Gjyshja - nga Elena Barnabè
- Published in Andej-Këtej
Gjyshe, ky izolim, kjo zbrazëti mbytëse si një piskamë e shurdhët, po më shterojnë.
- Çfarë ta trazon shpirtin, bija ime?
- Po… kam aq shumë ëndrra, plane, projekte për të përfunduar... Më qëndrojnë të gjitha pezull, sikur gozhdë të ngulura në një rrafsh mjegulle të bardhemë, sikur një dimër sfilitës që kurrë nuk del. Ndjehem e pamundur e gjymtyrët nuk më binden. Gjithçka tretet prej kohës, me kohën, dhe unë nuk mundem dot ta zhbëj këtë ndjesi. Po humbas kohën, gjyshe.
- Jo, e shtrenjta ime, kohën nuk e humb. Edhe pse tani nuk mundesh të kuptosh, ti mund të bëhesh kohë dhe ta fitosh atë.
- Gjyshe, më ngjan krejt e pakuptimtë gjithë sa thua!
- Gatuaj bijë. Gatuaj bukën, sikurse bëhej dikur. Mbruje brumin dhe lërë të vijë dy ditë e dy netë të gjata. Mbruje ngadalë-ngadalë, duke i kushtuar kohën dhe përkujdesin e duhur. Mbruje me duar që të mund të ndjesh përbërësit si treten e humbasin tek njëri-tjetri. Përdor tharm natyral dhe lëre brumin të mbufatet ngadalë - duhen ditë, jo orë.
Gjatë këtyre ditëve, mes pritjes e përkujdesjeve, edhe pse mund të të duket kohë e humbur, në fakt, diçka po ndryshon: tek buka e mbrume, sikurse brenda teje.
Mëso si të kujdesesh për bukën e përditshme, kësisoj do të zbulosh amëshimin e ushqimit të shpirtit. Ani, do të kuptosh se e pamundura nuk ekziston.
- Pra, kjo quhet kohë e fituar?
- Po bijë. Në këtë botë vrapuese, ku çkakrejt gatitet turravrapthi, ne kërkojmë të kemi çdo gjë dhe menjeherë, sikurse bukën e përditshme.
A e njeh aromën e bukës së mbrume ngadalë? Nuk ka të ngjashme: aq e thjeshtë, sa hyjnore.
Teksa gatuan bukën, përkujdesesh, e sheh, e ndjen, bëhesh tharm i saj e ngjallesh tok me brumin. Ja pra, kjo është mbrujtja e ngadaltë: bashkë me bukën gufon edhe shpirti yt.
- Krejt çka ndodh vetë, gjyshe? Po unë, çfarë duhet të bëj?
- Asgjë, bija ime, asgjë. Është një kohë, në të cilën, të duhet të presësh, të heshtësh, të dëgjosh e të mbushësh shpirtin me aromën e bukës që mbrun magjishëm shtëpinë.
Besoji bukës sate! Besoji asaj ç’ka mbruhet brenda teje!
Përshtati në shqip: Iva Çaushaj


