Andej-Këtej

Ai ishte e nevojshme nisja e një procedure për shkelje kundër Gjermanisë? - Nga Auron Dodi

Auron Dodi - Bon, RFGJ

Procedura ligjore e Komisionit Evropian kundër Gjermanisë për shkelje të marrëveshjeve të BE nuk vlerëson drejt tablonë e përgjithshme. Një mbyllje e shpejtë e procedurës do të ishte qëndrim fair ndaj Gjermanisë.

Komisioni Evropian nisi të mërkurën (09.06.) një procedurë kundër Gjermanisë: "për shkak të shkeljes së parimeve bazë të së drejtës së BE". Një zëdhënës tha se këtu bëhet fjalë edhe për "respektimin e kompetencës së Gjykatës Evropiane të Drejtësisë".

Komisioni Evropian mendon se marrëveshjet e BE Gjermania i ka shkelur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese Gjermane të vitit 2020, për blerjet e obligacioneve nga Banka Qendrore Evropiane (BQE). Gjykata Kushtetuese Gjermane vuri në dyshim që Banka Qendrore Evropiane i ka mbajtur parasysh "proporcionalisht" pasojat anësore për shtetet e tjera të BE, kur ka blerë në stil të gjerë, në kuadër të funksionit si ruajtëse e stabilitetit të Euros, obligacione të shteteve në krizë të Eurozonës dhe i kërkoi asaj argumenta brenda tri muajsh. Më tej e shpalli të pavlefshëm për Gjermaninë vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë se kishte qenë e ligjshme blerja e obligacioneve nga Banka Qendrore Evropiane.

Me vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese Gjermane u dha atëherë të drejtë paditësve që panë shkelje të të drejtave të tyre kushtetuese nga BE: pasi blerja e obligacioneve nga BQE ndikon negativisht te taksapaguesit gjermanë si në "rritjen e borxhit", ashtu edhe në pakësimin e "kursimeve personale".

Mosmarrëveshja u zgjidh kur Banka Qendrore Evropiane e ofroi vlerësimin e kërkuar nga gjykata gjermane, vlerësim që u shoqërua me mbështetjen e qeverisë gjermane dhe Bankës Qendrore Gjermane.

Mungojnë kritere objektive për kufijtë e kompetencave nacionale e evropiane

Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, vërtet që deklaroi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese Gjermane se mund të hapet një procedurë për shkeljen e marrëveshjeve evropiane nga Gjermania. Aq më tepër kur cënimi i autoritetit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED) nga një Gjykatë Kushtetuese nacionale, si e Gjermanisë, mund të shërbejë si një rast frymëzues për shtete që ndihen "të kufizuara" nga e drejta evropiane, si p.sh. Polonia dhe Hungaria.

Në fund të fundit, edhe sipas ekspertëve gjermanë, ky vendim "hap kutinë e Pandorës". Sepse siç i tha politologu Josef Janning Radios Kombëtare gjermane Deutschlandfunk, nuk ka "kritere objektive” se ku është kufiri i kompetencave evropiane me ato nacionale.

Komisioni i kërkon qeverisë gjermane që të reagojë brenda dy muajsh me shkrim kënaqshëm për kritikat, ndryshe KE mund ta padisë Gjermaninë para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Dhe kjo Gjykatë do të gjykonte atëherë se kishte ajo vetë të drejtë, jo gjykata nacionale gjermane, kur e quajti të drejtë blerjen e obligacioneve nga BQE.

Gjermanisë i kërkohet “rrugë e përshtatshme për ta mënjanuar shkeljen”

Por nisja, në këtë moment, e procedurës për shkelje kundër Gjermanisë shtron pyetje për qëllimin që ndjek me të Komisioni Evropian. Hapi i Komisionit ngre megjithatë disa probleme.

Në një plan të ngushtë, forcat politike që e shtynë apo detyruan Komisionin të nisë procedurën për shkelje kundër Gjermanisë duket se nuk kishin alternativë tjetër. Në fund të fundit, Komisioni duhet të dëshmojë se vepron njësoj, si ndaj shteteve të mëdha, ashtu edhe ndaj atyre më të vogla, kur dyshohen për shkelje të së drejtës evropiane. Por: në Gjermani kemi situatë krejt tjetër nga ajo p.sh. në Poloni apo në Hungari, ku janë veprime të frymëzuara nga qeveritë ato që sjellin përplasje me të drejtën evropiane.

