Andej-Këtej

“Peshku i madh” - Nga Bamir Bebeziqi

Bamir Bebeziqi - Toronto

Në kuadrin e luftës kundër korrupsionit, Departamenti i Shtetit të fuqishëm A.  në listën e personave “non grata”, kishte shpallur edhe një professor… profesor Denisin, nga shteti i vogël SH. i cili në jetën e vet, nuk e kishte shkelur kurrë ligjin, qoftë edhe ligjin komunist dhe vetëm kishte lexuar e dëgjuar, rreth bëmave të kriminelëve, apo për korrupsionin e politikanëve. Ai vetëm kishte dëgjuar për “peshqit e mëdhenj” e një ditë prej ditësh, krejt papritur e pa dijeninë e tij edhe ai ishte konsideruar “Peshk i madh”.

Profesori akuzohej për mashtrim dhe në qytetin e vogël D. edhe sot, që ka plot 12 vjet që nuk jeton, nuk e kujtojnë për mashtrues, por ç’ti bësh, shteti i fuqishëm merrka informacione nga shumë burime!?

***

Në Shtator 1993, në shtëpinë e profesor Denisit vjen një zarf i çuditshëm nga ambasada e shteti të fuqishëm A. brenda të cilit në një letër shkruhej, se kishte fituar një llotari e cila organizohej vit për vit nga shteti A. e fituesit do të kishin mundësinë që të pajiseshin me një kartë dhe me atë kartë të mund të jetonin në atë vend të madh e të fuqishëm.

Profesoi u habit, pasi nuk i kishte shkuar mendja kurrë për të emigruar, por ndërkohë qeshi me fatin e tij. Ishte një nga dyzetmijë fituesit në të gjithë botën, ku thuhej, se për atë kartë aplikonin me miliona njerëz.

I biri i profesor Denisit, Arieli, kishte dëgjuar krejt rastësisht se organizohej një llotari e tillë e një ditë kishte gjetur një aplikim, e kishte plotësuar, e kishte futur në zarf dhe e kishte nisur në një adresë në shtetin A. por tek adresa e vet, në vend që të vinte emrin e tij, kishte vendosur emrin e të jatit, si i pari i shtëpisë, gjë e zakonshme në atë kohë. E ja kur vika dita që fitoka vetëm adresëmbajtësi e jo personaplikuesi!?

Arieli nuk mendoi shumë, kontaktoi me ambasadën e shtetit A. e filloi të plotësojë dokumentat e kur çdo gjë ishte gati e po priste vizën, i vjen njoftimi se je skualifikuar, pa ndonjë shpjegim apo arsye. U përpoq Arieli, por më kot. Ambasada e shtetit A. nuk pranonte ankimime. Historia u harrua, vitet shkuan e profesori një ditë krejt papritur iku nga kjo botë, pa ditur se diçka ishte luajtur pas kurrizit të tij.

Në Tetor të vitit 2010, Arieli u ftua të vizitojë shtetin A. nga vëllai i tij i qumështit, Adriani, për të festuar 50 vjetorin e lindjes, diku në një qendër të madhe argëtimi. Adriani i dërgon edhe garancinë e Arieli shkon në ambasadën e shtetit të fuqishëm A. për të marrë vizë, por aty ndeshet me një skenë absurdë.  Jo vetëm që vizën nuk e merr por ai bashkë më ta jatin, profesor Denisin akuzoheshin se kishin mashtruar shtetin e fuqishëm A. Denisi, në aplikim kishte fallsifikuar emrin dhe ditëlindjen e tij, ndërsa Arieli kishte fallsifikuar adresën e shtëpisë së tij. Arieli nuk e kishte ditur, se qysh nga viti 1993, atij dhe të jatit, i kishin ndaluar të vizitonin shtetin A.

Briani, i biri i profesor Denisit dhe vëllai i Arielit, për herë të parë shkeli në shtetin A. në verën e vitit 2014. Ai kishte shumë emocione, pasi ku i dihej. Ndoshta Departamenti i Shtetit të fuqishëm A. i kishte ndaluar hyrjen të gjithëve famijarisht, pasi departamenti ashtu ka dëshirë të shprehet kur e ndalon hyrjen në shtetin A: “I ndalohet hyrja të gjithëvë familjarisht, me akuzën për mashtrim.”

Por Briani qëlloi me fat. Kishte shpëtuar nga ndëshkimi kolektiv. Ai shkeli tokën e shtetit A. por ka frikë të shprehet, se ndoshta e lexon këtë shkrim ndonjë organizatë joqeveritare në vendin e tij të lindjes. Ndoshta i dërgojnë informacion Departamentit të Shtetit, pasi departamenti, këto i konsideron si burime të sigurta informacioni e më pas… më pas i pritet e drejta për të shkelur tokën A.

***

P.S. Në aplikimin për të marrë vizë, në ambasadën e shtetit A. kishte edhe një pyetje: “A ke qënë anëtar i ndonjë partie komuniste, policie sekrete apo organizate terroriste?”

Tani dua të di, sa komunistë, spiunë e sigurimsa nga shteti SH. jetojnë sot në shtetin A.? Sa prej tyre i janë përgjigjur “jo” pyetjes së mësipërmë? A kanë mashtruar ata apo ato, me përgjigjen? Apo mashtrues është vetëm profesor Denisi me të birin, të cilët bënë një ngaterresë të vogël me adresën e shtëpisë?

Profesor Denisi, vazhdon të jetë në listën e zezë të personave “non grata” të shtetit A. Nuk e di, nëse ka marrë informacion, Departamenti i Shtetit nga gazetat, apo organizatat joqeveritare ne shtetin SH. se profesori nuk jeton më…

©Bamir Bebeziqi