Interneti dhe “Dezinformatika”, mes teorive zyrtare dhe konspirative - Nga Burim Bardhari
- Published in Andej-Këtej
Rusët kryesojnë me lajme të rreme por edhe amerikanët ndjekin afër
Dikur luftohej për çrrënjosjen e analfabetizmit për shkrim-lexim ndërsa sot bota vuan nga analfabetizmi mediatik, mjerisht! Një fotografi e montuar që qarkullon Internetin tregon kinse Angela Merkel në fëmijëri paskërka dalë bashkë me mustakun e marrë, Hitlerin, ndonëse ajo lindi rreth një dekadë më vonë në vitin 1954, ndërsa lideri i tërbuar perendoi në vitin 1945, por edhe sikur të kishte ikur në Argjentinë sipas disa teorive të thata, nuk ishte e mundur ta “atëronte” Angelën nga Argjentina në Hamburg. Ec e mos lexo sot, apo kot kliko Internetin e intrigave.
Më vjen keq por të gjithë nuk janë shqiptarë, as nuk duhet, mjaftojnë ata që janë dhe nuk fshihen, ngase është e pamundur në korniza të historisë bashkëkohore; nuk është shqiptar as “Gjergj” Washington-i, as Napoleon-i sepse së paku ky i dyti ka shkruar me mijëra letra, mirëpo me kërkues digjital nuk dalin të dhëna për rrënjë shqiptare përveç disa pohimeve të miqve tij, bashkëkohanikë që e kanë njohur gjatë kohës tij, njëri prej tyre thuhet se i martuar me shqiptare ose vetëm kishin dëgjuar, përndryshe Mehmedaliu ynë i Egjiptit nuk do të përplasej me të dhe ta pengonte pushtimin e Egjiptit nga Napoleoni, në vend që më vonë ta nënshtronte Britania, ndërsa miqësia me shkëmbim dhuratash mes tyre ishte politike. Kësilloj lajmesh janë karrem për vjelje të pëlqimeve për përfitime vetjake.
Derisa e kemi për detyrë ta mbrojmë kulturën tonë të lashtë dhe ta gërmojmë pjesën që është fshehur nga albanofobët me histori të shtrembëruar të fitimtarit, mirëpo me tifozllëk më shumë e dëmtojmë çështjen tonë kombëtare. Njëlloj dëmtojnë disa ndikime të huaja si “Dëshmitarët e Jehovait” me fanatizëm fetarist ndryshojnë gjenet kulturore shqiptare, anëtarët e tyre i ndalojnë të mos marrin transfuzion gjaku ose me ndikim besimesh të vegimta rreth ringjalljes në tokë fill pas vdekjes të cilat keqkuptohen nga të rinjtë dhe përfundojnë me psikoza të shëmtuara deri në vetëvrasje. Të tjerët as nuk përfillin vlerat shqiptare ngase sheshi Skenderbej shndërrohet edhe në sheshin Taliban si në Albanistan, me pretekst se u mungon hapësira, por e njëjta nuk ndodh kudo si në Bosnjën myslimane ose vetë e teprojmë me patriotizëm folklorik, sidomos vuajmë nga folklori politik i ideologëve të përbetuar njëanësisht si ata fetarist që me fanatizëm partizan mbrojnë figurat politike të dështuara kinse ata vetë kanë gabuar, në vend që së bashku të çlirohemi nga lugati i mbetur që sillet si pushtuesi i vjetër.
Nje citat që vetëdijëson: “serbët zhvatën Ilirinë, grekët antikën, sllavomaqedonët Aleksandrin e Madh dhe tani bullgarët po e përvetësojnë Thrakinë andaj Spartaku, gladiatori që tronditi Romën “paska” rrënjë bullgare?” Gjithashtu nuk është çdo gjë vetëm e huaj dhe e pamundur që të mos qenësojnë edhe vlerat shqiptare si Besa dhe shqipja e shenjtë, kur ne jemi të ngjeshur mes dy kulturave fqinje më të forta Perendimore, heleno-romake, si të voglat Holanda e Belgjika në Veri.
Teoritë konspirative janë “vitamina” për syrin e mesëm të mendjes por disi ndikojnë si opium, ose janë barna besëtytnie
Kryeministri kanadez nuk është kundër vaksinimit pavarësisht se çfarë thotë gazepqari Takër (Tucker) nga “FOX News”, ose i marri dhe luftënxitësi Aleks “Indiana Xhouns” (Alex Jones) i cili ndoshta ia qëllon kohëpaskoshëm, si ketri i verbër kur gjen arrat e fshehta ndonjëherë. Ata që e kanë marrë vaksinën mund edhe të infektohen por së paku nuk janë aq të rrezikuar, vetëm se mund të rrezikojnë të tjerët edhe pse ngarkesa virale është më e ulët.
Verbërisht nuk duhen mbështetur as burimet e tjera derisa nuk paraqesin të dy anët e medaljonit por duhet pyetur me dyshim se kush dhe çfarë përfiton nga këto lajme të njëanshme sepse e njëjta ndodh edhe me teoritë zyrtare. Kanë plotë gabime dhe ndoshta me lakime butas ose përzgjedhin qershitë që u pëlqejnë atyre, që njihet si “ripohim animi” (anglisht: confirmation bias); madje disa janë haptas me prirje partiake si “CNN” apo “Fox News”, por së paku e gjithë bota perendimore pranoi se vaksina “Astro Zeneka” shkakton mpiksje ose ngjizje të gjakut, nuk e fshehën dhe disa mjerisht kanë ndërruar jetë, por vdekshmëria nga vaksinat tani për tani është me mijëra herë më e vogël se ata që vdesin nga gabimet njerëzore nëpër klinika e spitale, statistikisht me mijëra ose qindra mijëra në vit në Amerikën Veriore, ndoshta me miliona në gjithë botën. Ngjashmëritë jo gjithëmonë zbulojnë edhe shkakësitë (anglisht: corelation is not always the same as causation).
