Rusia e konsideron sistemin zgjedhor të USA si një nga më arkaikët në botë
- Published in Andej-Këtej
Ndërsa Rusia ka heshtur pas fitores së Joe Biden të kontestuar nga Donald Trump, Kremlini zyrtar nuk i ka kursyer gjithsesi kritikat mbi procesin. Ministri i Jashtëm rus të enjten (12 Nëntor) e quajti sistemin zgjedhor amerikan si një nga më arkaikët në botë. "Ata kanë pa dyshim sistemin elektoral më arkaik ekzistues midis disa vendeve më të zhvilluara," tha Sergey Lavrov në një konferencë shtypi.
Ministri i Jashtëm rus kritikoi veçanërisht natyrën indirekte të zgjedhjes së presidentit, i cili zgjidhet nga votuesit e mëdhenj të emëruar nga votimi i përgjithshëm duke e cilësuar sistemin si një traditë që shtrembëron vullnetin e qytetarëve.
I elaboruar në shekullin e 18-të, ky sistem nënkupton që fituesi nuk është domosdoshmërisht ai me më shumë vota në nivelin kombëtar, por ai që fiton shtetet kyçe me numrin më të madh të votuesve të mëdhenj.
"Nëse amerikanët janë të gatshëm të jetojnë me këtë traditë e cila në mënyrë të konsiderueshme shtrembëron vullnetin e zgjedhësve [...] le të vazhdojnë", pohoi Sergey Lavrov.
Në të njejtën linjë me Presidentin rus Vladimir Putin, Sergey Lavrov ka deklaruar se Moska nuk do ta përgëzojë fituesin e zgjedhjeve derisa të dalin rezultatet zyrtare. "Urimet zakonisht dërgohen përpara se rezultatet të publikohen kur nuk ka mosmarrëveshje," Lavrov. Ndryshe nga shumica e vendeve në botë, Kina dhe Rusia nuk e kanë uruar ende Joe Biden.
Ndërkohë, kreu i Komisionit Zgjedhor të Rusisë vlerësoi të hënën, 9 Nëntor, që votimi postar në Shtetet e Bashkuara la "hapësira të mëdha" për mashtrim të mundshëm, duke i bërë jehonë retorikës së ekipit të Donald Trump.
Burimi: www.nouvelobs.com



