Andej-Këtej

Arafati, Millosheviçi dhe të tjerët - Nga Enver Robelli

Derisa diplomatët palestinezë, të cilët kryesisht i përkasin lëvizjes së korruptuar Fatah të Mahmud Abazit, verbërisht ia mohojnë lirinë dhe mëvetësinë Kosovës, solidariteti në Kosovë me popullin palestinez nuk do të jetë i madh. Kjo s'domethënë që palestinezët s'kanë të drejtë të kenë shtetin e tyre. Përkundrazi.

Që gjatë konflikteve në Ballkan në vitet 90-të liderët palestinezë kanë mbajtur qëndrim skandaloz. Solidariteti me myslimanët e Bosnjës nga ana e zyrtarëve palestinezë pothuaj nuk ka ekzistuar. Në fund të vitit 1999, kur Serbia pas sulmeve të NATO-s ishte e izoluar dhe Sllobodan Millosheviçi i akuzuar për krime të luftës ndaj shqiptarëve, lideri palestinez Jaser Arafat e ftoi Millosheviçin për të kremtuar Krishtlindjet ortodokse në Bethlehem në Bregun Perëndimor. Kjo ishte njëra prej ideve më të poshtra e më cinike të Arafatit. Millosheviçi nuk shkoi në Bethlehem pasi Izraeli e kërcënoi se do ta arrestonte dhe dorëzonte në Tribunalin e Hagës nëse kalon në kufijtë e Izraelit. Problemi i Arafatit ishte se e ngatërronte Millosheviçin me Josip Broz Titon, i cili e ka përkrahur çështjen palestineze në një kohë tjetër dhe në rrethana të tjera, shto kësaj faktin që Tito gëzonte prestigj të madh në Perëndim dhe në botën arabe.

Lideri palestinez Mahmud Abaz ka vizituar Beogradin dhe ka përkrahur qëndrimet serbe për mosnjohjen e Kosovës. Në bisedimet e Camp Davidit në SHBA në vitin 2000, Abaz ishte kundërshtar i ofertës izraelite për një shtet palestinez. Në fillim të viteve 80-të Abaz doktoroi në Moskë. Në dizertacionin e tij ai mohon gjenocidin nazist ndaj hebrenjve. Më vonë Abaz është përpjekur të distancohet nga punimi i tij.

Por marrëzia nuk kufizohet vetëm te politikanët palestinezë. Ariel Sharoni, kryeministri i mëvonshëm i Izraelit dhe më 1999 ministër i Jashtëm, e pati quajtur ndërhyrjen e NATO-s kundër Serbisë "intervencionizëm brutal" që mund ta shndërrojë Kosovën në vatër të fondamentalistëve islamikë. Me këto qëndrime Sharon e kishte acaruar ministren e Jashtme amerikane Madeleine Albright. Kryeministri izraelit Benjanim Netanjahu u distancua më 1999 nga qëndrimet e Sharonit.

©Enver Robelli