në Liberi.

Në Shtetet e Bashkuara rastet e para u raportuan në Shtator 2014. Kjo bëri që presidenti Obama të reagojë fort. Stategjia e tij ishte: "Duhet të vazhdojmë ta mbajmë rolin e liderit global, si mënyra më e mirë për të ndaluar këtë epidemi. Për t'i mbajtur amerikanët të sigurtë, mënyra më e mirë është ndalimi i epidemisë në vatrën e saj, në Afrikë".

Dhe ashtu u bë. Trupa ushtarake e personel mjekësor u dërgua dhe qendra për trajtimin dhe trajnimin kundër Ebolës në vatrën e infeksionit u ngritën. Ndonëse eksperienca e fituar rezultoi e vlefshme, më pas shqetësimi u konsiderua i tepruar mbasi reziku i përhapjes kish qenë i vogël...

Presidenti Trump

Pritej që në menaxhimin e pandemisë COVID-19, Amerika të merrte rolin e lidershipit botëror. Kjo s'ndodhi. Përkundrazi. Shtetet e Bashkuara mbajnë vendin e parë në botë për numrin e vdekjeve dhe të infektuarve nga COVID-19.

Kritika të forta për Trump: "s'veproi me shpejtësi për parandalimin e përhapjes së virusit...

Euforia e pa mbështetur shkencërisht: "jemi shumë të përgatitur. Situatën e kemi plotësisht nën kontroll... në prill virusi do zhduket..." do deklaronte presidenti.

Deklarata bombastike për trajtime të paprovuara të efektshme: "ilaçe që do të ndryshojnë historinë e mjekësisë" për antimalarikët. Plazma konvaleshente e përdorur që 100 vjet më parë..." shumë e sigurtë dhe e efektshme", ul vdekshmërinë me 35%, e jashtëzakonshme"!

Dhe për vaksinën që pritet: “Kemi bërë një punë të mrekullueshme, jemi shumë pranë një vaksine...gati për shpërndarje para zgjedhjeve presidenciale të tre Nëntorit.”

Por është e mundur? E ka provuar një ngut me vaksinë edhe presidenti Gerald Ford në vitin 1976, edhe ai në mes të fushatës elektorale...

I dyzuar është edhe eksperti i lartë i sëmundjeve infektive Dr. Anthony Fauci i cili për CNN tha: “E mundshme që ta keni deri në Tetor vaksinën, megjithëse mendoj se nuk ka për ngjarë”?!

Duke e mbyllur…

Në të gjitha zgjedhjet presidenciale amerikane Reforma Shëndetësore ka qenë kali i betejës. Përsëri kalë beteje edhe në këto zgjedhje është shëndeti, por jo reforma por menaxhimi i pandemisë COVID-19. Sfiduesi i Trump, Joe Biden në inagurimin e tij lëshoi akuza të rënda: "Presidentit Trump nuk merr asnjë përgjegjësi për përhapjen e sëmundjes...Refuzon të udhëheqë...Nuk ka ende një plan për të luftuar pandeminë...Nuk arriti ta mbrojë Amerikën…Kjo është e pafalshme”.

Dita e zgjedhjeve po afron me shpejtësi. Do ndikoje pandemia? Nuk dihet. Ajo që dihet, ka ndikuar tashmë në sondazhet që nxjerrin Biden përpara, por jo gjithmone ato janë gjithçka.

Ndërsa beteja elektorale është në fundin e saj, beteja me pandeminë ka ende rrugë të gjatë... Në shekullin e kaluar askush s'ka qenë në gjendje ta ndalojë plotësisht përhapjen e viruseve, as me vaksina, as me barna antivirale. "Premtimi i plumbit magjik nuk është përmbushur kurrë", thotë historiani i njohur i mjekësisë, Allan Brandt.

@Shefqet Deliallisi