Andej-Këtej

Milja e Madhërishme e Çikagos - Nga Kastriot Fetahu

 Kastriot Fetahu - Çikago

Shënime për Magnificent Mile një nga zonat urbane më të bukura në botë

Çikago është kryeqëndra e shtetit të Ilinoisit dhe një nga 10 metropolet më të mëdha financiare të Botës. Një qytet shumë i bukur me 2,7 milion banorë.  Një qytet shumë i rëndësishëm dhe historik në USA, qyteti i 1 Majit të punëtorëve dhe i Al Kapones së kronikës së zezë. Është një qytet që shtrihet buzë liqenit Miçigan, liqen në të cilin derdhet lumi i Çikagos, që kalon mes për mes tij. Kushdo që ka vizituar Çikagon, nuk e ka eksploruar bukurinë e qytetit, nëse nuk ka vizituar Miljen e Madhërishme të tij. Ajo konsiderohet si një nga zonat urbane më të bukura në Botë.

Indicien për të shkruar për Miljen e mora, sepse më intrigoi emri i saj i përbashkët me filmin Milja e Gjelbër me Tom Hanks e Majkëll Klark Dunkan në rolin e Xhon Kofi, film të cilin e kam parë shumë herë me të njëjtën kënaqësi. Milja fillon nga liqeni Miçigan dhe vazhdon në të dy anët e lumit të Çikagos. Duke vazhduar të ecim nga liqeni në drejtim të kundërt të rrjedhës së lumit, në anën e majtë kemi vetëm rrokaqiej, nga më të bukurit dhe asnjëri i ngjashëm me tjetrin. Përpara tyre shtrihen 3 rrugë të gjëra të mbivendosura mbi njëra-tjetrën, për të lehtësuar trafikun e madh të Çikagos dhe për të dalë në autostradën anës liqenit ose anasjelltas. Këto rrugë kanë deri në 8 korsi dhe rruga e poshtëme është edhe për parkim si një zonë underground.

Lumi, në të cilin nuk mungon as peshku, është i gjerë, diku edhe 150-200 metra. Në një moment kam parë një kërcim peshku në ngjyrë të verdhë të errët mbi ujë. Nga madhësia vizuale dukej se peshonte rreth 10 kilogram, por këtë s’mund ta vërtetoj Në buzë të lumit, gjithmonë nëse vijmë nga liqeni, në krahun e majtë ka trotuare me drurë dekorativë, në të cilat lëvizin këmbësorë të shumtë, që shkojnë në lokale buzë lumit, në kroçera për shëtitje me anije, apo edhe në qendrën ku mund të ushtrosh sportin e kanoes mbi lumë. Në anën e majtë të lumit ankorohen edhe anijet e kroçerave për turin arkitekturor të Çikagos, apo edhe turin tjetër të shëtitjes në liqen, sikurse edhe në anën e djathtë. Gjithashtu shikon edhe jahte e mjete lundruese të madhësive të ndryshme nga më të bukurit, që vijnë nga liqeni dhe lundrojnë në lumë në gjatësine e Miljes.

Në anën e djathtë të rrugës nga ura e autostradës, që ndan lumin nga liqeni, ka trotuar, anës të cilit janë lulishte me lule shumë të bukura që ndërrohen shpesh nga bashkia. Kam parë që edhe brenda muajit të ndërrohen tulipanët, sepse thahen dhe vazhdimisht zëvendësohen me lule të tjera të bukura. Rrokaqiejt që ndodhen në anën e djathtë të lumit, janë ndërtuar më herët nga ato të anës përballë, gjë që duket nga lloji i fasadës dhe sepse janë edhe më të ulët. Pas dy rrokaqiejve në anën e djathtë të cilat dalin lart mbi ndërtimet 3 katëshe, vjen fundi i rrugës North Mc Clurg, që mbyllet me një shatërvan, i cili me formën e tij më kujton amfiteatrin e Butrintit tonë, por më i vogël se ai. I ndërtuar me mermer me shkëlqim ngjyre kafe. Uji ka konfigurim të bukur në rrjedhjen e tij në këtë shatërvan.

