Andej-Këtej

Ipeshkvi i München, Kardinali Reinhard Marx jep dorëheqjen - Nga Enver Robelli

 Enver Robelli, Zvicër

Arsyeja? "Katastrofa e keqpërdorimeve seksuale nga dinjitarët e kishës në dekadat e kaluara".

Reinhard Marx, njëri prej teologëve më prominentë katolikë në Gjermani, ipeshkëv i München dhe këshilltar i Papës, i ka dorëzuar Papës Françesk dorëheqjen e tij.

Në letrën e tij Marx shkruan se po e luste Papën t’ia pranojë dorëheqjen për shkak të “katastrofës së keqpërdorimeve seksuale nga dinjitarët e kishës në dekadat e kaluara”.

Marx, ndonëse jo vetë përgjegjës për mizoritë e teologëve, shkroi se me dorëheqjen e tij merr përgjegjësinë për devijimet në kishë. Kisha, shkroi Marx, “ka arritur në një pikë të vdekur”. Sipas tij, ka pasur shumë dështime personale dhe gabime administrative, por edhe “dështime institucionale dhe sistemore”.

Disa në Kishën Katolike nuk duan ta marrin parasysh elementin e bashkëpërgjegjësisë dhe rrjedhimisht edhe bashkëfajësisë së institucionit të kishës dhe hedhin poshtë çdo dialog për reforma në lidhje me krizën e shkaktuar nga keqpërdorimet seksuale, u ankua Marx.

Disa ipeshkvi si ajo e Köln-it dhe e Hamburg-ut, po përballen me pasojat e keqpërdorimeve shumëvjeçare seksuale nga priftërinjtë dhe dinjitarët e tjerë.

Që në vitin 2018, kur u publikuan rezultatet e një studimi mbi keqpërdorimet në Kishën Katolike, Reinhard Marx tha: “Më vjen turp për besimin që është shkatërruar; për krimet që u janë shkaktuar njerëzve nga zyrtarët e kishës; jam i turpëruar që shumë njerëz kanë mbyllur sytë, s’kanë dashur të shohin se çfarë ka ndodhur dhe nuk janë kujdesur për viktimat”.

Dëshpërimi i besimtarëve në Gjermani me kishat katolike dhe evangjeliste është i madh. Në vitin 2019 më shumë se 800 mijë anëtarë braktisën dy kishat e mëdha të krishtera. Një vit më parë 704 mijë.

©Enver Robelli