Andej-Këtej

Presidenti Trump diagnostikohet me Coronavirus - 5 pyetje, 5 përgjigje

Çfarë do të ndodhë me fushatën zgjedhore të Donald Trump?

Në përputhje me rregullat e autoriteteve të shëndetit publik amerikan, presidenti amerikan duhet të vendoset në karantinë deri në 15 Tetorin e ardhshëm, ditën kur ai do të duhej të kryqëzonte përsëri armët me Joe Biden gjatë debatit të dytë televiziv në Miami. Zhvillimi i këtij takimi tani është e pasigurt. Donald Trump është dërguar pasdite në Walter Reed National Military Medical Center, Washington. Shtëpia e Bardhë anuloi tubimin e sotshëm në Sanford, Florida, por edhe dy vizitat e planifikuara nesër në Wisconsin. Sëmundja e presidentit pritet ta shmangë atë nga mbajtja e mbledhjeve publike për dy javët e ardhshme. Gjithsesi, lideri i Republikanëve në Senat pohoi që diagnostikimi i Donald Trump me Coronavirus në asnjë mënyrë nuk do t’i ndryshojë planet për të përshpejtuar procesin e emërimit të Amy Coney Barrett për të zëvendësuar Ruth Bader Ginsburg në Gjykatën e Lartë.

A mundet që shëndeti i presidentit të anulojë zgjedhjet?

Procesi zgjedhor ka nisur tashmë në Shtetet e Bashkuara. Deri tani, më shumë se 2 milion njerëz kanë votuar dhe asgjë nuk mund ta ndalojë më atë. Në përputhje me kushtetutën e SHBA data e votimit 3 Nëntor mbetet e pandryshueshme, ashtu si dhe data e betimit të presidentit të ardhshëm në 20 Janar 2021 në mesditë. Anulimi nuk ka ndodhur kurrë në historinë e SHBA, por nëse një kandidat presidencial do të largohej nga gara, atëherë do të varet nga partia e tij politike të caktimi i një pasardhësi. Nëse presidenti aktual duhet të tërhiqet nga Zyra Ovale për arsye shëndetësore, është zëvendëspresidenti, në këtë rast Mike Pence, i cili më pas duhet të ushtrojë detyrën e presidentit deri në fund të mandatit presidencial.

A mund të shkaktojë sëmundja e Donald Trump një valë simpatie në favor të tij?

Prillin e kaluar, Kryeministri Britanik Boris Johnson, pas infektimit me Coronavirus e pa popullaritetin e tij papritmas të kalojë nga 44% në 66% brenda disa orësh nga shtrimi i tij në pavionin e kujdesit intensiv, ndërsa vlerësimi i tij nga publiku tani është në nivelin më të ulët, 35%. Britanikët në shumicë duken të pakënaqur nga menaxhimi i pandemisë prej Johnson. Për Donald Trump, efektet e sëmundjes së tij në opinionin publik janë ende të pasigurta. Gjëndja jo e mire shëndetësore bie në kundërshtim me imazhin e kolosit të shëndetshëm që ai ka krijuar deri më sot. Donald Trump, 74 vjeç, i konsideruar nga mjeku i tij si person “teknikisht me mbipeshë”, hyn në kategorinë e personave me risk të lartë në se preken nga Covid-19. Nga ana tjetër, historia ka treguar se paaftësitë e përkohshme shëndetësore të një presidenti kanë ndikuar në disa raste në favor të rizgjedhjes. Pasi i shpëtoi vdekjes nga një atentat në 1981, Ronald Reagan u rizgjodh bindshëm në 1984. Vdekja e presidentëve gjithashtu ka treguar që favorizon qëndrueshmërinë e partisë së tyre në pushtet. Duke humbur jetën e tij në zyrë më 1923, Warren G. Harding, u hapi derën për 10 vjet më shumë Republikanëve në Shtëpinë e Bardhë. E njëjta gjë vlen edhe për vdekjen e Kennedy në 1963, që favorizoi zgjedhjen e Lyndon Johnson një vit më pas.

Si u prek Donald Trump nga Covid-19?

Zinxhiri i mundshëm i infektimit duket se ka kaluar përmes këshilltares së tij të re Hope Hicks, e cili u diagnostikua të enjten pozitive. Ajo ka qenë afër Donald Trump në aeroplanin presidencial dhe helikopterin presidencial këtë javë. Shtëpia e Bardhë raportoi të premten që vajza e Donald Trump Ivanka dhe burri i saj Jared Kushner ishin testuar negativisht për Covid-19. Djali i vogël i presidentit, Barron, 14 vjeç, gjithashtu. Menaxheri i fushatës së Donald Trump, Bill Stepien, i dërgoi një njoftim ekipit të tij të premten duke u bërë thirrje anëtarëve të "hynin menjëherë në karantinë" nëse kishin rënë në kontakt me dikë që është deklaruar pozitiv. Kryetarja demokrate e Kongresit, Nancy Pelosi duke konfirmuar që zëvendëspresidenti Mike Pence ka rezultuar negativ pas testimit pohoi se "vazhdimësia e qeverisë është e siguruar". Ajo gjithashtu denoncoi sjelljen e presidentit amerikan i cili, sipas saj, duke mbajtur tubime publike dhe duke shmangur mbajtjen e maskës, i ka bërë "ftesë të drejtpërdrejtë virusit". Ndërkohë, edhe Joe Biden doli negativ pas testimit të sotëm.

Cilët janë udhëheqësit e tjerë aktualë të diagnostikuar me COVID-19?

Donald Trump është i fundit nga populistët në pushtet që preket nga Coronavirusi, pas Boris Johnson në Mbretërinë e Bashkuar dhe Jair Bolsonaro në Brazil. Të tre u dalluan në fillimet e pandemisë për minimizimin e rrezikut të sëmundjes dhe dënuan masat mbrojtëse të shpallura nga autoritetet e tyre të shëndetit publik. Boris Johnson, pasi kaloi një formë të rëndë të sëmundjes u kthye në detyrë me më shumë vëmendje ndaj asaj që po ndodhte, por gjithsesi nuk e ndryshoi qasjen e tij në menaxhimin e pandemisë. E njëjta gjë vlen edhe për Jair Bolsonaro, i cili pas simptomave të lehta dhe shërimit u shfaq akoma më arrogant përballë mesazheve të ekspertëve të shëndetit publik.

©Flasshqip.ca