Andej-Këtej

Angela Merkel dhe Amerika - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të takojë të Enjten 15 Korrik 2021 në Shtëpinë e Bardhë Presidentin amerikan Joe Biden. Do të jetë kjo një vizitë lamtumire e Merkelit, e cila me krijimin e qeverisë së re gjermane pas zgjedhjeve të Shtatorit do të largohet nga zyra e Kancelares.

■ Për herë të parë Angela Merkel e vizitoi Amerikën në verën e vitit 1990. Atëbotë ajo ishte zëvendëszëdhënëse e qeverisë së Kryeministrit të fundit të Gjermanisë komuniste Lothar de Maizière. Merkel kishte marrë pushim për të vizituar burrin e saj, i cili pas rënies së Murit të Berlinit kishte shkuar në SHBA për të marrë përvoja të reja në një firmë bioteknike.

■ Më 2019 Merkel qëndroi në Boston, ku mori titullin doktore nderi e Universitetit të Harvardit. Atëbotë në Shtëpinë e Bardhë sundonte Donald Trump. Merkel dhe Trump nuk u takuan.

■ Në vitin 2015 revista amerikane TIME e shpalli Angela Merkelin “Personi i vitit”. I fundit gjerman me këtë titull ishte Willy Brandt në vitin e largët 1971.

■ Tani që po merr fund mandati i Merkelit si Kancelare, në SHBA po botohet biografia e saj e parë e shkruar në SHBA. Autore është Kati Marton, e veja e Richard Holbrook-ut, i cili, mes të tjerash, ka qenë Ambasador amerikan në Bonn.

■ Merkel i ka njohur 7 presidentë amerikanë, duke filluar nga Ronald Reagani. 4 presidentë i ka përjetuar në postet e tyre (Bush, Obama, Trump, Biden).

■ Në Qershor 2011 Barack Obama e nderoi Merkelin me Medaljen Presidenciale të Lirisë, njërën prej dy dekoratave më të larta civile amerikane. Në Kopshtin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë Obama shtroi një darkë për nder te Merkelit. Raporti i Merkelit me Obamën nuk u turbullua as pasi më 2013 u bë e ditur se shërbimet amerikane kishin përgjuar telefonin mobil të Merkelit. Para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë, Obama vizitoi Berlinin. U takua me Merkelin. Thuhet se i bëri presion të kandidojë edhe njëherë për postin e kancelares si kundërpeshë ndaj Donald Trumpit. Merkel konsiderohej garantuese e vlerave Perëndimore.

■ Edhe gjatë vizitës mbase të fundit si Kancelare në SHBA, Merkel do të nderohet: Universiteti Johns Hopkins në Washington do t’i dorëzojë asaj titullin doktore nderi.

■ Nuk dihet se çfarë do të bëjë Merkel pas pensionimit politik. Në disa media gjermane supozohet se mund të kalojë disa vite në ndonjë universitet në SHBA. Sepse që nga rinia e saj, për Merkelin Amerika ishte më shumë se një vend dhe një superfuqi, ishte një univers i lirisë.

©Enver Robelli

*Në foto (AP Photo/Steven Senne) Angela Merkel në ceremoninë e marrjes së titullit Doctor Honoris Causa në Drejtësi akorduar nga Universiteti i Harvardit, 30 Maj 2019, Cambridge Massachusetts.