Duke vazhduar në anën e djathtë të lumit, kemi ndërtime të ulëta me dyqane dhe po aty ndodhet edhe hotel Sheraton, një ndërtesë gjigante në formë "L". Në një prej lokaleve, një Irish Pub, i cili është në katin e parë të ndërtesës me numër 400 North Mc Clurg, një ngjarje aspak e bukur ndodhi kur isha i pranishëm rastësisht dhe shijonim nga një birrë me disa miq. Ky lokal ndodhet në fund të rrugës North Mc Clurg, buzë lumit dhe aty shërbehet edhe jashtë në kohën e verës, në një shesh me disa pemë, ku lodrojnë ketra që zbresin edhe në tokë për ushqim. Një endacak po trazonte koshat e plehrave, duke i hedhur mbeturinat jashtë në trotuarin buzë lumit. Shkon tek ai një person nga lokali, që besoj të ishte menaxheri i atij biznesi. Duke u përpjekur ta bindë endacakun, situata agravoi deri në pikën, që filluan të rriheshin.

Në një moment, menaxheri i biznesit, i mer çantën endacakut dhe ja hedh në lumë. Pak çaste para këtij veprimi, një grup prej 4 vetash, një djalë midis 3 vajzave, u përpoqën ta bindnin manaxherin e lokalit, duke iu lutur mos ta hidhte çantën në lumë, por pa rezultat. Atëhere në moment siç ishte i veshur, hidhet djali i grupit në lumë, duke kapërcyer parmakun, i cili është në lartësi diku tek tre metra nga sipërfaqja e ujit, në kohën që kishte pllakosur nata. E kap çantën, notoi deri tek faqja që ishte në rolin e bregut të lumit dhe problemi ishte si të ngjitej në trotuar.

Anës parmakëve ka goma mishi të lyera me ngjyrë të kuqe në portokalli, me litar për çdo problem me lumin. Vajzat morën një nga këto goma që ndodhej më afër dhe e hodhën në lumë, duke u përpjekur ta ngjisnin djalin lart. Pas disa përpjekjesh duke e terhequr, më në fund ato arritën ta nxjerrin në trotuar atë. Sa doli djaloshi, kulluan ujin e çantës dhe ia dorëzuan endacakut, që ishte ndarë më parë nga sherri me manaxherin dhe ndërkohë policia e Çikaagos kishte mbrritur në vendngjarje bashkë me zjarrfikësen, personeli i së cilës u vendos menjëherë në gadishmëri pune, sipas rregullave që ata kanë këtu.

Nuk di ç'ndodhi midis policise dhe pronarit të biznesit, por ajo që kuptuam ishte se veprimi i tij përbënte shkelje të rregullave ndaj një endacaku. Ai nuk ishte amerikan, sepse me grupin që isha në lokal, kuptuam që gjuha e folur ishte me plot gabime dhe menduam se ishte europiano-lindor nga paraqitja, mungesa e të folurit saktë dhe përdorimi i dhunës ndaj një endacaku. Një pronar amerikan biznesi nuk do ishte sjellë në atë mënyrë, ndaj dhe kjo çfarë pamë me sytë tanë atje na la shije shumë të hidhur.

Në gjatësinë nga liqeni nëpër lumë deri në bulevardin kryesor të Çikagos, North Michigan Avenue, janë vendosur mbi lumë tre ura të mëdha me konstruksion totalisht metalik pa këmbë, vepra inxhinierike mjaft të spikatura. Ura mbi lumë në grykderdhjen e tij në liqen është e dubluar në dy kate për përballimin e trafikut, ku ajo sipër i përket autostradës që del nga qyteti. Ura e dytë është ura Columbus, ndërsa ura e tretë është me emrin DuSable, busti i të cilit është vendosur pranë cepit verilindor të urës dhe ndodhet në North Michigan avenue. Është edhe ajo e dubluar në dy ura njëra mbi tjetrën, për të përballuar trafikun.