Në një plan më të gjerë, hapi i Komisionit është kujtesë ndaj shtetit më të madh të BE, Gjermanisë: se vendimet legjislative nacionale të gjykatës së Karlsruhes nuk duhet të cënojnë sigurinë juridike në Evropë e t'i vënë pikëpyetje autoritetit evropian, Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Mbetet fakt: Gjykata Kushtetuese Gjermane në Karlsruhe deklaroi se vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë nuk ka fuqi ligjore për Gjermaninë, pasi GJED i tejkaloi kompetencat me legjitimimin e shitjeve të obligacioneve nga Banka Qendrore Evropiane.

Politikës i kërkohet të shpjegojë vendime juridike

Komisioni Evropian, qeveria e Evropës, pret tani shpjegime nga "homologia", qeveria gjermane (në një kohë kur nuk ishte gjykimi i qeverisë ai që hapi "telashe", por i Gjykatës Kushtetuese Gjermane).

Me këtë Komisioni e vë qeverinë gjermane në një situatë të vështirë. A i bie Komisioni Evropian derës që të dëgjojë dritarja? Por qeveria gjermane nuk ka të drejtë t'i japë udhëzime Gjykatës Kushtetuese për gjykimet që duhet të bëjë. Ndonëse anëtarët e Gjykatës Kushtetuese propozohen për këtë Gjykatë edhe nga forcat politike: vendimet e Gjykatës gëzojnë respekt në Gjermani, sepse ndihen nga të gjitha palët si vendime të pavarura.

Iniciativa e Komisionit Evropian për hapjen e procedurës së shkeljeve kundër Gjermanisë nuk vlerëson si duhet as veprimet faktike më të gjera të qeverisë gjermane në emër të Gjermanisë.

Me dakordimin për Fondin Evropian të Rindërtimit të BE, me hyrjen në borxh edhe të Gjermanisë me shtetet e tjera për të ndihmuar shtetet e goditura më fort nga COVID-19, kancelarja Merkel dha një shembull të fuqishëm të mendësisë evropiane të saj dhe të establishmentit aktual politik të Gjermanisë. Ishte një hap historik, jo vetëm për shtetet që do të përfitojnë më fort nga paratë evropiane.

Jo vetëm kaq: është fakt i pamohueshëm se edhe para situatës së jashtëzakonshme të pandemisë, qeveria e kancelares Merkel nuk ndërmori hapa për ta penguar Bankën Qendrore Evropiane për të kryer atë që ajo e shihte si pjesë të mandatit të saj: blerjen e obligacioneve. Kemi një mbështetje faktike, graduale nga Gjermania të veprimeve të frymëzuara nga drejtori i atëhershëm i BQE, Mario Draghi dhe që kërkoheshin kryesisht nga shtetet latine të Eurozonës.

Qeveria gjermane ka mbështetur shtetet në nevojë

Elita politike në Gjermani ka mbështetur dekadën e fundit shpesh heshturazi, vendime evropiane në dobi të shteteve më të dobëta të BE, shpesh ajo ka qenë një hap përpara opinionit mbizotërues publik në Gjermani. Nga ky opinion publik u ushqye edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese Gjermane. Disa anëtarë gjermanë të Bankës Qendrore Evropiane dhanë madje dorëheqjen si shenjë proteste për politikën e Draghit, politikë të mbështetur edhe nga qeveria gjermane.

Ndoshta Komisioni kërkon të sigurohet me shkrim, me shpjegimet sqaruese që pret nga qeveria gjermane, se ajo nuk mendon si Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë. Dhe për më tepër t'i lërë një "porosi" qeverisë së ardhshme të Gjermanisë pas zgjedhjeve të 27 Shtatorit. Meqenëse pakënaqësi në Gjermani ka edhe për Fondin e Rindërtimit të BE. Rikthimi i një politike të rreptë kufizimesh financiare në Gjermani, të borxheve zero, shihet me frikë nga ekspertët e Eurozonës.

Vendimi i vitit 2020 të Gjykatës Kushtetuese Gjermane e forcoi pozicionin skeptik të Gjermanisë përballë shteteve që shpresonin të zgjidhnin probleme ekonomike nacionale me para evropiane, si p.sh. rikapitalizimin e bankave problematike nacionale. Është e pamohueshme se ekziston "rreziku moral" ("moral hazard") që disa shtete e qeveri evropiane frymëzohen të mos bëjnë reforma strukturore, kur faturën për krizat e tyre e paguajnë shtete të tjera.

Përfaqësues të Komisionit thanë se "nuk kanë interes ta thellojnë grindjen” me Gjermaninë. Një mbyllje pas pak muash nga Komisioni të procedurës kundër Gjermanisë, pas marrjes së përgjigjeve me shkrim nga qeveria gjermane, do të dëshmonte se ata që e kanë nxitur procedurën janë realistë dhe fair ndaj Gjermanisë.

©DW Shqip