Po ashtu nuk është e vërtetë siç reklamon një video se vaksina ka fushë magnetike sepse vaksinën e kanë marrë me qindra miliona njerëz dhe mund ta testojnë (pa)vërtetësinë. E kam marrë vetë dhe bëra vrojtimin ose skanimin me pajisjen e zbulimit të fushës magnetike por nuk zbulon asgjë tek pesë veta. Vaksinat, ndoshta mund të kenë pasoja më vonë, dhe nëse dalin pasojat atëherë teoritë konspirative do të nxitojnë për zbatimin e drejtësisë ndëshkimore (anglisht: retributive justice), kinse ata kishin të dhëna faktike paraprakisht, jo se hamendësisht i pohonin dhe promovonin teoritë e tyre.
Pse trillojnë dhe nuk dalin haptas kundër vaksinimit nëpër protesta në përputhje me ligjin, ose t’u paraqiten përfaqësuesve politikë, të ushtrojnë trysni mbi ata që janë të paguar; mirëpo liria e fjalës nuk është baraz me fjalët që nxisin urrejtje ose përmbajnë vetëm sharje. Jemi në shekullin 21 dhe për keqardhje nuk i kemi mbërthyer ca gjëra që janë fare të lehta sepse ka të vërteta faktike, 2+2 baraz me 4, përndryshe nëse bëjnë 7 mund të pasurohemi shpejt, pavarësisht se disa qëllimisht mjegullojnë e turbullojnë, dinakërisht barazojnë djallin me Zotin, përhapin dezinformata e bëjnë propagandë përçarëse që t’i arrijnë synimet e tyre qofshin politike, fetariste ose afariste apo për qejf të mendjengushtësisë.
Mjerisht në pyetje është mungesa e mençurisë ndjenjore, inteligjencës emocionale, se nëse pranojme gabimin përmirësojmë veten, mirëpo pranimi nuk gëlltitet lehtë për ata, sepse firmoset dështimi ose humbja edhe pse janë të përfytyruar dhe nuk është turp pasiqë të gjithë gabojmë, por të përmirësojmë veten e të përparojmë, jo të “prapashkojmë”.
Teoritë konspirative zakonisht rrjedhin si pasojë e analfabetizmit mediatik por përhapen edhe nga frika e pasiguria ndërsa ca individëve u japin privilegjin që u mungon atyre në jetë që ta përjetojnë barazinë me tjerët ose një çikë epërsi mbi tjerët, sikur vetëm ata i dinë fshehtësitë dhe me ato i ushqejnë anëtarësitë nëse kanë ndjekës.
Janë ekspertët pa mbështetje profesionale, hiqen si udhëheqës ose anëtarë të ndonjë klubi vëllazëror hijetar ndërsa turmat për ata janë si dhentë në vath; mirëpo lodrimi kundër tyre është si ajo loja brenda lojës me qindra e mijëra lajme të rreme kinse alienet zvarranik jetojnë në mesin tonë, ngase ashtu thotë profeti i rremë David Icke (David Ajk) i cili përfiton majmërisht nga shitja e librave që i blenë njerëzit e etur për intriga e konspirata pa i verifikuar lajmet e tyre me bishta.
Ky ngatërrestar mashtrues nga Anglia në fillim lançoi gënjeshtrën se ishte Jezu Krishti (Shtjerra) dhe e ekspozuan shpejt në television, por më vonë ai gjeti tokë pjellore në mendjen e njerëzve që i marrin si të gatshme të gjitha teorite konspirative në mesin e të cilave padyshim se mund të ketë edhe të vërteta, por kush mund t'i shqyrtojë të gjitha sepse nuk flijohet e flaket jeta me një përkushtim e njëanshmëri. Ndoshta vetë komunizmi dikur ishte teori konspirative dhe këndelli në ideologji. Përkushtimi me njëanshmëri të pafrytshme përjetëson vetëdështimin ngase pavetëdijësisht arsyeton veprimin disfatist.
Çfarë bëjnë ata që i dinë këto teori konspirative përveç se përhapin lajmin (e rremë) dhe përshtatshmërisht yshtin të tjerët të ndërmarrin masa ndërsa ata rrinë në hije dhe presin t'i gëzojnë të drejtat e lëvdimit nga veprat e tyre kinse ishin ata që zbuluan zvarranikët jashtëtokësor në mesin tone. Kjo është logjika e falimentuar nëse ata vetë nuk arsyetojnë barrën e përgjegjësisë së kumtimeve të pareshtura sepse populli nuk është kujdestar që mund t’u përgjigjet të gjitha teorive të pambështetshme që shpien në shpella të errëta e pa funddalje.
Si përfundim, secili gëzoftë të drejtën e lirisë ligjore të besojë sipas dëshirës por me të njëjtën masë edhe ne tjerët gëzojmë të drejtën të mos u besojmë derisa të provohen me verifikime faktike ose logjike dhe nuk na interesojnë zgjidhjet e vjetra, as të fashizmit as të komunizmit dhe as të fetarizmit sepse u ka skaduar afati mendimeve të mykyra në mijëvjeçarin e ri.