Në kohën e protestave të organizuara për vrasjen e George Floyd, urat u ngritën në bulevardin North Michigan Avenue, për të ndaluar vërshimin e njerëzve me makina, sepse u kryen akte vandalësh mbi bizneset në bulevardin kryesor të Çikagos. Urat kane deri ne 6-8 korsi në të dy senset e lëvizjes Lindje-Perëndim. Kam parë dyqanet Gucci dhe Luis Vuiton, Pandora apo Sephora midis të tjerave, të thyer dhe grabitur nga hajdutët që fshiheshin në protesta. Por njëkohësisht kam parë edhe kufirin midis lirisë dhe shtetit në North Michigan avenue, ku lideri i protestës një djalosh i ri afroamerikan, gati sa nuk cikej me fytyrën e drejtuesit të policisë duke respektuar të dy njëri tjetrin, pa kaluar në kontakt fizik. Në një stacion televiziv vazhdon akoma të transmetohet një film serial për policinë e Çikagos me titull Chicago P.D.

Në anën e djathtë, pasi lëmë hotel Sheraton, kemi godina më të rralla se rrokaqiejt e anës së majtë ku rradha e ndërtesave përfundon me një dyqan shumë të bukur, të madh komplet i xhamtë trekatësh, të kompanisë Apple e cila tregton produktet e saj teknologjike. Para se të shkojmë atje, kemi ambiente të universitetit të Çikagos dhe në një ndërtesë tjetër, ndodhet stacioni televiziv NBC. Po kështu edhe banka e njohur amerikane Fidelity ndodhet në një ndërtesë ngjitur me dyqanin super të madh dhe luksoz të Apple.

Dyqani i Apple është një sipërfaqe e konsiderueshme e xhamtë e ndërtuar mbi 33 shkallë me 3 seksione me nga 11 shkallë e midis tyre kemi sipërfaqe të sheshtë ku ndodhet çdo kat i dyqanit. Këto shkallë lidhin trotuarin e bukur të bregut të lumit, me sheshin që del në nivelin e North Michigan Avenue, që është arteri kryesor i qendrës së Çikagos. Jashtë dyqanit, shkallët janë të veshura me dru e janë bërë si stola mjaft të bukur, ku ulen zakonisht të rinjtë që më kujtojnë studentët e Tiranës ulur në shkallët para Universitetit, modë kjo që nga koha e të rinjve të viteve '60 në Berlinin Perëndimor. Nga ky dyqan dalim në North Michigan Avenue.

Nëse do shohim nga lumi në drejtim të bulevardit, do na duket sikur Trump Tower ndodhet mbi të dhe ky është një iluzion optik, sepse nuk duket kthesa e lumit para asaj ndërtese moderne gjigante, e gjitha e xhamtë nga jashtë. Ngjyra e kaltër mbizotëron ditën në të. Trump Tower është ndërtuar në 5 seksione që ngushtohen duke rritur lartësinë dhe përfundon me antena të fuqishme në tarracën e seksionit të fundit, që ka diku tek 5 kate.

Nëse do e vizitoni Miljen e Madhërishme në mbrëmje, është diçka mahnitëse. Dritat në rrugët në të majtë, thyhen mbi lumë me një vezullim mahnitës, sepse janë kalkuluar dyngjyrëshe, të zjarrtë e blu dhe lëvizja e jahteve luksoze me ndriçim dekorativ është mrekulli në atë atmosferë ndriçimi. Po ashtu në krahun e majtë, në një rrokaqiell ngjyrë kafe, rrinë ndezur non stop, dy zëmra gjigante të formuara nga drita prozhektorësh të fuqishëm, kurse në anën e djathtë një zemër e formuar nga prozhektorë të vendosur në dritaret e hotelit Sheraton, që është edhe kjo po aq gjigante. Dritat e tyre reflektojnë mbi sipërfaqen e ujit të lumit me ngjyra mahnitëse.

Kroçerat që shëtisin turistët në lumë në turin arkitekturor dhe liqenor janë të ndryshme. Kompania Odiseu Çikago, ofron me prenotim të mëparshëm një udhëtim special, duke u shërbyer klientëve turistë, bar dhe restorant luksoz në kuvertën e saj luksoze të mbuluar me xham. Kroçerat e turit arkitekturor shkojnë nga fillimi i liqenit deri në China Town. Është mrekulli të shikosh Çikagon nga lumi në gjithë gjatësinë e turit, pjesë e të cilit është edhe Milja e Madhërishme.

Në lumë kam parë duke lundruar që nga anije zjarrfikëse, kroçera të ndryshme, jahte nga më të vegjël dhe të mëdhenj luksozë e deri tek jahte të mëdhenj të policisë.

