Andej-Këtej

Kushtetuta Republikane Amerikane më e vjetra dhe më e vyera në Botë - Nga Burim Bardhari

Rendi i Ri me “barazim mundësish dhe mbikqyrje verprimtarish (checks and balances)

Rikumbimthi thonë se Amerika nuk ka histori, mirëpo Kushtetuta e saj dallohet si një ndër më të mirat e botës, qëndrestare shekullore duke marrë parasysh zgjuarsinë e hartuesve, jo vetëm vjetërsinë por edhe vlerën që ka. Ndonëse “Karta e Madhe” (Magna Carta) britanike e shekullit të 13-të ia kufizoi pushtetin e pakufishëm mbretit përkatës, Britania mbeti monarki parlamentare që ta ruante “pasurine e përbashkët” (lexo “pasurinë e saj”) nëpër botë.

Kjo kushtetutë republikane por edhe demokratike pasiqë të dy fjalët janë të barasvlershme ose sinonime të tërthorta, (“res publika” latinisht nënkupton “çështje publike” ose “çështje popullore” njëlloj si fjala helene “demos kratos” që nënkupton sundimin e popullit), citohet më dendur se tjerat sepse lindi “Rendi i Ri” - dhe botërisht bëri bujë, mirëpo mjerisht kjo shprehje është bërë e ndyrë sepse rendi i ri botëror e ka humbur qëllimin kryesor të përmbysjes së autokracisë absolute ose monarkisë apo mbretërisë, të sundimit absolut dhe tiranisë së një individi që mund të dalë i çmendur si Neroni romak i cili vrau nënën e tij ndonëse ajo e solli në pushtet, dhunoi e dogji dhe më në fund ra në gjunjë si qeni i pabesë dhe i pasjellshëm sepse nuk i bëhej vonë paraprakisht të mbante përgjegjësi për romakët si shtetasit e nënshtruar prej tij.

Njëkohësisht nuk duhet kuptuar ngushtësisht se vetëm diktatura e mbretërisë përmban të meta qenësore sepse edhe mbretërit i shërbejnë parisë shumicore e cila e ka pushtetin e vërtetë në dorë, ndërsa mbreti është vetëm figurë zëdhënësë, pasiqë paria mund ta shfronësojë mbretin e pabindur me vullnet të përbashkët “a-la magna karta”, prandaj duhej ndërtuar dhe jetësuar sistemi i “barazimit dhe mbikqyrjes” (Anglisht: checks and balances) edhe për elitën paritare sepse kudo është e njëjta formulë 20/80 - vegjëlia 80 përqindshe udhëhiqet nga paria 20 përqindshe e cila rifreskon veten periudhtas ose kohëpaskohshëm me anëtarë rishtarë. Vetëm se duhet hedhur dritë mbi fjalën “barazim” që zakonisht ndjell frikën nga diktatura tjetër e komunizmit, sepse brenda kornizave të Kushtetutës Amerikane ajo ka të bëjë me 'barazinë' e mundësive dhe ndjekjen e lumturisë për të gjithë, jo vetëm për parinë.

Rrjedhimisht, vetë Kushtetuta Amerikane e pengoi autokracinë dhe diktaturën e individit duke e kufizuar mandatin e kryetarit të SHBA vetëm me dy mandate, por mjerisht nuk e ka gjetur zgjidhjen e diktaturës partiake të cilat parti, pozitare dhe opozitare, shpërfillin kushtetutën e shenjtë për përfitime partiake dhe del se kjo kushtetutë mbështet sundimin partiak ose partitokracinë në kurriz të popullit të mbajtur peng me lojëra politike e përçarje sepse edhe zgjedhjet kur janë të pacënuara njëra palë i mohon tekanjozisht dhe e kërcënon kushtetutën duke e njollosur si të pavlefshme.

Mirëpo Kushtetuta Amerikane është tejet përparimtare dhe trimëron përmbysjen edhe të tiranisë së qeverisë vetëm se mjerisht një gjë e tillë mund të keqkuptohet dhe të keqpërdoret nga çdokush. Që të pengohet edhe partitokracia e skajshme e qeverisë në pushtet atëherë duhet të bëhen ndryshime e përmirësime të kushtetutës që ndalon me ligj edhe krahun e skajshëm të djathtë edhe krahun e skajshëm të majtë; ndoshta drejtpërdrejt duhet shqiptuar edhe ndalimin e fashizmit me ligj edhe komunizmit, sepse këto dy rryma të skajshme janë të dështuara historikisht dhe sjellin vetëm dëm e ndasi, por njëkohësisht ruhet edhe fryma republikane e Kushtetutës Amerikane!

©Burim Bardhari