Përsa i përket ndërtesës më të lartë, atë nuk e përcaktoj dot, sepse më duken njëlloj si Trump Tower ashtu dhe një prej tyre që ndodhet në krahun e majtë, gjithmonë kur vjen nga liqeni, të cilës kam arritur ti numëroj deri në 105 kate me një marzh gabimi prej 2-3 katesh besoj. Kjo është një ndërtesë me 3 seksione të valëzuar në bashkimin e tyre, që ndërpriten duke perfunduar vetëm me një seksion, me fasada xhami, me ngjyre gri transparente dhe të kaltër të përzier me jeshile, shumë e bukur dhe unike. Akoma nuk ka mbaruar së ndërtuari në brendinë e saj.

Në pjesën e urës së ndodhur në bulevardin kryesor, gjen biznese të shumta dhe nëse do kërkoni një restorant të mirë, pas qendrës Trump Tower, i tillë është London House, po ashtu edhe një lokal i madh me dy kate, ku shërbehet çokollata Girardelli nga më specialet, me të gjitha produktet e saj, nga akullorja me çokollatë e të tjera produkte çokollatash shumëformëshe. Në brëndësi duke u larguar nga "Girardelli", do gjejmë lokale të tjerë luksozë, kryesisht restorante e piceri të kuzhinës italiane. Gjithashtu do ju rekomandoja edhe një bar restorant Tarraca 16, në katin e 16 në Trump Tower, të cilin nuk do ta harroni për pamjen magjike të Çikagos të cilën e ofron tarraca e këtij lokali madhështor. Nëse do shkoni me makinë në Trump Tower, do ndjeni kënaqësi, pasi do e hapin derën e makinës punonjës me veshje të veçantë (maxhordomë), që janë enkas për këtë aty.

Në adresën me numër 401 ngjitur me urën DuSable në krahun verilindor, që është rrokaqielli ku gjendet edhe banka Fidelity, ndodhet nje shesh i madh i përbashkët me dyqanin e Apple. Në atë shesh dhe trotuarin e tij buzë North Michigan Avenue, kam parë here pas here protesta ku ajo më e çuditëshmja më është dukur një protestë diku tek 20-30 persona me parrulla në mbrojtje të Navalnit, kryetarit të opozitës ruse. Ajo që mendova, ishte se ja çdo të thotë sistem i konsoliduar demokratik, që e lejonte atë protestë dhe e ruante edhe policia nga çdo e papritur e mundëshme.

Qëndra e biznesit Nordstrom nuk është as 200 metra në veri të ures buzë North Michigan Avenue. Aty gjen të gjitha firmat prestigjioze botërore të veshjeve, galanterisë, orëve, kozmetikës etj. Disa nga bizneset kryesore në anën e majtë të lumit, janë Swiss Hotel në një rrokaqiell, Columbus Plazza, Coast, etj. Kurse në anën e djathtë janë banka Fidelity, dyqani i Apple, agjensi turistike të kroçerave, bare, restorante etj. Në anën e majtë në bregun e lumit gjithashtu ka shumë bare e ristorante si Tiki Bar Islands, Northman etj.

Është kënaqësi edhe një birrë në stinën e verës në lokalet e shumta buzë lumit në të dyja anët e tij. Pasi lemë pas urën DuSable në North Michigan Avenue, vazhdojmë udhëtimin buzë lumit. Rrokaqiejt prej xhami janë mahnitëse dhe aspak të ngjashëm me njëri tjetrin. Mbi të gjithë spikat Trump Tower. Nuk e di pse kam idenë që fituesi i reality show të organizuar dhe drejtuar nga Trump para dy dekadash, djaloshi Bill, duhet ta ketë menaxhuar ndërtimin e saj, sepse është një ndërtesë dukshëm e re. Gjithsesi nuk kam informacion të saktë për këtë.

U përpoqa kësisoj t'ju përcjell diçka rreth asaj që quhet Milja e Madhërishme dhe që është nga zonat urbane më të bukura në botë në kompleksitetin e saj, cilësuar e tillë nga mediat amerikane dhe institucionet përkatëse amerikane të turizmit. Nëse do ta vizitoni, ju siguroj që do mrekulloheni!

©Kastriot Fetahu